Në prag të festës së madhe muslimane, Kurban Bajramit, pas një angazhimi të Këshillit të pajtimit të gjaqeve në rajonin e komunës së Strugës dhe me mirëkuptimin e familjeve dhe familjarëve të dy familjeve të hasmëruara, është arritur mirëkuptim i plotë dhe sot është shtrirë dora e pajtimit, shkruan “Strugaekspres“.
Pajtimi është bërë ndërmjet familjes së Lazam Bojkut nga Veleshta dhe familjes së Sevdi Kupës po ashtu nga Veleshta, me ç’rast, Lazam Bojku, ka falur gjakun e djalit, të vrarë në vitin 2000, që ka ndodhur nga pjesëtari i familjes së Sevdi Kupës.
Gjatë periudhës së kaluar, Këshilli i pajtimit në përbërje: Lebit Murtishi, Abdulkadri Sheji, Ferat Polisi, Nasih Shehu, Adi Murtishi dhe Arben Jusufi, pasi kanë kontaktuar dhe biseduar me të dy familjet, atë të Lazam Bojkut, në prani edhe të: Shefki Bojkut, Argëtim Bojkut, Ferat Bojkut, Enis Bojkut, Skender Bojkut, Ramadan Qyrës, Ismet Qyrës, Dilaver Bojkut dhe Sabit Qyrës nga njëra anë, dhe Sevdi Kupës i shoqëruar nga Destan Kupa, Qani Kupa, Baki Kupa, Ali Kupa, Agron Kupa, Emin Kupa, Femi Kupa, Bestar Kupa, Nafi Kupa, Sefer Kupa dhe Vait Kupa, kanë arritur pajtueshmëri të plotë, për faljen e gjakut nga ana e familjes së Lazam Bojkut, familjes së Sevdi Kupës.
Njoftimi për faljen e gjakut të birit nga Lazam Bojku, Sevdi Kupës, u bë i ditur edhe pas namazit të xhumasë në xhaminë e Veleshtës, që hasi në miratim të plotë nga xhemati, duke uruar mbarësi dhe mirëqenie të dy familjeve veleshtare.