Aplikacioni ’100 vjet shtet’ për Android

Gjersa po afrohet 28 nëntori që pritet të shënojë përvjetorin e njëqind të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, aktivitete të ndryshme po shënohen nëpër trojet shqiptare, ndërsa nuk mungojnë gjërat as prej industrisë kreative.

Në Google Play (tregun e Androidit) është shfaqur një aplikacion për Android për nder të 100 Vjetorit të Pavarësisë, i punuar nga Ilir Morina ose i njohur ndryshe me nofkën om3trix të cilën e përdor në treg.

Përshkrimi

Aplikacioni për sistemin operativ Android “100 VJET SHTET” është punuar për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ka për qëllim që të ofrojë njohuritë e shpejta e të shkurtra për rrjedhën e ngjarjeve nga viti 1912 – 2012, si dhe rubrika të tjera interesante.

Aplikacioni është i organizuar në formë enciklopedie, që ka të dhëna të shumta bazë për t’u lexuar. Pas klikimit për të startuar aplikacionin, ai fillon me Himnin kombëtar, ku simulohet edhe ngritja e flamurit.

Pas përfundimit të Himnit shfaqet menuja kryesore, nga e cila përdoruesi mund të drejtohet në gjashtë menu të tjera.

Menuja e parë dhe kryesorja përmban delegatët e Kuvendit të Pavarësisë, ku ofrohet mundësia që ata të gjenden sipas rendit alfabetik apo rendit të përfaqësimit regjional. Duke e zgjedhur këtë menu dhe delegatët, jepen të dhënat biografike për ta, së bashku me fotografitë.

Menuja e dytë është Deklarata e Pavarësisë, ku përdoruesi mund të shohë kopjen e deklaratës si dhe mund ta dëgjojë leximin e saj (fragment i marrë nga filmi “Nëntori i Dytë”). E renditur si e treta menu, është Kabineti Qeveritar i vitit të Qeverisë së Vlorës – 1912, e në të cilën gjendet i tërë kabineti me biografitë e tyre.

Menunë e Himnit Kombëtar, përdoruesi mund të lexojë dhe dëgjojë himnin, si dhe mund ta gjejë një historik të Himnit.

Menuja më e begatë sasiore është ajo ku përfaqësohen ngjarjet kronologjike të historisë së trojeve shqiptare në 100 vjetët e shtetit shqiptar. Dhe menuja e fundit është Foto Galeria, e cila ilustron një ngjarje të vitit përkatës me një foto përfaqësuese.

Aplikacioni natyrisht është falas dhe mund të shkarkohet në Google Play. (PCWorld Albanian)/kohaislame

Artikulli paraprakMorsi: Nuk lejoj sulme ndaj ambasadave të huaja
Artikulli vijuesPacolli: Haraqija më kërkoi 3.6 milionë euro