Pjesa e parë:
Ka ardhur koha për të krishterët dhe muslimanët që të bëjmë paqe ndërmjet komuniteteve tona. Të krishterët dhe muslimanët tashmë përbëjnë më shumë së gjysmën e popullsisë botërore dhe këto shifra pritet të rriten në dekadat në vijim. Sipas “Pew Research Center” deri më 2050, dy të tretat e njerëzimit, rreth 5.7 miliard njerëz do të jenë ose të krishterë ose musliman.
Planeti jonë thjeshtë nuk mund të përballoj edhe një shekull tjetër të dhunës dhe keqkuptimeve ndërmjet këtyre dy komuniteteve. Sfidat me të cilat ndeshemi si një familje globale humane janë të thella: luftërat e vazhdueshme dhe shtimi i shpejtë i armëve bërthamore, varfëria globale dhe pabarazia ekonomike, ndryshimet klimatike dhe degradimi ekologjik. Si do t’i menaxhoj njerëzimi këto kriza dhe të tjerat nëse dy komunitetet më të mëdha fetare janë të përfshira në konflikt të vazhdueshëm dhe keqkuptimi është definicioni i marrëdhënieve tona?
Sikur që teologu bashkëkohor, Hans Kung, ka argumentuar me dekada për atë se nuk do të ketë paqe ndërmjet popujve tonë pa paqe ndërmjet religjioneve tona. Tani është koha që të krishterët dhe muslimanët ta transformojnë mënyrën se si e shohin dhe se si krijojnë raporte me njëri tjetrin.
Në një blog të mëhershëm në Huffington Post, rreth problemit të islamofobisë krishtere, unë argumentoj se të krishterët kanë mundësinë ta transformojnë mënyrën se si e shohin islamin dhe muslimanët duke pranuar Muhamedin si “Shpirtin e së Vërtetës”.
Historikisht, shumica e teologëve të krishterë, duke përfshirë Gjonin e Damaskut, Tomas Akuinas, Dante, Nikolas Krebsin dhe Martin Luterin, e kanë parë Muhamedin jo si “Shpirtin e së Vërtetës” mirëpo si “Shpirtin e së Gabuarës”, si një profet të rrejshëm dhe heretik. Sot ka shumë të krishterë që e respektojnë traditën islame dhe nuk do të bënin kurrë deklarata të tilla ofenduese për Muhamedin. Sidoqoftë, shumica e të krishterëve akoma mbajnë qëndrim fundamentalisht islamofob kundrejt Muhamedit. Kështu që unë besoj që ka ardhur koha që të krishterët paqedashës ta kundërshtojnë direkt një qëndrim të tillë. Ndryshimi i perspektivës sonë mbi Muhamedin, ashtu që ne ta njohim atë si një profet të vërtetë në vend se ta diskreditojmë si profet të rrejshëm, do t’i mbronte të krishterët nga islamofobia dhe do t’i ndihmonte në ndërtimin e një paradigme të re të kooperimit në marrëdhëniet të krishterë-muslimanë.
Në fjalimin lamtumirës të Jezusit, në Ungjillin e Gjonit (kapitujt 14 deri në 16), Jezusi flet për ardhjen e “Shpritit të së Vërtetës” apo “Mbrojtësit” (në greqisht, parakletos). Për shekuj me radhë komentuesit musliman të Kuranit e kanë parë Muhamedin si “Mbrojtësin”, bazuar në kaptinën 61, verseti 6, në të cilin Jezusi predikon ardhjen e një profeti të ardhshëm të quajtur Ahmed: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Teuratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!”. Ahmed që është sinonim i emrit Muhamed është shumë afër nga ana etimologjike me fjalën greke, parakletos, dhe me gjasë Kurani pretendon se fjalimi lamtumirës i Jezusit në Ungjillin e Gjonit paralajmëron ardhjen e Muhamedit. Kundërshtimi i madh për aplikimin e këtyre predikimeve në profetin Muhamed apo ndonjë tjetër profet vjen pasi që të krishterët i lexojnë këto predikime si pjesë dhe pako të premtimit të Jezusit për dhuntinë e “Shpirtit të Shenjtë”.
