Shtëpia Fokus Aleppo përballë katastrofës: Banorët rrëfejnë dëshpërimin pas sulmeve mbi spitale

Aleppo përballë katastrofës: Banorët rrëfejnë dëshpërimin pas sulmeve mbi spitale

Sulmet mbi spitalet nuk kanë të ndaluar në Aleppo, ndërsa një maternitet u godit në një zonë të kontrolluar nga qeveria e ku u vranë edhe tre persona. Kjo ngjarje e raportuar nga agjencia shtetërore e lajmeve përbën sulmin e gjashtë mbi spitale në dy javët e fundit pas luftimeve të ashpra që kanë lënë më shumë se 250 të vrarë. Qyteti antik ndodhet tashmë në prag të katastrofës humanitare, transmeton portali Tesheshi.com

Një bombë goditi depon e karburantit të një mjeti ushtarak në spitalin al-Dabeet e që shpërtheu e dëmtoi rëndë godinën. Pamjet e spitalit treguan shkatërrimin me xhamat e thyer nga shpërthimi që sipas qeverisë është kryer nga forcat kryengritëse.

Në situatën që mbretëron në Aleppo askush nuk është në gjendje të konfirmojë në mënyrë të pavarur origjinën e sulmeve. Qeveria siriane tha se të paktën 14 persona janë vrarë nga sulmet e kryengritësve në të gjithë qytetin. Aktivistët raportojnë për dy të vrarë në lagjet kryengritëse.

Sulmi mbi al-Dabeet vjen disa ditë pasi qeveria e Bashar al-Assad shkatërroi një spital të mbështetur nga komiteti i Kryqit të Kuq dhe “Mjekët pa Kufij” me anë të një sulmi ajror që vrau pediatrin e fundit të mbetur në zonat kryengritësve në lindje të Aleppos.

alepo

Bombardimet pa dallim të forcav qeveritare dhe sulmet hakmarrëse ndaj kryengritësve e kanë përshkallëzuar krizën humanitare që ka përfshirë qytetin. Dhjetë ditë më parë, regjimi i Assad nisi një masakër të ashpër që synon të presë linjat e furnizimit të kryengritësve , gjë që i dha fund armëpushimit të zbehtë të ndërmjetësuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara e që mund të hapte rrugën për bisedimet e paqes.

“Situata vijon të përkeqësohet, nuk ka asnjë pushim mes luftimeve”, thotë Pavel Krzysiek, zëdhënës i ICRC-së në Siri. “Përhapja e dhunës, shkatërrimi dhe paniku janë ato që mbizotërojnë si rezultat i sulmeve ajrore, bombardimeve e luftimeve”. Ai shton se Aleppo është një nga vendet më të këqija ku mund të ndodhesh në këto ditë.

Aktivistët kundër Assad dënuan në median sociale sulmin e së martës mbi maternitetin. “Shënjestrimi i civilëve, spitaleve dhe punonjësve shëndetësorë janë taktikat e Assad që prej vitit 2011”, shkruan njëri prej tyre.

Banorët në lindje dhe në perëndim të Aleppos, të ndarë mes opozitës dhe regjimit, përshkruajnë dëshpërimin në rritje që mbizotëron për shkak të luftimeve që nuk kanë të ndalur në një nga qytetet më të vjetra në botë, tashmë vetëm fantazmë e lavdisë së dikurshme.

Abu Ali, banor në pjesën e kontrolluar nga opozita, përshkruan sesi i vdiq i biri dy ditë më parë gjatë një sulmi qeveritar. Një bombë e qëlluar nga perëndimi i Aleppos përshkoi shtëpinë e tyre në lagjen Haydariya. Punonjësit e mbrojtjes civile kërkuan dy orë rrënojat për djalin, pasi gjetën të tjerët. Më pas, Abu Ali pa rrobat e të birit që dilnin mes copave të llaçit.

“Zoti është mbështetja ime e vetme tani”, thotë ai. Punonjësit e ndihmave e dërguan djalin në spital, por çdo gjë ishte e kotë.

“Në ato momente nuk isha në vete, nuk mund të them as se çfarë po mendoja”, thotë Abu Ali për “The Guardian” në një intervistë nga Turqia, ku vajza e tij është në repartin e reanimacionit pasi u soll aty nga Aleppo. “E pashë atë që kishte dhënë shpirt. Zoti është e vetmja mbështetje që kam”.

alepo 2

Pak kilometra nga Haydariya, në zonën e kontrolluar nga qeveria të Aleppos, civilët përballen me tmerrin e topave, një lloj mjeti luftarak i improvizuar nga cilindra gazi që janë në gjendje të shkatërrojnë ndërtesat. Një grua tregoi sesi motra dhe nipi i saj ishin të vetmit të mbijetuar të një bombardimi nga kryengritësit që shkatërroi shtëpinë e tyre.

“Djali i saj sapo është martuar e tashmë gjithçka mbaroi”, thotë ajo. “Të gjithë vdiqën veç atyre të dyve. Tani nuk kanë as shtëpi”.

Më shumë se një milion sirianë jetojnë nën rrethim, në pjesën më të madhe të vendosur nga regjimi i al Assad. “Ose njerëzit do të arrijnë të largohen nga lindja e Aleppos drejt kufirit e të shkojnë në kampet e refugjatëve, ose qyteti do të shndërrohet në popullsinë më të madhe nën rrethim”, thotë Aitor Zabalgogeazkoa, përfaqësues i “Mjekëve pa Kufij” në Stamboll, që ka qenë shef misioni në Aleppo.

Zabalgogeazkoa thotë se në ditët e fundit ka pasur një numër të madh viktimash mes civilëve, përfshirë këtu edhe në perëndim të Aleppos e një rrethim do të linte pjesën lindore të qytetit përballë një katastrofe, pa ujë të pijshëm e pa mjekime. Një depo e organizatës që furnizonte spitalet lokale u shkatërrua disa ditë më parë.

“Dinamika e konfliktti në katër vjetët e fundit ka pasur në qendër mungesën e plotë të respektit për jetën e civilëve”, thotë ai. Situata është e dëshpëruar për të gjithë civilët e bllokuar në të dyja anët e frontit të luftimeve.

“Djali im vdiq, ishte vetëm shtatë vjeç dhe vajza ime është nën kujdesin intensive tani”, thotë Abu Ali. “Lutem për vajzën time. Zoti është mbështetja ime e vetme tani dhe i vetmi të cilit mund t’i drejtohem.  Jam i tronditur. I falemi Zotit për vendosmëri”.

 

Artikulli paraprakNjë çift nga Siria u martua në Idomeni
Artikulli vijuesPacolli: Mimoza Kusari është profitere, ia organizova fushatën milionëshe