Imam Ahmedi lindi në vitin 164 h. në Bagdad, qytet në të cilin ai u rrit, mësoi, u sprovua dhe vdiq. Imam Ahmedi u rrit jetim pasi i ati i vdiq pak kohë pas lindjes së tij, kështu që me edukimin dhe rritjen e tij u mor e ëma e tij siç qe edhe nën kujdesin e xhaxhait të tij. Që në moshë të vogël ai u dha mbas diturisë, kështu që mësoi Kuranin përmendësh dhe iu përkushtua mësimit të gjuhës arabe dhe sidomos haditheve të Profetit (salallahu alehji ue selem), fushë në të cilën, në historinë islame, zor se gjen njerëz si ai. Që në moshë të re ai ndoqi metodën e vjetër të muhadithëve në gjurmimin e hadithve, duke udhëtuar në qytetet dhe vendet ku ndodheshin dijetarët dhe transmetuesit e haditheve. Nga Bagdadi udhëtoi për në Mekë, Medine, Basra, Jemen, Kufe etj. gjithmonë në kërkim të hadithit, pa u lodhur dhe pa u ankuar për vështirësitë e rrugës duke mbajtur mbi shpinë librat dhe shënimet ku ai kishte shkruar hadithet e Profetit. Njëherë një i njohuri i tij kur e takoi në një nga udhëtimet e tij dhe e dinte sesa shumë kishte udhëtuar për të mbledhur hadithin, sa kish shkruar dhe mësuar përmendësh, i habitur i thotë: Një herë në Kufe, njëherë në Basra! Deri kur kështu? Dhe imam Ahmedi i përgjigjet: Me shishen e bojës deri në varr. Ebu Zura thotë: Ahmed ibn Hanbeli dinte një milion transmetime. Dhe kur i thanë se nga e di këtë gjë, ai iu përgjigj: i kam dëgjuar prej tij dhe i kam marrë me kapituj.
Imam Ahmedi mësoi nga shumë dijetarë, nga këta mund të përmendim Imam Shafiun, nga i cili ai përfitoi së tepërmi, Ebu Jusufin kryegjykatësi i kalifatit në atë kohë dhe nxënësi i Ebu Hanifes, Abdurrezak San’ani nga Jemeni, dijetar i shquar i hadithit etj. Megjithëqë imam Ahmedi e filloi dijen që në moshë të vogël ai nuk u ul të jepte mësim dhe fetva vetëm mbasi mbushi dyzet vjeç, moshë kjo e një pjekurie të thellë. Nuk është për tu habitur kjo gjë edhe imam Ebu Hanifja në një moshë të tillë filloi të jap fetva, aq më tepër që në një moshë të tillë i erdhi profetësia edhe Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), ndaj dhe të gjithë ne dhe sidomos nxënësit e dijes dhe ata që merren me udhëzimin e njerëzve kanë se ç’të mësojnë nga ky fakt.
Nga nxënësit e tij mund të përmendim autorët më të njohur të librave të hadithit si Buhari, Muslimi, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ibn Maxha etj.
Imam Ahmedi përveç që ishte një dijetar i shquar ai ishte edhe një njeri shembullor, një njeri i cili i ishte përkushtuar tërësisht fesë së Allahut, larg kënaqësive të kësaj bote dhe ndonëse me gjithë famën që pati që gjatë jetës së tij, ai ishte modest dhe kurrë nuk pranoi të përfitoj nga kjo gjë, dhe megjithë ofertat dhe paratë që i ofroheshin për të bërë një jetë më të mirë ai i refuzonte ose ua ndante të varfërve ndonëse edhe vetë ishte i tillë, karakteristikë kjo e shumë prej dijetarëve të hershëm, gjë që tregon për përkushtimin dhe devotshmërinë e këtyre njerëzve. Një prej bashkëkohësve të tij tregon: kam hyrë e kam dalë në shtëpinë e Ahmedit për dymbëdhjetë vjet, dhe ai u lexonte fëmijëve të tij Musnedin (librin e tij të hadithit), por unë nuk kam shkruar prej tij as edhe një hadith, vetëm se priresha të merrja nga morali dhe shembulli i tij.
Imam Ahmedi veç kësaj ishte dhe adhurues i madh i Allahut dhe siç transmetohet nga i biri i tij Abdullahi, ai falte gjatë ditës rreth treqind rekatë nafile dhe mbas sprovës që kaloi njëqind e pesëdhjetë, ndërkohë që ai akoma ishte në një moshë të madhe.
