Në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do të organizohet një protestë në kryeqytetin e Republikës Çeke, ku do të protestohet kundër shtetit të Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë.
Në Pragë gjithashtu do të fillojë nënshkrimi i një peticioni për tërheqjen e njohës për Kosovën nga Republika e Çekisë, shkruan “Novosti”.
Peticioni me nënshkrimet e mbledhura pritet t’i dorëzohet parlamentit çek dhe qeverisë.
Këtë nismë sipas gazetës serbe po e mbështet ish-diplomati çek, Jan Kavan.
“Shpresojmë që kërkesës sonë do t’i bashkohet edhe presidenti Milosh Zeman”, kanë thënë organizatorët e protestës dhe peticionit.
Në tekstin e peticionit, në hartimin e së cilit kanë marrë pjesë Jaroslav Folinda dhe regjisori Voclav Dvorzak, thuhet se “njohja e shtetit të vetëshpallur nga shqiptarët e Kosovës, ishte një shkelje brutale e të drejtës ndërkombëtare nga qeveria e atëhershme çeke”. /Telegrafi/