Kosova realizon thirrjen e parë me kodin +383
PostTelekomi i Kosovës ka realizuar të enjten, thirrjen e parë telefonike me kodin +383, duke vlerësuar atë si hapin e parë drejt zbatimit të marrëveshjes për telekomunikacionin të arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa tha se zbatimi i marrëveshjes së kodit shtetëror, bën identifikimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
“Të gjithë e dimë që kemi tre kode në shfrytëzim, 377, 381 dhe 386. Me zbatimin e kodit të rigradualisht do të vjen deri tek eliminimi i kodeve tjera, për çka sot dua të jap një premtim publik që deri në fund të këtij viti kodi 381 për Kosovën nuk do të ekzistojë më”, tha Mustafa.
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë theksuar në dhjetor të vitit të kaluar se pas më shumë se 5 vjet bisedimesh Kosova është bërë më Kodin e saj telefonik, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacionin. Marrëveshja u arrit në fund të vitit të kaluar, ndërkohë që kryeministri Isa Mustafa e cilësoi si një të arritur të rëndësishme sepse “me ndarjen e kodit telefonik ndërkombëtar forcohet sovraniteti dhe subjektiviteti i shtetit”.
Kodi +383 është thënë se me fillimin e zbatimit do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës, ndërsa kodet aktuale që përdoren nga operatorët do të përdoren në mënyrë paralele për një kohë deri në zbatimin e plotë të kodit +383, në mënyrë që qytetarët të mos kenë pengesa në pranimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse.
Ky proces, siç kanë deklaruar kohë më parë autoritetet e Kosovës, do të marrë kohë nga një deri në dy vjet.