Kryeministri austriak Werner Faymann tha se ka kaluar koha kur ky vend i pranonte refugjatët dhe se të gjitha rrugët që shpien në Austri do të mbyllen, raporton Anadolu Agency (AA).
Faymann foli para anëtarëve të Senatit austriak dhe me këtë rast i ka vlerësuar si të pabaza kritikat ndaj politikave qeveritare, sa i përket krizës së refugjatëve.
Duke shprehur vendosmërinë e qeverisë së Vjenës në zbatimin e politikës së re të refugjatëve, që synon zvogëlimin e numrit të emigrantëve, Faymann tha se Austria nuk do të pranojë më askënd.
Faymann pohon se nuk mund të ndërlidhen drejtpërdrejtë vlerat themelore evropiane me çështjet e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe regjimit pa viza.
“Nuk do të jetë e mundur që disa t’iu kthejnë fqinjëve të tyre atë që vet nuk e pranojnë. Arritja e marrëveshjes midis BE-së dhe Turqisë rreth çështjes së krizës së refugjatëve u imponua si akt i domosdoshëm. Nëse nuk arrihet marrëveshje me Turqinë, atëherë duhet të zgjidhnim çështjen e mbi një milion refugjatëve në Greqi”, tha Faymann.
Duke kujtuar se Austria deri më tani ka pranuar 37 mijë e 500 refugjatë dhe kështu ka përmbushur pritjet nga aspekti moral, Faymann, tha se në Evropë tani do të ishin pranuar rreth dy milion refugjatë nëse vendet tjera evropiane do të vepronin siç ka bërë Austria.
Me zbatimin e masave shtesë në kufi, Austria më 19 shkurt ka aplikuar masat me të cilat në vend mund të hynë deri në 80 refugjatë. Ky veprim shkaktoi kritika të ashpra nga organizatat ndërkombëtare të cilat akuzojnë Austrinë për shkelje të normave ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare.