“Çysh me i besu BDI-së? Pse nuk u bënë bashkë për të ndërpre skenarin e vitit të kaluar në Kumanovë, sikurse u bënë bashkë për kryqin në Butel. E dimë shumë mirë pse! Sepse atëherë Gruevski nuk ju ka dhënë leje të bëhen bashkë, kurse tani u ka dhënë leje. Kjo është shumë e qartë”, thotë për “Lajm”, familjari i njërit prej 10 shqiptarëve të vrarë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar
Shtohet numri i shqiptarëve që dyshojnë se protesta e funksionarëve të BDI-së kundër kryqit në Butel është në koordinim me VMRO-DPMNE-në. Në mesin e tyre është edhe familjari i njërit prej 10 shqiptarëve të vrarë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar.
“Çysh me i besu BDI-së? Pse nuk u bënë bashkë për të ndërpre skenarin e vitit të kaluar në Kumanovë, sikurse u bënë bashkë për kryqin në Butel. E dimë shumë mirë pse! Sepse atëherë Gruevski nuk ju ka dhënë leje të bëhen bashkë, kurse tani u ka dhënë leje. Kjo është shumë e qartë”, thotë ai për “Lajm”, duke na lutur tymos ja përmendim emrin, sepse mund të ju “hakmerren në burg” pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës.
Mirëpo nuk është në pyetje vetëm rasti i Kumanovës, që hedh dyshime mbi sinqeritetin e BDI-së për të protestuar në Butel. Ka edhe shumë raste tjera ku shqiptarët kanë pësuar, kurse BDI nuk ka protestuar. Madje edhe ka kërkuar që të mos protestohet, siç është rasti “Monstra”.
“Kanë pas kërkuar të mos protestohet. Nuk e di çka të komentoj. Është bë bajat, çka do që të folish është bë pa kuptim. Jo që nuk po më pengon dominimi i kryqit edhe neve na provokon, ne nuk jemi kundër besimit të bashkëqytetarëve tanë. Mirëpo nëse e vendos këtë punë në kantar, Monstrën me kryqin, çdo njeri i ndershëm, i moralshëm dhe atdhetar shqiptar, do të dinte ta dallonte këtë punë. Është e qartë se kujt do të duhej t’i jepej përparësi – kryqit, apo dënimit të 6 shqiptarëve me burg të përjetshëm. Edhe kryqi edhe Monstra janë bë tepër të njëjtat përfitime, që të njollosen shqiptarët. Ne rastësisht jemi viktima, por janë njollosur shqiptarët. Mua si familjar nuk më kanë njollosur as më pak e as më shumë se Ali Ahmetin, ose ndonjë tjetër politikan shqiptarë. Sikur do të ja vendosshin dorën këtij rasti, nuk do të ndodhnin raste tjera. Për këtë arsye rastet e njëjta do të na pësëriten edhe në të ardhmen. Unë nuk jam politikan dhe nuk dua të bëj vlerësime politike, mirëpo disa gjëra vërehen qartë”, deklaron për “Lajm”, Bedri Hajdari, nga Këshilli protestues kundër rastit “Monstra”.
Dyshimet e tij i shton edhe sjellja e policisë ndaj protestuesve kundër “Monstrës” dhe protestuesve të BDI-së.
“Pse nuk po përdoren në protestën e Buteli shok bombat, plumbat e gomës, siç u përdorën në rastin kundër Monstrës. Protestat kundër Monstrës nuk ka qenë më e dhunshme se këto kundër kryqit. Pse policia atëherë reagoj, kurse tani nuk reagon, pse nuk po i dënon këto me nga tre vjet burg, sikurse që i dënoi protestuesit kundër rastit “Monstra”. Si do të ndjeheshin nëse përdoren këto mjete që i votuan vetë deputetët e BDI-së. Të mos dalë se unë jam egoist dhe po flas vetëm për rastin tim. Pse BDI nuk protestoi kundër rastit të Sopotit. A nuk ishte ky rast që duhej të protestohej”, pyet Hajdari.
Hiç më pak nuk është e dyshimtë edhe heshtja e BDI-së karshi fabrikës “Jugohrom”
“Për fat te keq përballemi me faktin se kemi te bëjmë me një subjekt totalisht te paaftë dhe impotent për te zgjidhur problemin katastrofal të ndotjes së 200,000 qytetarëve të Tetovës. Si pjesë e Qeverisë, në vend që të angazhohet për një mirëqenie të qytetarëve, ata na shpifin probleme të paqena, keqpërdorin simbolet etnike e fetare për ta defokusuar opinionin nga problemet e përditshme dhe paaftësinë e tyre për ti zgjidhur ato! Për fat te mire qytetaret i lexojnë këto inskenime e skenarë dhe çdo dite e me shume i injorojnë”, theksoi për “Lajm” aktivisti i njohur i shoqërisë civile, Arianit Xhaferi.
Paralelisht me reagimet, të premten vazhdonte të komplikohet “skenari” te kryqi në Butel, që shumëkush tani e quan me epitetin “Kryqi i Ali Ahmetit” ose “Kryqi i BDI-së”. të premten pasdite përmes rrjeteve sociale ishte paralajmëruar protestë e maqedonasve, prandaj policia shtoi masat e sigurisë, kurse për disa shkolla u informua se kanë lëshuar nxënësit nga shkolla para përfundimit të orarit./Almakos