Adile Nexhipi, kurora e mualimeve shqiptare

Aktivitetit arsimor fetaro-islam në Maqedoni është traditë e vjetër shekullore. Ky aktivitet fillon që nga vitet e para të shtrirjes së pushtetit Osman në Ballkan, ku krahas procesit të përqafimit të fesë islame në Maqedoni, fillon edhe procesi i përhapjes së qytetërimit islam, e me të vjen në shprehje edhe arsimi fetaro-islam si komponentë e këtij qytetërimi. Varësisht nga pozita e tyre strategjike dhe ekonomike, fillojnë të themelohen institucione të karakterit fetaro-arsimor, si: xhami, medrese, biblioteka etj. dhe socialosanitare si imarete, konvikte, spitale, etj., të cilat kanë luajtur rol të madh pozitiv në popull, në mirëqenien dhe në formimin e tij fetar.

DASHURIA PËR ARSIMIN

Me përhapjen e fesë Islame në trevat e Maqedonisë krahas të tjerave, u morën masa për organizimin e arsimit islam. U ngritën shkollat e arsimit fillor (Mejtepet) dhe, mbi këtë bazë, filluan të ngrihen edhe shkollat e mesme (Medresetë). Ku në këto shkolla u shkolluan një numër i madh i nxënësve, ku më vonë këtyre nxënësve iu mundësua të mbajnë mësim nëpër këto mektebet, pa marrë parasysh gjininë e tyre. Një ndër mësimdhënëset, e cila meriton të përmendet, është edhe mualimja Adile Nexhipi nga Shkupi.

Adile Nexhipi, u lind në vitin 1901 në Preshevë. Mësimet e para i mori nga mualimi i Preshevës dhe njëherit dhe babai i saj Ahmet efendiu, ku mësoi 2 vjet me radhë. Arriti me sukses t’i mbaron mësimet në mektebin eSibjan dhe menjëherë mësimet i vazhdoi në mektebinRuzhdije. Ishte bija e muderrizit të Presheves Ahmet efendiut. Para Ahmet efendiut mëson mësimet e larta fetare islame dhe në këto lëmi: sarf, nahl, akaid, tefsir, multeka, hadith dhe halebi. Në vitin 1922 martohet në Shkup me Zekirja Nexhipin i cili punonte në shtypshkronjën “Uhuvet” Bashkim dhe vëllazërim, i cili kishte mendime përparimtare dhe e mbështeti në çdo veprimtari mualimen Adile nga Presheva. Jetoi në Shkup një jetë të lumtur bashkëshortore por jo edhe të rehatshme gjatë kryerjes së aktiviteteve.

Lindi 5 fëmijë tre djem dhe dy vajza (Ekrem, Nebahat, Sabiha, Fikret, Kemalettin). Të gjithë fëmijët i shkolloi dhe i punësoi nëpër vende të ndryshme, ku gjithmonë ishin në shërbim të popullit. Zonja Adile tregoi sukses të shkëlqyeshëm gjatë kryerjes së detyrës ku prej saj dolën rezet e pastra të diturive Islame, edhe pse gjendja politike ishte mjaftë e rëndë ajo ishte shpesh e urdhëruar ta ndërpres aktivitetin e saj arsimor, mirëpo, pasi që ishte oratore e mirë dhe predikuese e zellshme e fesë islam, punoi pandërprerë dhe ofroi kontribut nëpër shtëpitë private. Pas një kohe të shkurtë ajo kthehet në punën e saj zyrtare ku punoi gjatë viteve 1931-1941 në shkollën fillore për femra “Sveti Marija” në Shkup, ku në këtë shkollë, krahas lëndëve shkencore, mësoheshin edhe lëndët fetare.

Me hapjen e shkollave fillore në gjuhën shqipe u hapën edhe kurset për arsimtarë, ku një ndër të parat të cilat e mbaroi kursin me sukses ishte edhe mualimja Adile Nexhipi. Pas mbarimit të kurseve në vitin 1946, pas një kohe të shkurtë në vitin 1949 u aktivizua edhe më tepër në veprimtarinë e saj si arsimtare në shkollën fillore “Liria” në Shkup. Zonja Adile Nexhipi edhe pse ishte nga Presheva, ajo në historinë e mualimeve njihet si mualime e Shkupit. Ajo luftoi kundër errësirës e cila e kaploi gjininë femërore në atë kohë.

