Abrashi: I kemi pastruar listat me pensionistë të vdekur

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Abran Abrashi, ka sqaruar opinionin publik rreth të gjeturave të auditorit se janë paguar pensione edhe për njerëzit e vdekur.

“Me marrjen e detyrës së Ministrit, dhe pas kërkesave direkte të mia për menaxhim sa më të mirë të skemave, si ide inovative, kemi iniciuar marrëveshjen me ARC dhe Bashkësitë fetare, në mënyrë që të kemi informata në kohë reale, dhe mos të bëjmë pagesa paushale të pensioneve, ashtu siç ishte bërë vite e vite me radhë”, ka shkruar ministri Abrashi në llogarinë e tij në facebook.

Ai ka thënë se marrëveshja është iniciuar në mars 2015 dhe është nënshkruar në qershor 2015. Pas konsultimeve të stafit të të dy shërbimeve, Abrashi ka thënë se MPMS ka pranuar shënimet e para në shtator dhe tetor 2015.

“Nuk qëndron aspak konstatimi se janë paguar 800.000 euro në vitin 2015. Këto pagesa kanë të bëjnë me pagesa që janë bërë nga viti 2006 deri kur në momentin kur ne kemi pastruar listat. Pra ne si kabinet, kemi identifikuar dhe ndaluar pagesat për këto pensione, kemi pastruar listat dhe evidencën”, është arsyetuar më tej Abrashi.

Ai ka thënë se kanë filluar edhe identifikimin e mjeteve nëpër bankat komerciale, në të cilat janë mbi 400 mijë euro kthime, vetëm vitin 2015.

“Lusim të gjithë të interesuarit, që mund të kenë paqartësi, që të urdhërojnë dhe të na kontaktojnë në çdo kohë, dhe ne do t’iu ofrojmë të gjitha informacionet e nevojshme para së të prodhojnë deklarata bombastike ose të na akuzojnë për të bëmat 2006-2015”, ka përfunduar Abrashi

Artikulli paraprakNisin hetimet ndaj profesorëve që dyshohet se vodhën mbi 10 mijë euro
Artikulli vijuesPresidenti i BERZH-it viziton Kosovën