Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë se Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, do të ratifikohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Pas konferencës “Bizneset promotor i zhvillimit” që u organizua nga Agjencia Kosovare për Përkrahje të Ndërmarrësisë dhe Investimeve – KIESA, shtoi se vonimi në ratifikimin e demarkacionit, na e shtyn liberalizimin e vizave.
“Ratifikimi s’duhet të dështojë bëhet fjalë për shtetin. Asnjë shtet nuk ka paraqitur problem dhe ne do ta bëjmë. E vetmja gjë që vetëm mund të ketë vonesë rreth liberalizimit të vizave. Nuk jemi të interesuar që të prolongohet liberalizimi i vizave”, ka deklaruar Mustafa, në një intervistë për Klan Kosova.
Mustafa nuk e ka thënë me saktësi se kur do të dërgohet për ratifikim në Kuvend kjo marrëveshje, mirëpo përmendi disa procedura paraprake deri te votimi nga përfaqësuesit e popullit.
“Do të diskutojmë të premten në mbledhjen e qeverisë ku do të aprovojmë raportin e Komisionit për Matjen e Territorit. Pastaj do të merremi vesh me Kuvendin se si do të shkohet me procedurë”, ka deklaruar Mustafa.
Në anën tjetër, Opozita është zotuar se nëse marrëveshja sillet në Kuvend për ratifikim do të bëjë çdo gjë për ta penguar, duke mos përmendur format që do të përdoren.