Premtimi i Jezusit për “Shpirtin e Shenjtë” është pjesë thelbësore e besimit të krishterë dhe interpretimi im mbi Muhamedin si “Shpirt i së Vërtetës” e konfirmon këtë. Versetet në Gjon 14:16-17 dhe 14:26 qartësisht janë për premtimin e “Shpirtit të Shenjtë”: në Gjon 14:16-17, për Mbrojtësin apo “Shpirtin e së Vërtetës” flitet si për një prezencë të brendshme, të qëndrueshme, të padukshme dhe të përjetshme. Në shumicën e manuskripteve (dorëshkrimeve) ky Mbrojtës madje quhet direkt “Shpirt i Shenjtë” (Gjon 15:26-27). Mirëpo në vazhdimësinë e fjalimit lamtumirës të Jezusit, këta tituj bëhen multivalent (shumë kuptimesh) dhe në Gjon 15:26-27 dhe 16:7-15 më shumë i referohen një profeti të ardhshëm sesa “Shpirtit të Shenjtë”. Disa komentues muslimanë, të cilët e identifikojnë Muhamedin me titullin e Mbrojtësit, argumentojnë se ky titull nuk ka të bëjë fare me “Shpirtin e Shenjtë” dhe se teksti i Gjonit është ndryshuar në mënyrë që ta mjegulloj lidhjen e tij direkte me Muhamedin. Por unë besoj që titujt Mbrojtës dhe “Shpirti i së Vërtetës” janë përdorur në Ungjillin e Gjonit para së gjithash për të treguar rreth premtimit të “Shpirtit të Shenjtë” dhe nuk besoj që janë ndryshuar për të fshehur ndonjë gjë. Ky interpretim i Gjonit na hap neve drejt marrjes së Muhamedit si “Shpirt i së Vërtetës” në një mënyrë që konfirmon integritetin e traditës së krishterë. Mirëpo para se t’i sqaroj detajet e interpretimit tim, dëshiroj të flas me pak fjalë për pikturën e madhe të asaj se pse pikërisht Ungjilli i Gjonit na tregon neve që Jezusi paralajmëron ardhjen e një të dërguari të ardhshëm.
Pjesa e dytë:
Ungjilli i Gjonit është versioni i fundit kanonik i Ungjillit, ishte shkruar së paku një gjeneratë pas ungjijve sinoptikë dhe me gjasë dy apo më shumë gjenerata pas letrave të Palit. Autori i Ungjillit të Gjonit, shpesh i quajtur si dishepulli i dashur, pretendon të jetë dëshmitari i fundit i ringjalljes së Jezu Krishtit. Në një pasazh kah fundi i Ungjillit ai tregon storien e një takimi me Jezusin e ringjallur që e bëri atë dhe të tjerët të besojnë se ai do të jetoj dhe do ta përjetoj ardhjen e dytë të Jezusit.
Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte nxënësi të cilin Jezusi e donte [posaçërisht], ai që në kohën e Darkës e mbështeti kokën në parzmën e Jezusit dhe e pati pyetur: “Zotëri, kush është ai që do të të tradhtojë?” Kur Pjetri e vuri re këtë, i tha Jezusit: “Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?” Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë, ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!” Këndej edhe u hap ndër vëllezër fjala se ai nxënës nuk do të vdiste. E pra, Jezusi nuk tha “Nuk do të vdesë!”, por “‘Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë [ty ç’po të duhet?’]” Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. (Gjon 21:20-24 NRSV)
Ky pasazh na tregon që autori i Ungjillit të Gjonit është në një tjetër paradigmë nga autorët e Ungjijve të mëhershëm pasi që ky nuk ka akoma pritje për një ardhje të afërt të dytë të Jezusit. Sa për ilustrim, Pali i cili shkroi në dekadat menjëherë pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit besonte se Jezusi do të kthehet duke qenë gjallë shumica e njerëzve të cilëve iu predikonte. Autori i Ungjillit të Gjonit shikonte për një kuptim të ri të premtimit të Jezusit për “Shpirtin e së Vërtetës” apo Mbrojtësin pasi që ai e kuptonte se ai do të vdiste para kthimit të Jezusit. Kur Ungjilli i tij u publikua, me gjasë ai kaherë kishte ndërruar jetë dhe komuniteti i tij tashmë priste për një të ardhme me të largët dhe më komplekse nga ajo që fillimisht pritej.
