Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Qytetarinë, Dimitris Avramopoulos do të udhëtojë drejt Tiranës të enjten në mbrëmje. Vizita e tij vjen në një moment kyç të krizës së refugjatëve në Bashkimin Europian, pas mbylljes së rrugës së Ballkanit dhe ngjarjeve dramatike në Idomeni.
Sipas medias greke “Kathimerini”, Komisioneri Avramopolos do t’i kërkojë Kryeministrit shqiptar që të strehojë një numër të caktuar refugjatësh sirianë. Por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Europian.
Natasha Bertaud – Zëdhënëse e KE -së: “Komisioneri është në kontakt të rregullt me vendet fqinje dhe i gatshëm të ndihmojë vendet që mund të përballen me një barrë të papritur të krizës së refugjatëve, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Shqipëria është një partner kyç në luftën kundër terrorizmit dhe trafikun të paligjshëm të armëve. Këto janë çështjet që do të diskutohen gjatë vizitës së komisionerit në Shqipëri”.
Italia ka kërkuar që rruga e mundshme e kalimit të refugjatëve nga Shqipëria të mos konsiderohet si një çështje bilaterale midis Shqipërisë dhe Italisë, por si çështje europiane.
Gjatë vizitës në, Tiranë Avramopulos do takohet me edhe me Presidentin e Republikës, Ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm, njofton TvKlan.