Pse martesa?

Pse martesa?

Falenderimi i takon All-llahut, subhanehu ve teala, që dërgoi Muhamedin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, të na e mësojë fenë e vetme të pranuar tek All-llahu, xhel-le shanuhu, të na e mësojë Islamin, që të gjykojmë sipas tij. Fe që, si e zbritur në përputhshmëri të plotë me natyrën e njeriut, rregullon dhe udhëheq me sistemin jetësor të njeriut, fe që cakton rregullat dhe ligjet që nga rregullimi shoqëror njerëzorë e gjer tek imtësirat e përditshmërisë sonë. Sigurisht se këtu bën pjesë edhe një hap tejet i rendësishëm i besimtarit dhe besimtares në këtë Botë, e kjo është martesa, për të cilën All-llahu, xhel-le shanuhu, në suren En-Nur thotë: “Dhe martoni të pamartuarat … “, e i Dërguari na ka folur në shumë hadithe të tij, e për të cilën, do të tregojmë disa nga çështjet dhe rregullat e saj.
Feja islame e pranon dhe e deklaron prirjen e fuqishme reciproke të burrit dhe gruas ndaj njëri tjetrit. Kjo prirje që rrjedh nga fitreja (natyra) njerëzore, në vehte ka shumë të mira si zhvillimi i brezit njerëzor dhe zhvillimi i Botës. Nuk mund të mendohet që një njeri normal t’i shmanget kësa prirjeje, Një nga shokët e të dërguarit, Sad b. Vekkasi thotë: “Osman b. Mazumi kishte kërkuar leje nga i Dërguari për të hequr dorë nga bota dhe gruaja, por i Dërguari nuk i kishte dhënë. Po ta kishte lejuar edhe ne vetë do të tredheshim” (Buhari). Megjithatë, sipas pikëpamjes Islame prirjet për marrëdhënie intime, tërheqësia dhe mendimet që kanë burri dhe gruaja për njëri tjetrin, nuk janë diçka e turpshme, e keqe dhe e shëmtuar, sigurisht nëse kanalizohen në suazat e hallallit. Konteksti musliman e pranon njeriun ashtu siç është i krijuar, bashkë me domosdoshmëritë, nevojat dhe detyrimet e krijimit, nuk pretendon ta bëjë engjull duke e shmangur prej këtyre gjërave, ndërkohë që nuk e ul në nivelin e kafshës duke ia zhvlerësuar nevojat e detyrueshme, ndërsa e drejton në synimin për t’u lartësuar tek All-llahu. Për këtë veçori tërheqin vëmendjen porositë e të Dërguarit ku ai, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “… nga të mirat e kësaj bote më e bekuara është një grua e mirë” (Muslimi). Ligjësimi i martesës nga ana e Islamit njëherit nënkupton edhe urdhërimin dhe nxitjen e saj, prandaj besimtarit i ndalohet asketizmi sa i përket martesës, pra të rrijë beqar me qëllim që t’i kushtojë rendësi ibadetit dhe afrimit tek All-llahu, xhel-le shanuhu, nëqoftë se ka mundësi martese, me që siç pamë kjo është në kundërshtim me natyrën me të cilën All-llahu i Lartësuar e krijoi njeriun. Transmeton Bejhekiu se Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thenë: “Me të vërtetë All-llahu në vend të murgërisë na ka dhuruar fenë e drejtë (të natyrshme) e të lartë Islame”, apo edhe thotë: “Kush ka mundësi që të martohet e s’martohet, ai s’është i yni”(Taberaniu, Bejhekiu). E vërtetë, këto fjalë të bazuara në kuptimin e natyrës së vërtetë të njeriut e që i përgjigjen dëshirave dhe pasioneve të tij, bëjnë që asnjë person të mos e kapërcejë kufirin e sjelljeve në shoqëri dhe të mos marrë rrugën e devijuar që është në kundërshtim me instiktin e tij, por ta ndjekë sistemin burrimor dhe të drejtë që ia jep besimtarit Islami. Lidhur me këtë tregohet ky hadith i njohur: “Një grup prej tre vetash erdhën te Pejgamberi, alejhis-selam, që të pyesin për ibadetin e tij. Kur morën vesht ata thane: sa pak! Njëri prej tyre tha: “Unë falem natën pandërprerë”. I dyti tha: “Unë agjëroj tërë jetën”. i treti tha: “Unë s’martohem asnjëherë”. Kur erdhi i Dërguari, alejhis-selam, tha: “Ju jeni ata që keni thenë kështu? Vall-llahi, me të vërtetë unë i frikësohem më tepër Zotit dhe jam më i devotshëm se ju, por ndonjëherë agjëroj e ndonjëherë jo, natën falem dhe flej, edhe martohem. Ai që i largohet rrugës sime, s’është i yni! “(Buhari, Muslim).