Ungjilli i Gjonit luan rol të ngjashëm për Dhajtën e Re sikur që Ligji i Përtrirë është për Dhajtën e Vjetër. Ligji i Përtrirë është teksti i fundit i Teuratit (Dhjatës së Vjetër), ai ripërsërit Ligjin e Musaut si është treguar në katër librat e mëhershëm dhe sikurse Ungjilli i Gjonit, ai paralajmëron ardhjen e një profeti të ardhshëm:
Do të ngre ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty. Në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij. (Ligji i Përtrirë 18:18)
Të dyja, Ligji i Përtrirë dhe Ungjilli i Gjonit janë reflektimet në shpallje të veçanta, Teurat dhe Ungjill dhe që të dyja tregojnë që ka ende shpallje për të zbritur. Gjuha e Ungjillit të Gjonit mbi “Shpirtin e së Vërtetës” apo Mbrojtësin është çuditërisht e ngjashme me gjuhën e Ligjit të Përtrirë:
“ai nuk do të flas nga vetja e tij mirëpo ai do të flas çfarëdo që i kumtohet dhe do të ju njoftoj për gjërat(ndodhitë) që do të pasojnë” (Gjon 16:13, NRSV)
Sikurse Ligji i Përtrirë edhe Ungjilli i Gjonit hap rrugë për pritjen e shpalljes së ardhshme. Profecia e Gjonit nuk është edhe aq specifike saqë të aplikohet direkt për Muhamedin dhe vetëm për Muhamedin. Mirëpo me aq sa Kurani pretendon që Muhamedi është “Shpirti i së Vërtetës” apo Mbrojtësi që Jezusi e paralajmëroi shfaqet një opsion i fuqishëm interpretimi për të krishterët që ta pranojnë Muhamedin si një profet që Jezusi paralajmëron ardhjen e tij kur thotë:
Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni (përballoni)[1]. E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑ Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.” (Gjon 16:12-15)
Në këtë pasazh përshkrimi i Mbrojtësit apo “Shpirtit të së Vërtetës” është cilësisht i ndryshëm nga përshkrimet e mëhershme. Këtu e shohim “Shpirtin e së Vërtetës” që flet jo nëpërmes dishepujve mirëpo duke iu drejtuar atyre. Më herët, në Gjon 14:17 Jezusi thotë që “Shpirti i së Vërtetës” do të jetoj me pasuesit e tij dhe do të jetë në ta, përgjatë gjithë Ungjillit të Gjonit Shpirti i Shenjtë cilësohet si një prezencë e brendshme, që banon përbrenda. Përsëri, në 14:16 Jezusi thotë që Mbrojtësi do të “ju përkujtoj juve për gjithë atë që ua kam thënë”. Në këto pasazhe Jezusi flet për Shpirtin e Shenjtë i cili do t’i ndihmoj pasuesit e tij në kuptimin e asaj që ai ua kumtoi. Në thelb kjo do të duhet të ishte përvoja e dishepullit të dashur, autorit të Ungjillit të Gjonit i cili ishte udhëzuar nga prezenca e Shpirtit në kujtimin dhe interpretimin e fjalëve dhe veprave të Jezusit (gjë që ai e bën më shumë shpirtërisht sesa bukfalisht). Megjithatë në Gjon 16:12-15 Jezusi flet për “Shpirtin e së Vërtetës” i cili do të sjellë shpallje, që do të thotë shumë gjëra që Jezusi nuk ua tha pasuesve të tij pasi që ata “nuk mund t’i përballonin asokohe”.
Dallimi i qartë është në atë se “Shpirti i së Vërtetës” në Gjon 16 paralajmërohet të sjellë shpallje të re dhe jo thjeshtë të ju përkujtoj dishepujve të Jezusit atë çfarë ai u kishte thënë, si në Gjon 14. Ideja që ai do të “ju shpall (kumtoj) për gjërat(ndodhitë) që do të pasojnë(vijnë)” është veçanërisht e rëndësishme për faktin se pranon pasigurinë rreth së ardhmes që pasuesit e Jezusit e përjetuan duke pas parasysh që ai nuk u kthye ashtu siç ata kishin shpresuar. Jezusi pohon që ky profet i ardhshëm do ta lavdëroj atë duke sjellë shpalljen e re që do të vije nga i njëjti burim sikurse mesazhi i tij, nga Zoti. Ky diskurs është dizajnuar që t’i hap mendjet e të krishterëve për të pranuar shpalljen e re jo sikur diçka që e sfidon apo e përçmon Ungjillin mirëpo si diçka që e lavdëron Jezusin. Fatkeqësisht këto fjalë nga Ungjilli i Gjonit janë anashkaluar totalisht nga të krishterët të cilët e refuzojnë dhe e përçmojnë Kuranin. Ne në shumicën e rasteve e kemi injoruar plotësisht unitetin e Ungjillit me Kuranin në terma të asaj që vijnë nga i njëjti burim i shpalljes. Sidoqoftë, nëse i marrim fjalët e Jezusit seriozisht, ne kemi mundësinë të pranojmë fjalën e Zotit në Kuran në përputhje me premtimin e Jezusit se “Shpirti i së Vërtetës” “do të merr çfarë është e imja dhe do t’ua shpall juve.” Ne mund ta pranojmë Kuranin si shpallje jo duke kundërshtuar Ungjillin por në përputhje me Ungjillin dhe vullnetin e Jezusit.
