Ambasada shqiptare interesohet për fatin e Nazmijes

Pas një periudhe të gjatë, ambasada e Shqipërisë në Shkup vizitoi shtetasen e saj Nazmije Donov në Qendrën e Strehimit në Gazi Babë të Shkupit. Nga ambasada informuan se duke ndjekur çështjen e Nazmijes, por nuk japin detaje se në çfarë gjendje kanë takuar atë.

Në përgjigjen e lëshuar për TV21 theksohet se ndaj këtij rasti të shtetases shqiptare po bëhet përkujdesje në përputhje me konventat ndërkombëtare.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në veprimtarinë e saj, ndër të tjera, ka edhe detyrimin e përkujdesjes, asistencës dhe ndihmës ndaj shtetasve të Republikës së Shqipërisë, konform Konventave Ndërkombëtare dhe ligjeve në fuqi si të Republikës së Shqipërisë ashtu edhe të vendeve me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike”.

Ambasada gjithashtu thekson se operon konform zbatimit të Konventave dhe Ligjit Ndërkombëtar, si dhe duke respektuar me rigorozitet legjislacionin e vendit ku është akredituar, porse ajo merr njëkohësisht kontaktet tek autoritetet vendase, për të mos lejuar shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj shtetasve shqiptarë, në te gjitha rastet kur ambasada ka ankesa e sinjalizime nga vetë të interesuarit për padrejtësitë që mund t’u jenë bërë.”

Për rastin në fjalë ambasada informoi gjithashtu se është duke e ndjekur çështjen me përparësi, është në kontakt me të interesuarën dhe strukturat e zbatimit të ligjit, konform të gjitha rregullave dhe ligjeve në fuqi”.

Viktima e dhunës familjare, ka më shumë se një javë që nga Kavadari është sjellë në Qendrën e Strehimit në Gazi Babë, pasi që i ka skaduar afati i lejeqëndrimit në Maqedoni. Ajo para dy viteve ishte martuar në Kavadar me Marjan Donov, por që më pas kanë lindur edhe problemet familjare, me ç’rast nusja shqiptare kishte denoncuar bashkëshortin e saj për ushtrim dhune. Por kjo ishte mohuar nga Marjan Donov, i cili përmes disa proceseve maratonike gjyqësore arriti të shkurorëzohet me Nazmije Donov, e cila tani rrezikon lejen e qëndrimit në Maqedoni, edhe pse ka një fëmijë 2 vjeçar, që ka kaluar në përkujdesje të babait.

Nga MPB-ja ende nuk i përgjigjen kërkesës së televizionit 21 për të vizituar Nazmijen në Qendrën e Strehimit. Prej aty thonë se janë duke pritur leje nga policia kufitare.

Artikulli paraprakPartia për Lëvizjen e Turqve: Nëse Latas nuk kërkon falje, do të ngremë procedurë gjyqësore
Artikulli vijuesLëvizja BESA: Takim me asociacionin qytetar “MOST”