Arrestohet nipi i “reformatorit” të BDI-së, Rafis Aliti

Sot paradite është arrestuar në Shkup, Armend Fazliu, ish-shef i kabinetit të drejtorit të Postave të Maqedonisë, aktualisht deputet dhe nënkryetarit të kuvendit, Rafis Aliti, merr vesh ekskluzivisht gazeta “Lajm”, transmeton Koha Ditore.

Fazliu është njëherësh edhe nip i deputetit Rafis Aliti, i cili vetëm para dy ditëve publikisht kërkoi reforma në partinë e tij, Bashkimin Demokratik për Integrim.

Siç mëson e përditshmja LAJM, nipi i deputetit Rafis Aliti, është arrestuar para ndërtesës së Postës. Ai akuzohet nga policia për përgjegjësi për djegien e postës para disa viteve. Fakti që arrestimi i Fazliut vjen vetëm disa ditë pasi Rafis Aliti dha një intervistë ku kërkoi reforma brenda BDI-së, në burime partiake dhe mediat në Maqedoni veç më kanë filluar të qarkullojnë spekulime dhe dyshime për motive hakmarrëse politike ndaj deputetit Rafis Aliti.

Emri i këtij të fundit është përmendur shpesh herë edhe si pjesë e grupit që planifikon të formojë parti të re, ku bashkë me të janë përfolur edhe deputetët Hazbi Lika dhe Zulfi Adili, si dhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

Artikulli paraprakQelizat burimore mund të ndihmojnë kundër obesitetit
Artikulli vijuesJa si të ruani baterinë e iPhone, mos e karikoni gjatë natës