Anijet kineze rrethojnë ishujt kontestues

Gjashtë anije patrulluese kineze hynë mëngjesin e të premtes në ujërat e një grupi ishujsh të pretenduar nga Kina, Japonia dhe Tajvani. Në një deklaratë, Pekini theksoi se anijet janë dërguar në zonë për të treguar të drejtën e sovranitetit mbi ishujt e njohur si Diaoyu në Kinë dhe Senkaku në Japoni.

Të paktën dy prej anijeve u tërhoqën, pasi roja bregdetare japoneze paralajmëroi se do të hapte zjarr, ndërsa incidenti përbën një përshkallëzim të ri të konfliktit në këtë zonë të debatuar të Detit të Kinës Jugore.

Shteti që do të fitojë përfundimisht të drejtën mbi arkipelagun do të ketë të drejtën të shfrytëzojë një zonë të pasur detare, nën të cilën dyshohet se ndodhen rezerva nafte dhe gazi natyror.

Më parë gjatë muajit, Tokio lajmëroi për një tentativë për blerjen e ishujve nga pronari i tyre, i cili aktualisht i ka dhënë tokën me qera Japonisë, por zotëron arkipelagun si një pronë private e tija.

Ndërkohë, ambasadori i sapoemëruar japonez në Kinë, Shinichi Nishimiya, vazhdon të qëndrojë në një spital në Kinë, pasi u gjet pa ndjenja në banesën e tij të enjten, për shkak të problemeve të paqartësuara. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakObama: Prioritet mbrojtja e personelit diplomatik jashtë vendit
Artikulli vijuesBeogradi dhe Prishtina ishin afër marrëveshjes për kodin telefonik