Sipas disa të dhënave në Kosovë në vitet e luftës 1998-99, janë rrënuar tërësisht ose pjesërisht 218 xhami. Kësaj shifre i ishte referuar edhe eksperti për arkitekturën islame në Universitetin e Harvardit András Riedlmayer, kur diplomacia kosovare bënte përpjekje që të lobonte për pranim në UNESCO. Siç e dini përpjekjet për anëtarësim dështuan. Një vit më vonë, është problematizuar çështja e një xhamie në Mitrovicë. Bëhet fjalë për Xhaminë e Ibrit, të cilën serbët e dogjën plot katër herë, e duke qenë të pakënaqur me faktin që minarja prapëseprapë qëndronte në këmbë, atë e rrënuan me ekskavator. Nga Kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri, vetëm pak muaj më parë, pat rrjedhur një deklaratë sipas së cilës, ndërtimi i xhamisë është i sigurt. ‹‹Xhamia e Ibrit do të ndërtohet. Rakiq t’i respektojë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës!››. Me gjasë, i frymëzuar prej kësaj deklarate, edhe Kryetari i pjesës jugore Agim Bahtiri ka dhënë premtime të forta. BI – e Mitrovicës, veç e ka dorëzuar kërkesën për fillimin e ndërtimit të xhamisë dhe kjo ka ndodhur në qershor të këtij viti. Megjithatë pas spekulimeve se BE– ka rekomanduar që në vend të xhamisë të ndërtohet një fushë tenisi, ka shpërthyer debati dhe akuzat në drejtim të delegacionit kosovar, pa e ndarë edhe kryetarin e pjesës jugore të Mitrovicës, nuk janë kursyer. Nexhmedin Spahiu ka qenë më i zëshmi dhe më i ashpri në këto përplasje mediatike. Nëse Xhamia e Ibrit nuk rikthehet si pjesë e procesit të rivitalizimit të Urës së Ibrit, një pjesë të fajit duhet ta bartë sipas tij edhe Bashkësia Islame e Kosovës.
Shikuar nga aspekti juridik xhamia ka legjitimitet të plotë, mendon juristi Ubejt Gashi. ‹‹Xhamia e Ibrit, ka qenë e ndërtuar në ngastrën kadastrale nr. 673, e cila evidentohet në emër të Bashkësisë së Vakëvit Mitrovicë. Gjithsejtë paluajtshmëria ka sipërfaqe prej 423 m 2. Objekti I Xhamisë ka qenë në sipërfaqe 144 m 2, kurse pjesa tjetër ka qenë oborr dhe objekte tjera përcjellëse me disa lokale afariste. Xhamia e ndërtuar në vitin 1778 është quajtur në popull ‹‹Xhamia e Ibrit››. Pra, baza juridike është në tërësi në rregull. Me siguri se ndërtimi varet nga faktorë tjerë. Mendoj se bisedat në Bruksel duhet të kushtëzohen më lejimin e ndërtimit të Xhamisë, e posaçërisht në vazhdimin e bisedave rreth Asociacionit duhet të përfshinë edhe marrëveshjen për ndërtimin e Xhamisë. Përndryshe, nuk ka asnjë pengesë juridike. Pengesat mund të jenë vetëm të natyrave tjera.›› – thotë ai. Por rëndësia e saj, nuk ndërlidhet vetëm me nevojën e besimtarëve për një vend faljeje, përtej kësaj, objekti ka edhe një rëndësi kulturore e historike, këmbëngulin Gashi e Spahiu. Organizata joqeveritare ‘Tjetërqysh’ që vepron në qytetin e Mitrovicës, i është bashkangjitur këtij karvani, duke ua kujtuar zyrtarëve shtetëror në nivel lokal e qendror, premtimet që i kishin dhënë për sa i përket rindërtimit të xhamisë.
Ish Lideri i Shqiptarëve të Veriut Adem Mripa, kishte qenë vet dëshmitar i aktit të rrënimit të xhamisë. Dëshmitarë të tjerë, sipas tij, kanë thënë se para se xhamia të digjej, forcat paramilitare serbe i kishin ngujuar disa banorë shqiptarë brenda xhamisë, për t’i djegur më vonë për së gjalli. Ai vet posedon disa fotografi, si dëshmi të rralla, kur asaj i ishte vënë flaka. Argumenton se në pjesën veriore është ndërtuar kisha për ortodoksët serb, pa çka që nuk ka pasur para luftës, ndërsa për muslimanët shqiptarë, boshnjakë e turq të pjesës veriore, nuk është realizuar kjo e drejtë. ‹‹ Shqiptarët si minoritet në pjesën veriore, janë anashkalu nga qeveritë e deritanishme…››, ilustron ai standardin e dyfishtë të politikave ndërkombëtare e vendore që janë aplikuar në Veriun e Mitrovicës. Ai megjithatë është i bindur që ndërtimi i Xhamisë, si pjesë e procesit të rivitalizimit të urës, mund të shtyhet, por nuk mund të pengohet rindërtimi i saj.
Sipas disa të dhënave në periudhën 98-99, qenë shkatërruar pjesërisht ose tërësisht 218. Xhamia e Ibrit është vetëm njëra prej tyre. Asaj i është vënë flaka plot 4 herë dhe në fund minarja e saj është shembur me ekskavator. Nëse nuk rindërtohet, a do të thotë që kjo xhami do të “digjet” për herë të pestë? Nëse po, kësaj radhe autorë nuk do të jenë paramilitarët serbë…/Gazetaere.com/