Një delegacion i Komunës së Gostivarit bëri homazhe në vendprehjen e dëshmorëve të flamurit

Një delegacion i Komunës së Gostivarit i drejtuar nga kryetari Nevzat Bejta dhe kryetari i Këshillit Komunal Nasir Musliu, sot në 19 vjetorit e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut të vitit 1997, bënë homazhe në vendprehjen e dëshmorëve të flamurit kombëtar, Shpend Iseini dhe Nazmi Saliu.

Fillimisht, delegacioni qëndroi në fshatin Turçan të Vogël ku bashkë me familjaret dhe bashkëfshatarët vendosën lule të freskëta mbi varrin e dëshmorit Nazmi Saliu.

Delegacioni i Komunës së Gostivarit homazhet i vazhdoi në fshatin Forinë tek vendprehja e dëshmorit Shpend Iseini.

Në shoqëri të familjarëve dhe banorëve vendas, kryetari Nevzat Bejta u shpreh që përkujtimi i dëshmorëve të 9 Korrikut mbetet obligim institucional i Komunës së Gostivarit, nga shkaku se dëshmorët flijuan jetën e tyre për të mbrojtur flamurin kombëtar i cili tani pas 19 vitesh qëndron para objektit të Komunës së Gostivarit, pikërisht në vendin ku në vitin 1997 shteti e largoi në mënyrë të dhunshme.

Të pranishëm në homazhe ishin edhe ministri Valdet Xhaferi, deputeti Jamin Sinani, këshilltarë komunal, si dhe drejtues institucionesh në nivel lokal dhe qendror.

Artikulli paraprakSulm terrorist nga PKK-ja në Mardin të Turqisë
Artikulli vijuesGostivari përkujton 19 vjetorin e protestave të përgjakshme të vitit 1997