Agjencia e neglizhencës dhe produktet e ndaluara me aflatoksine

Organizatat e konsumatorëve dhe ekspertët akuzojnë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për neglizhencë në hulumtimin e produkteve të qumështit me përmbajtje të rrezikshme. Kjo agjenci njëherë doli dhe tha se në Kosovë nuk ka produkte me aflatoksinë, kurse pas dy javësh analizat treguan se kishte. Tash janë të bllokuara mbi 300 mijë litra qumësht për analiza.
Kur në të gjitha shtetet e rajonit ishte vënë alarmi për produkte të rrezikshme të qumështit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës deklaronte se këto produkte nuk gjenden në Kosovë. Madje, lëshoi edhe komunikatë me të cilën i ftonte qytetarët që të mos brengoseshin.

Por nuk kaluan as dy javë dhe doli që edhe në Kosovë ka produkte të qumështit me përmbajtje të aflatoksines, substanca kjo kancerogjene dhe e rrezikshme për shëndetin. Vetë AVUK-u doli me një komunikatë tjetër ku tregoi për një numër të produkteve të qumështit, si të rrezikshme.

Tash, në kufi dhe brenda vendit kjo agjenci ka bllokuar mbi 300 mijë litra qumësht për analiza.

Zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, thotë se të gjitha produktet që janë konstatuar me përmbajtje të kësaj substance janë hequr nga tregu. “Këto janë hequr krejt prej tregut. Ne si agjenci e kemi mekanizmin në bazë të evidencave dhe importuesve, dhe urdhërojmë për heqjen e produkteve të dyshimta prej pikave të shitjes”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, çdo maune po bllokohet në kufi për analiza. “Ato që dalin negative hyjnë në treg, pra lejohen për konsum sepse janë të sigurta në bazë të analizave laboratorike, kurse ato që dalin pozitive, asgjësohen prej tregut”, ka thënë ai.

Por organizatat e konsumatorëve dhe ekspertët akuzojnë këtë agjenci për neglizhencë në hulumtimin e këtyre produkteve dhe më pas heqjen e tyre nga tregu. Aq më tepër kur gati në të gjitha shtetet e rajonit ka muaj që po përfolët për produkte të qumështit me aflatoksinë.

Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”, thotë se AVUK-u është dashur që të gjitha produktet e dyshimta, t’i dërgojë për analiza që nga gushti i vitit të kaluar, kur doli se misri kishte aflatoksinë. Kjo organizatë që nga ajo kohë kishte kërkuar për analiza, sepse sipas Kaçanikut, bëhej fjalë për një pandemi që e kishte përfshirë krejt rajonin. “Në krejt vendet e rajonit doli që ka pasur aflatoksinë, kurse AVUK-u nuk doli me rezultate deri tash. Ftoj AVUK-un që të gjitha produktet që kanë çfarëdo lidhje me misrin kancerogjen, t’i kontrollojë, qoftë mishin, qoftë qumështin. Pra çdo gjë që prodhohet nga misri dhe të dilet me rezultate”, ka thënë Kaçaniku.

Edhe drejtori i Qendrës për Studime Sociale dhe Strategjike, Ibrahim Rexhepi, mendon se kontrolli në treg është i dobët dhe institucionet përgjegjëse reagojnë vetëm pas alarmit në medie. “Kështu ka ndodhur edhe me rastin e misrit nga Serbia. Pa dyshim se konsumatori është tejet i rrezikuar, meqenëse reagimi nuk është adekuat. Ndalesat nuk po ndodhin në kufi. Krejt këto edhe më shume na e forcojnë bindjen se duhet të orientohemi sa më shumë kah produktet vendore”, ka thënë Rexhepi.

Ndryshe, produkte të qumështit me përmbajtje të aflatoksines është konstatuar se ka gati në të gjitha vendet e rajonit. Vendet si Maqedoni e Kroacia, tashmë kanë larguar disa produkte nga tregu. Shkak i krejt kësaj vlerësohet të kenë qenë thatësirat e mëdha vitin e kaluar.

Produktet me aflatoksinë

– Qumësht “MEGGLE”, 3.2% me datë skadimi 23.06.2013 me origjinë nga BIH, – Qumësht “Fast” 3.5% me datë skadimi 03.06.2013 me origjinë nga Shqipëria. – Qumësht “Primalat” me origjinë nga Shqipëria, 3.8%, data e skadimit 05.08.2013, – Qumësht “ZOTT”, 3.5%, me datë skadimi 10.06.2013 me origjinë nga BIH dhe – Qumështi “DUKAT”, 2.8% yndyrë me datë skadimi 12.05.2013 dhe qumështi Dukat për kafe, të gjitha seritë. /Express

Artikulli paraprakBuzhala: Reformë ose “tung
Artikulli vijuesAgjencia e neglizhencës dhe produktet e ndaluara me aflatoksine