Kompania gjikande e veshjeve sportive, Nike, e ka prishur kontratën me tenisten Maria Sharapova, pasi kjo e pranoi se ka dalë pozitive në testimin për konsumim të një substance të ndaluar në turneun e tenisit Australian Open, shkruan Daily Mail, transmeton Klan Kosova.
Kampionia e pesë-fishtë e Grand Slam e ka bërë të ditur lajmin në një konferencë për media në një hotel në Los Angeles të hënën mbrëma.
Sportistja femër që fiton më së shumti në botë, tha se ajo është kapur nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit duke konsumuar Mildronate apo Meldonium, substancë kjo e ndaluar nga janari i këtij viti. Federata Ndërkombëtare e Tenisit ka bërë të ditur se Sharapova do të suspendohet nga ky sport me 12 mars.
Dhe sikur kjo të mos i mjaftonte, Nike e ka prishur kontratën më të madhe të karrierës së saj, një kontratë 70 milionëshe . Sharapova kishte linjën e saj të veshjeve në Nike.
Në një deklaratë kompania Nike ka thënë se “Jemi të mërzitur e të surprizuar nga lajmi për Maria Sharapovan. Kemi vendosur ta ndërpresim kontratën përderisa hetimi vazhdon. Do të jemi në vëzhgim të situatës”.