Koha kur jetoi Ahmed ibn Hanbeli ishte një periudhë ku njerëz të devijuar si mu’tezilitë kishin kapur shtetin në dorë dhe kishin bërë për vete Kalifin e myslimanëve dhe i kishin mbushur mendjen atij për shumë nga bidatet e tyre, një nga të cilat ishte edhe se Kurani ishte i krijuar si gjithë krijesat e tjera. Ata nuk u mjaftuan me kaq, por e bindën kalifin që t’i detyronte njerëzit dhe në radhë të parë dijetarët që të besonin diçka të tillë ndryshe do të përballeshin me dhunën e shtetit! Dhe kështu u bë. Askush nuk lejohej të punonte në administratën shtetërore, as të jepte mësim dhe as nuk i pranohej dëshmia nëse nuk pohonte një gjë të tillë, në të kundërt do ta paguante shtrenjtë, disa me burg, rrahje madje disa edhe me jetën e tyre. Shumica e dijetarëve në kushte të tilla qenë të detyruar të pranonin vetëm me gojë një gjë të tillë dhe mbas një rezistence të shkurtër të vetmit ata që nuk pranuan të pohonin një gjë të tillë qenë vetëm dy: Ahmed ibn Hanbeli dhe Muhamed ibn Nuhu. Dhe që të dy këta pasi qenë prangosur u nisën për tu çuar drejt Kalifit i cili në ato ditë gjendej larg Bagdadit. Gjatë rrugës vdes Muhamed ibn Nuhu, por pa mbërritur imam Ahmedi tek kalifi, vdes edhe ai dhe kështu që Ahmedin e kthejnë në burgun e Bagdadit. Kalifi pasardhës duke ndjekur shembullin dhe porosinë e paraardhësit jo vetëm që e mban në burg imam Ahmedin por përpiqet me çdo kusht, sa me të mirë e sa me të keq që ta thyej madje edhe duke e rrahur me kamxhik për ditë të tëra derisa i binte të fikët. Dhe megjithë debatet e zhvilluara mes Ahmedit dhe mu’tezilive në prezencë të kalifit, ai nuk u tërhoq por i drejtohej duke i thënë: O prijësi i besimtarëve! Le të më sjellin qoftë edhe një hadith apo ajet që të thotë se Kurani është i krijuar. Por pasi një gjë e tillë nuk ekziston, atëherë imam Ahmedi nuk preferonte t’i hynte një çështje të tillë për të cilën nuk pat folur as Profeti (salallahu alehji ue selem) dhe as shokët e tij, por ai mjaftohej duke thënë se Kurani është fjala e Allahut dhe kaq na mjafton, por ai vjen nga dija e Allahut dhe dija e Allahut nuk është e krijuar. Imam Ahmedi qëndroi në burg për afro tetëmbëdhjetë muaj derisa kalifi duke parë se ishte e pamundur ta thyente dhe nga fama që pat marrë pozicionimi i tij burrëror e liroi nga burgu. Ahmedi u kthye në shtëpi dhe pasi u shërua nga plagët e rrahjes filloi përsëri mësimdhënien. Por sprova nuk do të përfundonte me kaq edhe kalifi pasardhës ndonëse nuk do ta burgoste, për shkak të famës që mori, e urdhëroi që të mos jepte më mësim dhe të mos qëndronte në atë vend ku jetonte edhe kalifi. Kështu Ahmedi u detyrua të fshihej derisa edhe ky kalif vdiq dhe pas tij erdhi një tjetër e cili në dallim me tre të parët ndryshoi qëndrim duke iu kundërvënë mu’tezilive dhe duke ngritur pozitën e Ehli Sunetit dhe duke ia kthyer bidatçije dhunën e ushtruar ndaj dijetarëve dhe njerëzve të tjerë me të njëjtën monedhë. Është për tu vënë në pah në këtë rast se imam Ahmedi me gjithë pozitën e lartë që pati ke njerëzit dhe admirimin që kishte ky kalif i fundit për të, ai nuk kërkoi kurrë që persekutorët e tij të dënoheshin madje i fali që të gjithë ata edhe kalifin që urdhëroi rrahjen e tij, përveç njërin prej bidatçijve për të cilin thoshte se nëse nuk do të qe thirrës në këtë bidat do t’ia kisha bërë edhe atij hallall gjithçka. Kjo tregon edhe njëherë për moralin dhe cilësitë e larta të këtij njeriu i cili nuk kishte sesi të mos kish nxënës dhe pasues të shumtë. Pasues të cilët më pas nën vijën e mësime të tij do të formonin shkollën juridike Hanbmelite, pra medhhebin hanbeli. Për vetë rezistencën dhe vetëmohimin e Ahmed ibn Hanbelit në mbrojte të Sunetit të Profetit (salallahu alehji ue selem) ai do të identifikohej më pas nga dijetarët dhe njerëzit si imam i Ehli Sunetit. Dhe shumë njerëz për të identifikuar veten e tyre se i përkisnin besimit të drejtë thonin se ishin në rrugën e tij të besimit.
I biri i tij Abdullahi tregon se në agoninë e vdekjes e dëgjon të atin të thoshte: akoma jo, akoma jo! Dhe kur a
i erdhi në vete për njëfarë kohe e pyeti se ç’ishin ato fjalë dhe ai iu përgjigj: Para meje u shfaq iblisi, që duke kafshuar gishtërinjtë më thoshte: më shpëtove o Ahmed më shpëtove! Dhe unë i thosha: akoma jo derisa të vdes!
Sigurisht që është e pamundur që në këto rreshta të paktë të japim një pasqyrë të plotë të jetës dhe veprës së këtij imami të madh që ka parë historia islame. Imam Ahmedi vdiq në vitin 241 h. në moshën shtatëdhjetë e shtatë vjeçare dhe në varrimin e tij do të merrte pjesë i gjithë Bagdadi. Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej tij.
J.Topulli