Tiranë: Dje u sulmua një vajzë për shkak të shamisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në një stacion autobuzi në Rrugën Bardhyl në Tiranë, ku një vajzë me shami është goditur krejt papritmas me grusht në fytyrë nga një grua, e cila ka ulëritur me të madhe fjalët: “Ju jeni terrorista!”
Vajza, por edhe familjarët që ishin me të, kanë mbetur të shokuar nga ky veprim i beftë dhe i paprecedent. Vajza me shami, me inicialet E.C, e sapoardhur për pushime në vendlindjen e saj, është ende nën efektin e shokut, por thotë se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të bëhej viktimë e një rasti të tillë Islamofobie të dhunshme, aq më tepër në vendin e vet.

Faqja World Hijab Day – Albania ka shkruar sot edhe këtë shkrim duke potencuar disa gjëra mbi Islamofobinë:

Rasti i dhunshëm i Islamofobisë ndaj një vajze me shami, që u denoncua mbrëmë në faqen tonë, është i paprecedent. Ky është një rast ekstrem, i pandodhur më parë, ose të paktën i padenoncuar publikisht.
Tashmë, në vëmendjen tonë si gra të mbuluara, na vihet edhe një problematikë të cilën s’e kishim menduar ta adresonim më parë: sulmi fizik.
Në gjykimin tonë, në rrethanat e krijuara, 4 janë gjërat që duhen marrë në konsideratë:
1. Ky rast mund të jetë i izoluar. Personi që ka ushtruar dhunë mund të ketë probleme mendore dhe mund të mos jetë islamofob i vetëdijshëm.
2. Raste të tilla mund të ketë edhe në vazhdim, por ne kurrsesi nuk duhet të lejojmë të bëhemi kategori vulnerabël ndaj dhunës dhe Islamofobisë.
3. Përveçse në rastet ekstreme të dhunës, situatat e tjera kur lumë fjalësh vërshohen mbi ne, ne mund dhe duhet t’i shfrytëzojmë si mundësi për t’u vërtetuar njerëzve të kundërtën e gjërave që na thonë, me fjalët e sjelljen tonë. Në situata të tilla, në vend që të na vijë keq për veten e të bëjmë viktimën, do të ishte më e përshtatshme të na vijë keq për tjetrin e për urrejtjen e mllefin që ai mbart brenda vetes.
4. Në raste të caktuara, ekziston mundësia që ngjarje islamofobike të simulohen e të përdoren si provokime.
Vajza, kini kujdes e mos bini pre e provokimeve, por në varësi të vlerësimit që i bëni situatës, ose menaxhojeni me vetëkontroll e dinjitet, ose denonconi!
Dikush mund të na dojë të frikësuara, sepse ashtu mund të jemi më të rrezikshme. Të rrezikshme jo për të tjerët, por për veten tonë, për shkak se në një gjendje të frikësuar, njeriu është shumë herë më i prirur që të heqë dorë nga vetë liria e tij.
Në fund, ju bëjmë thirrje të gjithëve që të rikthejmë në fokus prioritetet tona, të ringjallim modelin e mirë e sjelljen e drejtë, si dhe të vetëdijësohemi për faktin se të jesh besimtar i Zotit sot në këtë kohë të djallit është vërtet sprovë, por mbi të gjitha është bekim!
‪#‎WHDA‬

Edhe në Kosovë kohëve të fundit ka pasur raste të sulmeve ndaj femrave me shami, na ndihmoni nëse keni kësi raste për ti denoncuar.

Artikulli paraprakBesimtare të Paragjykuara: Ç’u tha e ç’nuk u tha
Artikulli vijuesÇka e ushqen ekstremizmin dhe kush përfiton më së shumti prej tij?