Akuza ndaj OKB-së. Agjencitë e saj punësojnë të afërmit e Assadit

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka punësuar shumë miq dhe partnerë politikë të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, si pjesë e operacioneve të ndihmës në këtë vend.

Gazeta “the Guardian”, e cila ka mundur të sigurojë dokumente konfidenciale, shkruan se listat e stafit tregojnë qartë se, të afërt të ministrave të Assadit janë në borderotë e agjencive të OKB-së, përfshirë atë të refugjatëve “UNHCR” dhe Organizatën Botërore të Shëndetit.

Sipas “the Guardian”, çdo agjenci e OKB-së ka të paktën një punonjës që është i afërm i drejtpërdrejtë i një zyrtari sirian. OKB i kërkoi gazetës britanike që të mos identifikojë asnjë prej këtyre individëve në listat e stafit, për të mbrojtur sigurinë e tyre.

OKB thotë se lidhjet familjare nuk merren në konsideratë e as hetohen kur punësohet staf i ri, dhe se ky organizëm nuk i pyet ata që interviston për punë mbi bindjet politike. OKB-ja mohoi gjithashtu se prania e njerëzve pranë Assadit kërcënon punën e organizatës, madje tha se stafi për operacionet në Siri duhet të reflektojë shoqërinë siriane.

Si reagim ndaj hetimit të “the Guardian”, OKB-ja nguli këmbë se është e paanshme dhe mbrojti nevojën për të punuar me të gjitha palët në konflikt. Por “Fushata për Sirinë”, një grup i pavarur, tha se është e paarsyeshme që një agjenci e OKB-së të punësojë njerëz nga rrethi i brendshëm i Assadit.

Sipas dokumenteve që siguroi “the Guardian”, thuajse dy të tretat e ndihmave humanitare për Sirinë kanë shkuar në zonat që kontrollohen nga qeveria. Në to shfaqet qartë se 64% e pajimeve dhe ilaçeve të siguruara nga OBSH-ja që prej janarit janë dorëzuar në zona që kontrollohen ose mbështesin Assadin. Vetëm 13% e ndihmës së OBSH-së ka shkuar në zonat e rrethuara të Sirisë, që kontrollohen kryesisht nga forcat kundërshtare të regjimit.

OKB-ja pretendon se reagimi i saj ndaj krizës është i ekuilibruar, por gjatë muajve të fundit, për shkak të vështirësive me të cilat përballet OKB-ja në Siri, shumë organizata humanitare thonë se OKB-ja është peng i regjimit të Assadit. Për këtë arsye, 73 grupe ndihme apo humanitare pezulluan bashkëpunimin me sistemin e ndarjes së informicioni të OKB-së në Siri, derisa të hetohen siç duhet dyshimet se Assad ka ndikim të madh mbi operacionet e ndihmës.

Artikulli paraprakHaxhi Krasniqi në Xhami (FOTO)
Artikulli vijuesPunësimi i migrantëve nga Ballkani në Gjermani me efekt pozitiv