Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore e Turqisë nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Sot në Tiranë është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, në kuadër të vizitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore Turqisë, Murat Çetinkaya, në Shqipëri.

Memorandumi është nënshkruar nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe homologu i tij turk, raporton AA.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Sejko duke mbajtur një fjalë përshëndetëse theksoi se ky memorandum është shprehje e vullnetit të përbashkët për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin reciprok mes dy vendeve, ndërsa homologu i tij turk e konsideroi si një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e informacionit dhe të përvojës mes dy institucioneve.

Çetinkaya theksoi se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende me marrëdhënie të ngushta të mbështetura në miqësi dhe besimin reciprok, veçanërisht sipas tij, kohët e fundit vihet re që marrëdhëniet dypalëshe janë rritur në një nivel shembullor.

“Turqia e shpreh mendimin se Shqipëria është një vend me rëndësi strategjike për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Edhe Shqipëria, duke e shpallur Turqinë partner strategjik në vitin 2013 ka theksuar rëndësinë që i kushton vendit tonë. Prej shumë vitesh kemi marrëdhënie të afërta me Bankën e Shqipërisë dhe midis dy bankave tona po zhvillohen shumë veprimtari të përbashkëta bashkëpunimi”, theksoi guvernatori i Bankës së Turqisë.

Sipas tij, me nënshkrimin e këtij memorandumi, dy bankat qendrore kanë vendosur të fillojnë një proces të ri bashkëpunimi.

Çetinkaya ndër të tjera u shpreh se: “Ky dokument që po nënshkruajmë sot kam bindjen se do të krijojë mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e informacionit dhe të përvojës dhe për rritjen në një nivel më të lartë dhe më të shëndetshëm të marrëdhënieve tona. Me këtë marrëveshje i kemi dhënë një dimension të ri marrëdhënieve të vazhdueshme me Bankën e Shqipërisë”.

“Turqia treg i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ekonominë e saj”

Sejko theksoi se dy vendet kanë elemente të mjaftueshme për të ndërtuar e konsoliduar urat e bashkëpunimit dhe se Turqia është treg i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ekonominë e saj.

“Turqia është partneri i katërt i tregtisë së Shqipërisë dhe partneri i gjashtë nga pikëpamja e investimeve. Në sektorin e shërbimeve, Turqia përfaqëson një destinacion të rëndësishëm për turistët shqiptarë; mesatarisht rreth 80 mijë shqiptarë udhëtojnë drejt Turqisë, ndërkohë që Shqipëria ka mirëpritur rreth 69 mijë udhëtarë turq në vitin 2016 dhe 38 mijë udhëtarë në harkun e gjashtë muajve të parë të vitit 2017. Aktualisht në Shqipëri veprojnë rreth 429 kompani të përbashkëta dhe interesi i investitorëve turq për Shqipërinë është i madh. Stoku i investimeve të huaja direkte nga Turqia llogaritet në rreth 481 milionë euro, duke përfaqësuar rreth 4.3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti”, u shpreh Sejko.

Sejko shtoi se investimet turke janë përqendruar kryesisht në fusha si energjetika, përpunimi i metaleve, telekomunikimi dhe ajo financiare. Për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, veçanërisht e rëndësishme është prania e kapitalit turk në sektorin bankar dhe financiar.

Në kuadër të memorandumit parashikohet organizimi i kurseve të përbashkëta të trajnimit, konferencave, seminareve dhe planifikohet të organizohen takime dhe vizita të ndryshme pune mes dy institucioneve. Gjithashtu synohet të hartohet kuadri institucional për protokollet e bashkëpunimit në një sërë fushash të bankingut qendror.

Artikulli paraprakNjë problem sigurie tek monedha digjitale bllokoi qindra miliona dollarë
Artikulli vijuesPër dhjetë vjet, qytetarët kanë paguar 280 milionë euro rrymë të pashpenzuar