BBC shkarkon Jeremy Clarkson

Hetimi i brendshëm i BBC-së në lidhje me incidentin, ku u përfshi producenti dhe prezantuesi popullor i “Top Gear” Jeremy Clarkson, fajësoi këtë të fundit për ngjarjen dhe vendosi shkarkimin e tij. 
 
Njëri prej drejtuesve të BBC-së, Lord Hall tha se vendimi nuk ishte i lehtë dhe ai do të përçajë opinionin publik, por shtoi se Clarkson kishte kaluar çdo limit dhe se ajo që ka bërë nuk mund të zhbëhet. 
 
Clarkson u pezullua më 10 Mars, pas një “përleshjeje” fizike me Oisin Tymon, producentin e emisionit, në një hotel në Yorkshire. E gjithë zënka besohet se ka nisur pasi Clarkson u ankua se nuk i ishte shërbyer ushqim i ngrohtë në përfundim të xhirimeve të radhës. 
 
BBC shkruan se “Clarkson mund të jetë popullor dhe BBC nuk ka dashur që ai të largohet. Ai vetë e ka pranuar se kishte marrë paralajmërimin e fundit për t’u shkarkuar. Sjelljet dhe gjuha e tij e kanë vendosur kompaninë nën kritika të forta”. 
 
Moderatorit i ishte dhënë një “paralajmërim final” disa javë më parë, pas përdorimit të një gjuhe të cilësuar si raciste gjatë xhirimeve në Argjentinë. Në atë kohë, ai tha se BBC e kishte paralajmëruar se do të dëbohej nëse do të përdorte “qoftë edhe një fjalë fyese, kudo dhe kurdo”. 
 
Fansat e tij kanë kërkuar në rrjetet sociale që ai të rikthehet, duke e konsideruar si të pazëvendësueshëm për emisionin. Në kuadër të një peticioni online janë mbledhur mbi 300 mijë firma. Sidoqoftë, ka edhe nga ata që kanë mirëpritur shkarkimin, për shkak të termave ofendues që prezantuesi përdorte për popuj dhe vende problematike.
 
Mes tyre nuk bëri përjashtim as Shqipëria, ku cilësoi si “zakon të popullit shqiptar vrasjen dhe transportin e kufomave në bagazhe automjetesh”, Meksika për shkak të dhunës së drogës apo dhe Mianmari, për shkak të diktaturës që ka kaluar. 
 
Clarkson, përveçse i famshëm, rezulton të jetë edhe i pasur. Përllogaritet se me drejtimin e “Top Gear” ndër vite ai ka siguruar rreth 30 milionë paund./
Artikulli paraprakEkspertët: Kriza vështirë do të zgjidhet pa një përfaqësues të lartë evropian
Artikulli vijuesKëta janë 10 të arrestuarit për fajde dhe zhvatje në Vushtrri (emrat)