Albin Kurti vlerëson se ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë është një padrejtësi, në kushtet kur ish-Kryeministri i Kosovës është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës.
Por Kurti hedh dyshime se pas zvarritjes së proçesit për lirimin e tij qëndron një skenar tjetër që nuk ka të bëjë thjeshtë me aktakuzat e Serbisë.
Sipas Kurtit, ndalja e Haradinajt në Francë është padrejtësi e madhe dhe e dyfishtë pasi lufta çlirimtare e UÇK ishte luftë e drejtë dhe zoti Hardinaj ka qenë në Hagë për të njëjtat akuza.
“Padrejtësi e dyfishtë se po zvarritet një proces që të bëhet trysni. Mbase dikush shpreson që ai të ndryshojë mendje sa i takon Zajednicës dhe Demarkacionit, dy temave kryesore në Kosovë. Demarkacioni me Malin e Zi është ndryshim kufiri, rrjedhimisht i papranueshëm. Nuk kemi tokë për të falur, janë 8200 hektarë dhe kufiri duhet të jetë tek qafa e Qakorrit, kulla e Zhlepit”, ka thënë Kurti.