Pjesa e tretë:
Në letrën e parë të Gjonit e cila është shkruar pas Ungjillit të Gjonit dhe është shumë e ngjashme me të, ne gjejmë një vazhdimësi të Ungjillit të Gjonit sa i përket stilit multivalent (shumë kuptimesh) të ligjërimit rreth shpirtit si diçka që lidhet me “Shpirtin e Shenjtë” si dhe me profetët të inspiruar nga “Shpirti i Shenjtë”.
Në 1 Gjon 3:24 dhe 1 Gjon 4:13, autori flet për dhuntinë e “Shpirtit të Shenjtë” dhe se si ai jeton në ndjekësit e Jezusit. Por në 1 Gjon 4:1-6, ndërmjet këtyre “përmendjeve” të “Shpirtit të Shenjtë”, autori flet gjerësisht për sprovimin e shpirtrave. Në këto versete, fjala “Shpirt” është përdorur për të treguar rreth profetëve dhe për të treguar se si t’i dallojmë nëse janë të vërtetë apo të rrejshëm:
Me këtë ju njihni shpirtin e Zotit: çdo shpirt pranon që Jezu Krishti ka ardhur në trup, është nga Zoti dhe çdo shpirt që nuk e pranon Jezusin të tillë nuk është nga Zoti. (1 Gjon 4:2, NRSV)
Autori diferencon “shpirtin e Zotit” me “shpritin e Anti-Krishtit”, ata që janë “prej Zotit” me ata që janë “prej kësaj bote” dhe “Shpirtin e së Vërtetës” me “Shpirtin e së Gabuarës”. Ky diskurs, përsëri, është çuditërisht i ngjashëm me diskursin e përdorur në “Ligjin e Përtrirë” për profetët e ardhshëm që e përmenda më lartë.
Tek Ligji i Përtrirë 18:20-22, pas premtimit për një profet të ardhshëm në 18:18 dhe urdhëresës për t’iu bindur atij profeti në 18:19, janë shpalosur kriteret e dallimit të profetit të vërtetë prej atij të rrejshëm. Ligji i Përtrirë kërcënon që një profet që flet për tjetër Zot apo në mënyrë të rrejshme flet në emër të Zotit “duhet të vdesë” (18:20). Ai gjithashtu i këshillon izraelitët të injorojnë profetët që profetizojnë rrejshëm:
Nëse një profet flet në emër të Përjetshmit mirëpo ajo nuk ndodh apo nuk del e vërtetë, është fjalë që i Përjetshmi nuk e ka thënë. Profeti ka folur me mendjemadhësi; mos u frikoni prej tij. (18:22, NRSV)
Në të njëjtën mënyrë por duke përdorur të tjera kritere, autori i 1 Gjon i definon profetët e vërtetë dhe ata të rrejshëm varësisht prej raportit të tyre të pranueshmërise karshi Jezusit, Zotit dhe pasuesve të hershëm të Jezusit. Pjesë e dinamikës së komunitetit të hershëm të pasuesve të Jezusit ishte edhe ajo që shumë prej tyre pretenduan inspirimin nga “Shpirti” dhe profetizuan. Autori i 1 Gjon ishte veçanërisht i brengosur nga versionet doçetike të krishterimit që ishin zhvilluar duke mohuar që Jezusi “erdhi në formën e trupit/mishit” në këto versione të krishterimit, Jezusi nuk ishte një qenie njerëzore mirëpo ishte një qenie engjëllorë që vetëm se ishte shfaqur në formë njeriu. Një version i tillë i krishterimit, dukshëm do të duhet të ishte terësisht i shkëputur nga mësimet dhe vlerat aktuale të Jezusit të Nazaretit dhe të pasuesve të tij të hershëm të cilët e njohën si një qenie të vërtetë njerëzore. Është me rëndësi të përmendet që Muhamedi i plotëson këto kritere deri më tani pasi që Kurani pranon që Jezusi është Mesiu dhe që ai “erdhi në formën e trupit/mishit”.
