AA: “Në vend të simboleve fetare, në Butel do të vendosen simbole kombëtare maqedone ”

SHKUP (AA) – Pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve për tërheqjen e vendimit për ndërtimin e kryqit në komunën e Butelit, funksionarët dhe mbështetësit e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) vendosën që të çmontojnë tendat e vendosura në vendin ku ishte paraparë të ndërtohet kryqi, ndërkohë AA jozyrtarisht mëson se në vend të ngritjes së kryqit në Butel do të vendoset flamuri kombëtar maqedonas ose skulptura e luanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti njoftoi se tashmë kanë filluar bisedimet edhe me ndërkombëtarët për një zgjidhje komform Marrëveshjes së Ohrid, si dhe theksoi se për shkak se nesër është festë ortodokse maqedonase dhe në Butel ndodhen varrezat më të mëdha, ku gravitojnë rreth 50 mijë qytetarë, ata kanë vendosur të tërheqin tendat, që mos të shkaktojnë konflikte ndërfetare dhe etnike.

“Për hir të mirëkuptimit ndaj fesë ortodokse, nuk duam që të kontribuojmë që ne të jemi shkak për incidente dhe konflikte ndërfetare dhe etnike. Tashmë ka filluar dialogu edhe me ndërkombëtarët. Sonte po tërheqim tendat që të lëmë hapësirë institucionale për një zgjidhje komform Marrëveshjes së Ohrid dhe respektimit të parimit të Badinterit. Kjo nënkupton se zgjidhja duhet të jetë e votuar nga dy shumicat në Komunën e Butelit, ku ai monument nesër do i shërben bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjelltë, e jo siç ishte iniciativa e parë”, deklaroi Mexhiti.

Funksionarët e lartë të BDI-së në shenjë proteste ngritën tendat në vendin ku ishte paraparë të ndërtohet kryqi, ndërsa mbështesit e kësaj partie gjatë protestës shkatërruan gurëthemelin e ndërtuar si bazament të kryqit.

Buteli është komunë me popullsi të përzier dhe drejtohet nga Petre Latinovski, i cili i përket partisë maqedonase VMRO-DPMNE, që qeverisë vendin bashkë me BDI-në, mirëpo ngritja e kryqit ishte iniciativë e organizatës nacionaliste “Kongresi Botëror Maqedonas”.

Punimet për ngritjen e kryqit filluan disa ditë pas vendosjes së monumentit të shqiponjës dykrenare në hyrje të Komunës së Çairit, me shumicë shqiptare.

Artikulli paraprakVIDEO – Muslimani që e mbyt muslimanin çfar vdekje është
Artikulli vijuesMexhiti: E arritëm qëllimin, kryqi nuk do të ndërtohet