Agjencioni Kosovar i Privatizimit thotë se është e pamundur të largohet Gani Imeri nga prona shoqërore, në të cilën ka ndërtuar shtëpi.
Sa u përket uzurpimeve në komunën e Drenasit, AKP ankohet se me të nuk po bashkëpunojnë as banorët as Komuna.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” me titull “Uzurpatorët e paprekshëm”, është dorëzuar karshi uzurpatorëve, të cilët jashtëligjshëm shfrytëzojnë pronën shoqërore.
AKP, në një përgjigje me shkrim për BIRN dhe Internews Kosova, ka deklaruar se është e pamundur që tani ta largojë nga prona shoqërore Gani Imerin nga Vushtrria, i cili ka ndërtuar shtëpi banimi në pronën e ndërmarrje shoqërore “Elan”.
“Gani Imeri është i evidentuar si person i cili ka ndërtuar shtëpi në asetin e ndërmarrjes shoqërore pas vitit 2005 kooperativa bujqësore “Elan” në Vushtrri, në sipërfaqe prej 00,05.00 ari”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Sipas përgjigjes, Gani Imeri ka bërë kërkesë në AKP për të zgjidhur çështjen e pronësisë në pronën shoqërore ku ndërtoi shtëpi ilegalisht.
Po ashtu, në përgjigjet me shkrim AKP thekson se ndërtuesi ilegal ka ushtruar kërkesë me datën 28.01.2015 me nr. 2802/2015 dhe pajtohet për opsionet e zgjidhjes së marrëdhënies pronësore juridike. Duke iu referuar fakteve dhe rrethanave të përshkruara si më parë dhe duke i analizuar objektivisht ato, konstatohet: Se shtëpia është ndërtuar në vitin 2003; objekti ka karakter të përhershëm; është e dedikuar për banim familjar; Gani Imeri, së bashku me familjet e tyre jetojnë në shtëpitë e ndërtuara në atë parcelë nga viti 2005.
“Bazuar në fakte të tilla të përshkruara shkurtimisht më lartë, konsiderohet se kthimi i gjendjes paraprake duket i pamundur”, thuhet në shkresën e AKP-së.
Sipas asaj që thuhet në këtë shkresë, AKP tani ka hequr dorë nga procedurat e tenderimit për faktin se në këtë parcelë shoqërore është ndërtuar shtëpi banimi.
“Transformimi pronësor në këtë rast me sa duket nuk mund të zbatohet me tender publik, për faktin se është hapësirë e vogël dhe është fakti i njohur për publikun se në këtë parcelë është ndërtuar që një kohë të gjatë shtëpi për banim familjar”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Lidhur me të gjeturat e emisionit “Drejtësia në Kosovë” për uzurpatorët e paprekshëm të pronës shoqërore për tokat bujqësore të uzurpuara në komunën e Drenasit, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka deklaruar se Komuna e Drenasit nuk ka bashkëpunuar me të.
Sipas shkresës së AKP-së pengesat kryesore për identifikimin e saktë të uzurpatorëve të tokave bujqësore në komunën e Drenasit është frika e banorëve për të bashkëpunuar me AKP-së dhe mungesa e bashkëpunimit të Komunës me AKP-së.
“AKP është duke mbledhur informata të reja për uzurpatorët e tokave bujqësore në fshatra të ndryshme. Për shkak të komasacionit të tokave bujqësore ku kufijtë e parcelave janë të ndryshme ku mund të ballafaqohemi me probleme të reja pronësoro-juridike; Mungesa e bashkëpunimit të banorëve në lagje të fshatrave, supozohet të jetë për shkak të frikës së ekspozimit të emrave, mungesa e bashkëpunimit të Komunës së Gllogovcit në këtë drejtim, për lëshimin e dokumenteve të azhuruara kadastrale; Të dhënat aktuale të qiramarrësve dhe shfrytëzuesve janë marrë në bashkëpunim me ish-menaxhmentin e ndërmarrjes”, thuhet në shkresën e AKP-së kthyer BIRN-it dhe Internews Kosovës./