Asnjë aplikacion për gjyqtar e prokuror serb në Veri

0
168
Asnjë person nuk ka aplikuar deri më tani për gjykatës të Degës së Gjykatës së Apelit në veri të Kosovës, e as për gjykatës e prokuror të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore.
Pala serbe po kërkon rritje të numrit të stafit administrativ përtej 94 pozitave sa parasheh marrëveshja për drejtësi mes Kosovës dhe Serbisë. Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial po shqyrtojnë këtë kërkesë dhe zgjatjen e afatit të konkursit.
 
Integrimi i gjykatësve dhe prokurorëve serbë, sipas marrëveshjes për drejtësi që Kosova dhe Serbia nënshkruan në shkurt nuk po duket ende punë e kryer. Kjo çështje e pushtetit gjyqësor vazhdon të jetë komplet e varur nga agjenda politike dhe etnike.
 
Katër ditë para mbylljes së konkursit të hapur prej 6 javësh, asnjë aplikacion nuk është pranuar për atë që është vlerësuar si kompromisi më i madh i palës kosovare në sistemin e drejtësisë – Degën e Gjykatës së Apelit në veri.
 
Kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj konfirmon se nuk ka ende asnjë aplikacion për 5 pozitat për gjykatës serbë të Apelit në Mitrovicë të Veriut.
 
“Sa kam informacion unë asnjë kandidat nuk ka konkurruar. Nuk e di përse. Ata ose taktizojnë ose kanë një qëllim. Ndoshta edhe po presin që të paraqitën të gjithë përnjëherë në paketë”, i ka thënë Mekaj, Radio Kosovës.
 
Deri më tani interesim nuk ka as për 10 pozitat e tjera për gjykatës dhe prokurorë të nacionalitetit serb në këtë pjesë.
 
Një nga arsyet mbetet kërkesa e palës serbe për rritje të numrit të stafit administrativ, ndonëse nuk është konfirmuar se sa pozita të tilla po kërkohen, përveç 94 pozitave që përfshin marrëveshja për drejtësi.
 
Mekaj ka thënë se nëse deri me 25 maj nuk ka aplikacione të mjaftueshme do të kërkohet zgjatje afati për konkursin.
 
Por, kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci është shfaqur më optimist rreth procesit të aplikimit për integrim nga gjykatësit dhe prokurorët serbë sipas marrëveshjes për drejtësi.
 
“Ka interesime për konkursin, por numri i saktë do të dihet javën e ardhshme”, ka thënë Peci.
 
Peci po ashtu ka thënë se po shqyrtohet edhe çështja e kërkesës së palës serbe për stafin administrativ.
 
Por, nuk ka saktësuar sa pozita shtesë, përtej 94 pozitave administrative do të mund t’i jepen stafit serb.
 
Sipas marrëveshjes për drejtësi, aplikantëve do t’u njihet edhe përvoja e punës si staf paralel i drejtësisë në Kosovë.
 
Radio Kosova ka kontaktuar edhe kryetarin e gjykatës paralele në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, por ai nuk ka treguar vullnet të flas për hezitimin e stafit gjyqësor serb, për të konkurruar në pozitat e hapura për gjykatës.
 
Marrëveshja për drejtësi mes Kosovës dhe Serbisë parasheh që të ketë 10 gjykatës për Degën e Apelit në veri, pesë për serbët përfshi edhe kreun e degës dhe pesë pozita për gjykatës shqiptarë.
 
Kreu i Këshillit Gjyqësor Enver Peci dhe ai i Këshillit Prokurorial Aleksandër Lumezi nuk treguar nëse ka ndonjë kërkesë tjetër ,e cila mund të ketë rezultuar me mosinteresim për të konkurruar në këto pozita. /RTK/