Kjo ishte për ata njerëz që nga devotshmëria dhe friga se martesa do t’ua zvogëlojë pak, e jo se do t’ua ndal tërësht ibadetin, nuk duan të martohen, e mos të bëjmë fjalë për ata që këtë e bëjnë nga epshi i tyre, që i largohen martesës për shkak se i plotësojnë nevojat e tyre në mënyra të ndaluara duke ndërruar partneret një pas një dhe duke planifikuar që kur të arrijnë moshën e pleqërisë të martohen ashtu që të kenë një djalë që t’i ruajë, e jo që të mos i kalojnë kufijtë e All-llahut, subhanehu ve teala, edhepse planet e tyre nuk dalin ashtu si i bëjnë.
Ja disa nga rreziqet e shumta si pasojë e mosmartesës;
1- rreziku trupor dhe shëndetësor. Mosmartesa shpie gjer tek prostitucioni dhe sëmundjet ngjitëse vdekjeprurëse si: sida, sifilizi, gonorea, papiloma e njeriut, sëmundja e adoleshencës së hershme etj.
2- rreziku moralo-shpirtëror. Si rrjedhojë e mosmartesës paraqiten devijime të rënda morale dhe shpirtërore. Kështu kemi prostitucionin, pastaj homoseksualizmin, pedofilizmin e shumë të tjera të këtij rangu, e tek këta persona shtohet harresa, bie interesimi i tij për aspekte tjera të jetës (ai është indiferent ndaj tyre), ai bëhet barrë dhe fatkeqësi e shoqërisë. Kështu kemi paraqitjen e disa dukurive si: rini rrugaçe, huligane e dhënë pas epsheve, gjeneratë e ngatëruar dhe e sëmurë në trup, moral, mendje dhe shpirt, tregtues pasionesh e instiktesh që merren me shitjen e femrave në shtëpitë publike, lokale të natës ku femrat zvishen pa fije turpi para meshkujve, libra erotikë, revista pornografike, filma të fëlliqur, grupe hipikësh që u ngjasojnë shtazëve etj. Ndaj jo rastësisht ish kryetari sovjetik Nikita Hrushçov më 1962 deklaroi haptazi se ardhmëria e Rusisë është në rrezik, se rinia ruse nuk e ka të sigurtë ardhmërinë për shkak se është fundosur në amoralitet dhe e dhënë pas pasioneve të shfrenuara si shkak i mosmartesës. Në të njejtën kohë ish presidenti amerikan Xhon Kenedi e deklaroi të njëjtën për rininë amerikane, duke e emëruar kështu: “rini e cila nuk martohej e kështu çonte një jetë të çrregulluar, e paaftë dhe e pandërgjegjshme ndaj shoqërisë”. Francezëve të mundur në Luftën e Dytë Botërore, marshali Peten ua tërhoqi vërejtjen kështu: “O miq ne na shkatërroi dëfrimi! “. Pastaj vazhdoi: “Shqyrtoni mire gabimet tuaja dhe do t’i gjeni më të rënda. Ju s’deshët fëmijë, e braktisët jetën familjare. i shqelmuat vlerat e larta shpirtërore. Kudo kërkuat epshin…” Ndaj historia tregon se popujt kanë kërkuar rrugëzgjidhje për t’i çuar të rinjtë në martesë me qëllim që të mundin të vazhdojnë ekzistencën dhe bashkësinë e tyre. Në perandorinë romake institucioni i familjes qe tronditur nga përhapja e madhe e jetës beqare e të lirë. Për këtë shkak, sipas ligjeve që nxorri perandori Oktavijan Augusti, çdokush ishte i detyruar të martohej sipas mundësive të veta dhe të martuarit që të bënin fëmijë. Kush nuk vepronte në përputhje me këto urdhëra u nënshtrohej pasojave serioze e të rënda.
3- rreziqet tjera shoqërore. Këto rreziqe kërcënojnë familjen, kërcënojnë të ardhmen e foshnjave dhe fëmijëve të tjerë, shkaktojnë prishjen e jetës bashkëshortore, ndërprejnë lidhjet familjare.
4- rreziku ekonomik. Njerëzit e pamartuar dhe të dhënë pa epsheve shkaktojnë rënien e ekonomisë së popullit, edhe atë: për shkak të dobësimit të forcave punuese, të uljes së prodhimtarisë dhe përdorimit të mjeteve të paligjshme.
5- rreziku fetar në këtë dhe në botën tjetër. Tekefundit, i pamartuari, ai që don të ngel beqar, dhe jo i devotshëm cilësohet me katër veti që na i ka treguar Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i cili thotë: “Ruhuni nga prostitucioni se ai përmban katër veti të këqija: ua nxin fytyrën, ua ndal rrizkun, e hidhëron All-llahun dhe shkakton dënim të përhershëm në Xhehenem” (Taberaniu). E rreziku fetar te personi që bën prostitucion është se atij i largohet besimi dhe se i dyfishohet dënimi në Ditën e Kijametit, siç na ka treguar i dërguari i cili thotë: “Ai që bën zina, nuk është besimtar në kohën kur bën zina”. (Buhari, Muslim).