MËSUESE E GJENERATAVE TË SHËNDOSHA

Mualimja përveç që ligjëronte tema fetare, ajo këndonte mevlud nëpër shtëpi private dhe objektet fetare, po ashtu nga ana Kral Alkesandrit ishte e obliguar të shkon nëpër fshatra të rrethinës së Shkupit për t’u mësuar grave shkrim dhe lexim. Kjo detyrë nuk ishte e lehtë për atë, pasi që ajo njëherit ishte nënë e pesë fëmijëve, bashkëshorte… por vullneti i punës i tejkaloi të gjithë. Ligjëratat si zakonisht i mbante në dy gjuhë në shqip dhe turqisht (kuptohet sipas nevojës), ndërsa në shkollën fillore “Liria” ligjëronte në gjuhë shqipe. Ajo edhe pse ligjëronte me mbulesë, mbulesa e saj askujt nuk i pengonte. Kishte një rogë mesatare prej 1.000 dinarëve.

Madje atë e quajtën edhe “Kurora e Mualimeve”. Është më rëndësi të ceket se gjithë biblioteka dhe dokumentacioni i aktiviteteve të saj është i djegur nga ana e ushtrisë bullgare. Përveç bibliotekës që iu dogj, asaj ia morën edhe Kur’anin famëlartë, ku një kohë të shkurtë në shtëpinë e saj nuk guxonte të lexon Kur’anin si dhe t’i tubon gratë të mbanë ligjërata fetare.

Gjatë muajit të Ramazanit në çdo 3 ditë lexonte nga një hatme, dhe ishte mualimja e vetme e cila ka shkuar 3 herë në haxh (dy herë me detyrë një herë bedel). Ajo rrjedhë nga një familje të njohur me traditë shqiptare dhe mikpritëse, por asaj nuk i pengoi të martohet me një familje turke. Ajo u mundua gjatë tërë jetës së saj të jetë urë në mes turqve dhe shqiptarëve duke i thirë në bashkëpunim dhe marrëveshje.

Zonja Adile kishte merita të mëdha edhe tek pushteti i atëhershëm e për këtë dëshmon fakti ku në vitet 1934- 1941 asaj ju mundësua që ta regjistron birin e saj në medresesn e Kral Aleksandrit-I pa pagesë, dhe mësimet e para i mori nga profesori i njohur Taip Okiç. Ajo pas vete la familje të shëndosh, histori të gjallë për gjeneratat e reja si dhe shumë nxënëse të cilat sot kanë vazhduar rrugën e saj. Një ndër nxënëset e saja më të njohura janë Muazez Zekerija, arsimtare e njohur (bashkëshortja e shkrimtarit të njohur turk Nexahti Zekerija ), Nezaket Adil, mualime e njohur nëpër shkolla fillore, Fitnet Hoxha… por vlen të përmendet se shumica e nxënëseve të saja janë shpërngul për në Turqi.

Adile Nexhipi nga kjo botë kalimatare në botën e amshuar u shpërngul më vitin 1986, varrimi i saj u bë pas namazit të drekës, gjegjësisht pas namazit të xhumasë. U varros në varrezat e Butelit të Shkupit. Ajo edhe pse u largua nga mesi i grave të Shkupit, biografia e saj mbeti e gjallë, ajo do të mbetet një ndër figurat më të dalluara të trojeve tona sa i përket dimensionit edukativo-arsimor. Ajo ishte dhe mbetet shenjë e një punëtoreje të palodhshme ku kontributi dhe veprimtaria e saj lanë gjurma të pashlyera në shpirtrat e muslimaneve.

Përgatiti:
Mr. Haxhere Veseli Sulooxha

 

(Islampress)

Artikulli paraprakArkitekti shqiptar Mimar Sinani dhe të bëmat e tij
Artikulli vijuesHoxha Kadri Prishtina (1878-1925)