Kosova është shembull se si praktikohet feja islame dhe të gjithë duhet të marrin mësim nga kosovarët në praktikimin e fesë, ka thënë, Mohammad bin Abdul Karim Al-Issa, sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, i cili bashkë me një delegacion nga Arabia Saudite po qëndron në Kosovën, njofton Klan Kosova.
“Jemi të kënaqur me këtë vizitë qëllimi i së cilës është rritja e bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe pikat ku mund të gjejnë pajtime. Jemi të kënaqur, po ashtu që jemi në një shtet mysliman modern që është shembull për mbarë botën për tolerancë dhe bashkëjetesë. Populli mysliman shqiptar është dëshmi e një shembulli modern që e pëlqen edhe Liga Araba dhe gjithë bota myslimane”, pohoi Al-Issa.
“Vizita është familjare dhe miqësore dhe jemi në dijeni për sakrifica e popullit shqiptar, i cili u ka rezistuar problemeve të mëdha dhe tani populli mysliman në Kosovë është shembull se si praktikohet feja”.
Al-Issa vizitoi edhe Bashkësinë Islame të Kosovës ku u mirëprit nga myftiu, Naim Tërnava, i cili i kërkoi mikut nga Arabia të lobojë për shtetin e Kosovës tek vendet myslimane që ende nuk na kanë njohur.
Al-Issa dhe delegacioni arab gjatë ditës do të zhvillojnë edhe një vizitë në Prizren, kurse ditët në vazhdim do të kenë takim me Presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe kryeministrin, Isa Mustafa, njofton Klan Kosova.