Këto ishin disa nga rreziqet më të njohura, që vijnë nga murgëria dhe beqaria, që dëmtojnë shëndetin, familjen, moralin, shpirtin ekonominë, shoqërinë dhe fenë…
E atëherë cila është rruga për përballimin e gjithë këtyre? Padyshim kjo rrugë është martesa e hershme, sepse kur i riu të shoh se rruga është e mbyllur për amoralitet dhe janë fshirë shenjat e saj, atëherë do ta kuptojë se s’ka rrugëdalje tjetër për kënaqjen e epshit përveç me anë të martesës legjitime, të cilën e ka ligjësuar All-llahu, subhanehu ve teala, dhe e ka nxitur feja Islame, duke qenë martesa e heshme një prej ligjeve Islame siç thotë Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, për të rinjtë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi për martesë le të martohet…! ” (El-Xhema-ah) Gjithashtu edhe Kur’ani i Madhërishëm e urdhëron Martesën. Thotë All-llahu, xhel-le shanuhu, “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit)…”. Ky urdhër në përputhje me gjendjen dhe nevojën për martesë të personit, shkallëzohet nga farzi e mëposhtë. (prej farz, vaxhib në synnet etj. sh.r.) E në porositë tjera të të Dërguarit thuhet kështu: “Me Martesën personat kanë plotësuar gjysmën e besimit, ndërsa gjysma tjetër është respekti ndaj All-llahut. ” apo “Martohuni që të shtoheni, se unë do të mburrem me ju para popujve tjerë. “(Bejhekiu, Abdurrezaku) Të tregojmë edhe se martesa dhe lindja e fëmijëve ka qenë edhe në traditën e pejgamberëve, siç na tregon i Dërguari: “Katër gjëra janë prej punëve të pejgamberëve: kënaja, parfumi, misvaku dhe martesa” (Tirmidhiu) Dhe vërtetë të gjithë të Dërguarit janë martuar dhe kanë pasur familje, përfshirë këtu edhe Muhamedin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, përveç Isait, alejhis-selam, i cili nuk është martuar, por kur do të kthehet në Tokë edhe ai do ta plotësojë këtë sunnet të pejgamberëve.
Ndërkaq martesa ofron shumë përparësi dhe dobi, edhe atë;
1- shtimin, e me këtë edhe ruajtjen e gjinisë njerëzore. Thotë All-llahu, xhel-le shanuhu, në Kur’an: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. “(En-Nisa, 1), dhe në Kur’an e gjejmë edhe këtë: “All-llahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja fëmijë e nipa. “(En-Nahl, 72).
2- ruajtjen e familjes.
3- shpëtimin e shoqërisë nga prishja e moralit.
4- ndihmën e bashkëshortëve për formimin e familjes. Me anë të martesës bashkëshortët ndihmohen në formimin e familjes, në edukimin e fëmijëve, në punët e përditshme gjatë jetës, ku secili plotëson punën e tjetrit dhe secili i kryen obligimet që i ka ndaj bashkëshortit, për të cilat do të flasim inshaall-llah.
5- Në shërimin e shoqërisë nga sëmundjet e ndryshme të cilët i përmendëm.
6-në nxitjen e dashurisë prindërore. Me anë të martesës lind dashuria e madhe e prindërve ndaj fëmjëve të tyre. Kjo shihet qartë në ndikimin e madh që ka dashuria e prindërve te fëmijët dhe në sukseset gjatë përkujdesjes, edukimit, shkollimit, ruajtjes së ineresave të tyre si dhe në përpjekjet e tyre për një jetë më të mirë dhe ardhmëri me perspektive.
7- qetësimi shpirtëror i bashkëshortëve me njëri tjetrin. Vërtetë, burri pas kryerjes së detyrave të rënda të përditshme, kthehet në gjirin familjar dhe bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët i harron vështirësitë gjatë ditës, duke akumuluar energji për sfidat e së nesërmes, e posaçërisht vlen të përmendet prehja shpirtërore që gruaja e gjen tek burri i saj. Për këtë All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë: “… ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për to…”(El-Bekare, 187) , dhe thotë: “Edhe një argument tjetër i tij është se Ai, nga lloji juaj krijon bashkëshorte që të gjeni prehje pranë tyre dhe ndërmjet jush mbjell dashuri dhe mëshirë. Ky me të vërtetë është argument për njerëzit që meditojnë”(Er-Rum, 21)
Ferihane Qamili
Literatura:
1. Kur’ani fisnik
2. Ahmed Mehmedoviç, “Tako je govorio Muhammed(s. a. v. s)Resulullah”(zbirka hadisa), Tuzla, 1991.
3. Abdullah Nasih Ulvan, “Rregullat e fejesës e të Martesës”, Tetovë, 1999
4. Prof. Dr. Bekir Topaloglu, “Islamda Kadin”, Maramra Universitesi/Ilahiyat Fakultesi, Istanbul, 1995
5. Doc. Dr. Shefik Kurdiq, “Martesa dhe marrëdhëniet intime në Islam”, Prishtinë, 2004
6. Imam Neveviu, “Rijadus-Salihin” (përmbledhje hadithesh, version i shkurtuar), Prizren, 2000.
7. Numra të ndryshëm të albislam-it.

Artikulli paraprakSi ti ftojmë fëmijët tanë në Islam?
Artikulli vijuesKëshillë Bashkëshortëve