Në historinë e krishterimit, të gjitha atributet negative nga 1 Gjon 4:1-6 janë përdorur kundër Muhamedit. Ai ishte identifikuar me “Shpirtin e Anti-Krishtit” dhe me “Shpirtin e së Gabuarës”. Sidoqoftë, ka ardhur koha për ne të krishterët që ta pranojmë sa gabim kemi qenë me këto vlerësime dhe ta përmirësojmë gabimin duke pranuar ta identifikojmë Muhamedin me “Shpirtin e së Vërtetës”. Kur e shikojmë Islamin si një religjion botëror dhe shohim se si 1.6 miliard njerëz, numër ky në ngritje, e pasojnë rrugën e Muhamedit, me të vërtetë ka ardhur koha që ta njohim atë si një profet. Nëse Muhamedi nuk është i tillë, kush është atëherë?
Është e kuptueshme, me të vërtetë, se si shumë të krishterë janë vënë në mbrojtje dhe kanë reaguar negativisht kundrejt Islamit. Ky lloj i përgjegjës bazuar në frikën dhe egon grupore është pjesë e natyrës njerëzore. Megjithatë është absurde që ne të vazhdojmë ta shohim Muhamedin si një heretik apo një profet të rrejshëm duke pasur parasysh faktin që Islami mbijetoi për rreth 1400 vite, duke ngritur kulturë, spiritualitet, art, politikë, moral dhe të arritura intelektuale monumentale dhe vazhdon të ketë pasues vibrant në përmasa të jashtëzakonshme globale.
Nuk ka kandidat më të mirë sesa Muhamedi. Asnjëri madje as që i afrohet në premisa të përmbushjes së premtimit të Jezusit për ardhjen e “Shpirtit të së Vërtetës” i cili do të sjellë shpalljen e re nga Zoti. Nuk kam hapësirë të mjaftueshme në këtë shkrim për të eksploruar shumë versete Kuranore që i adresohet direkt të krishterëve mirëpo po që se do t’i kishim pranuar ato, besimi ynë do të transformohej për të mirë dhe do të ekuilibrohej me Judaizmin dhe Islamin.
Jezusi ishte i vetëdijshëm që do të ishte e vështirë për ne që ta pranojmë udhëzimin e tij prej ndonjë burimi tjetër. Mirëpo ai nuk dëshiroi që nga frika prej tjetërsisë së jashtme, në këtë rast profetit Muhamed dhe Kuranit, të na ndaj ne nga Rruga, e Vërteta dhe Jeta, që i bie nga Fjala e Zotit. Për këtë arsye ai u foli dhe i siguroi për “Shpirtin e së Vërtetës” duke iu thënë: “ai do të më lartësoj mua” dhe për të njëjtën arsye ai e theksoi harmoninë e mësimeve të tij me ato të shpalljes që do të vie dy herë duke përsëritur premtimin: “ai do të merr atë që është e imja dhe do t’ua kumtoj juve”(Gjon 16:14-15, NRSV). Bazuar në premtimin e Jezusit, të krishterët mund t’i qasen Kuranit pa frikë duke ditur që ai është shpallje që e lartëson Jezusin dhe në kuptimin shpirtëror është prej tij.
Çfarë gjejmë në Ungjillin e Gjonit është një portë ndërlidhëse ndërmjet krishterimit dhe islamit. Nëse vendosim të ecim nëpër të, me besim, ne do të zbulojmë që religjionet tona vijnë nga i njëjti burim hyjnor, do ta zbulojmë se ne jemi vëllezër në fe të cilët duhet të dëshmojnë për të vërtetën e dy anshme (Gjon 15:26-27) dhe të bashkëpunojmë në manifestimin e vullnetit të Zotit në tokë, sikurse të ishte në Parajsë. I ftoj krishterët kudo që janë, t’i shikojnë me kujdes shkrimet tona, t’i kërkojmë shpirtrat tanë, ta shqyrtojmë historinë tonë dhe të kërkojmë udhëzimin e “Shpirtit të Shenjtë” në përgjigjen ndaj pyetjes: “A ka ardhur koha për krishterët ta shohin Muhamedin si “Shpirtin e së Vërtetës”?”
Autor: Ian Mevorach – autori mban PhD në Etikë Teologjike dhe Teologji Konstruktive nga Shkolla e Teologjisë, Universiteti i Bostonit.
(Burimi: http://www.huffingtonpost.com/ian-m…)
[1] But you cannot bear them now – më afër kuptimit është fjala përballoj sesa kuptoj që është marrë nga faqja zyrtare bibla.net