Analistët: Sanksionet e BE-së do ta fusin në bankrot total Maqedoninë

Dështimi i takimit ndërmjet liderëve partiak të Maqedonisë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Vjenë si duket ka bërë që të nxit Bashkimin Evropian të aplikojë sanksione ndaj autoriteteve qeveritare në Maqedoni. Këtë së fundmi e ka komentuar edhe zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijanciq.

“Situata për ne ngelet shqetësuese. Para se gjithash, thamë se është e nevojshme përgjegjësi që të zgjidhet kriza politike në vend dhe kjo qëndron në duart e liderëve politik të vetë vendit. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë dhe në deklaratën që patëm javën e kaluar, poashtu thamë se jemi të detyruar të mendojmë për aksione që t’i përmbushim kërkesat e Këshillit Evropian, Komisionit dhe Parlamentit. Por thash edhe javën e kaluar dhe e përsëris dhe sot nuk do të spekuloj me këtë”, ka deklaruar Kocijanciq.

Por, një burim i lartë i BE-së, i cili ka insistuar që të jetë anonim, për MIA-në ka pohuar se në bashkëpunim me departamentin e Shtetit Amerikan, po punohet në të ashtuquajturën “listë e zezë”, në të cilën, supozohet se do të gjendet presidenti i shtetit Gjorge Ivanov dhe disa nga 56 politikanët e gjetur në listën e tij për falje. Kjo do të ndodhë nëse në ndërkohë Ivanov nuk tërheq vendimin për falje.

Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Maqedonisë sipas analistit politik, Mersel Bilalli,  në këtë fazë të krizës politike më tepër mund të mirren si vërejtje dhe paralajmërim, por në asnjë mënyrë nuk përjashtohet mundësia e aplikimit të sanksioneve konkrete si ndaj autoriteteve qeveritare ashtu edhe ndaj shtetit.

“Dhënia eventuale e sanskioneve nuk është segmenti që nënkupton sanksione ose jo, por në parim kupton një varg masash të paralajmërimeve dhe vërejtjeve të caktuara që nëse nuk plotësohen kushtet që kërkon BE-ja vijojnë sanksionet e vërteta. Përshembull nëse nuk tërhiqet vendimi për abolim i presidentit  Ivanov do të fillojnë të aplikohen sanksionet e para që janë personale ndaj gjithë të aboluarve nga presidenti. Besoj se faza e parë e sanksioneve do jetë ndalimi i udhëtimit në vendet e BE-së dhe SHBA-së, e më tutje mund të shkohet me bllokimin e llogarive dhe pezullimin e pasurive të tyre”, deklaroi përAlmakos, analisti politik, Mersel Bilalli.

Përveç sanksioneve personale, në rast nevoje sipas Bilallit, Bashkimi Evropian mund të aplikoj edhe sanksione më të ashpra ndaj shtetit, që në këtë rast do ishte bankrot total i Maqedonisë për disa muaj.

“Nëse pas vërejtjeve personale të BE-së ndaj përfaqësuesve të pushtetit, nuk shkohet në drejtim konstruktiv, që është pak vështirë me këtë udhëheqësi e cila rëndë i kupton sinjalet ndërkombëtare apo nuk dëshiron ti kupton, atëherë mund të shkohet në sanksione që mund të përfshijnë shtetin. E para bllokimi i fondacioneve të ndryshme, ndërsa forma më e ashpër e sanksioneve ndaj shtetit është pezullimi i Marrëveshjes  për tregti me Unionin Evropian ku 65 përqind të tregtisë Maqedonia e realizon me vendet e BE-së, diçka që do e gjunjëzon Maqedoninë duke e dërguar në bankrot total”,  tha ndër të tjerash Mersel Bilalli duke shtuar që BE-ja nuk ka të drejtë t’ua mohojë funksionarëve të aboluar të drejtën e kandidimit në zgjedhje, mirëpo mund të konstatojnë që nëse ata kandidojnë zgjedhjet të shpallen irelevante, jo kredibile dhe të pabesueshme.

Derisa analisti maqedonas në një deklaratë për Almakos ishte konciz në qëndrimin e tij lidhur me sanksionet eventuale të BE-së ndaj Maqedonisë.

“Po përmenden disa kërcënime dhe sanksione që mund ti godasin autoritetet qeveritare dhe shtetin, mirëpo për momentin nuk mund të flitet për diçka konkrete, mirëpo gjithsesi se do paralajmërohet Maqedonia nga Bashkimi Evropian”, tha për Almakos, Sasho Ordanovski.

 

Artikulli paraprakGazetari Muhamed Zekiri godet ashpër Izet Mexhitin
Artikulli vijuesHysni Shaqiri thirrje shqiptarëve: Të dalim masovikisht në protestat e 9 Majit! (Video)