Mr. Azmir Jusufi
Njeriu – pjesë e Tokës
Nuk ka asnjë dyshim në faktin që Allahu e krijoi tokën dhe e pasuroi me të gjitha elementet e nevojshme, atëherë ajo është vënë në shërbim të qenies njerëzore, në mënyrë që jo vetëm të jeton në tokë, por edhe të ushqehet nga ajo. Njeriu, si një qenie sociale është krijuar nga elementet e tokës, jeton në tokë, ushqehet nga toka dhe në fund përsëri trupi i tij do të kthehet në brendësin e saj dhe do të qëndrojë aty deri në një afat veç të caktuar nga Zoti.
Allahu xh.sh., ka krijuar një shumëllojshmëri të krijesave, ka nga ato që lëvizin në katër këmbë (kafshët) dhe ka nga ato që lëvizin në dy këmbë (njerëzit), por, ka edhe nga ato që fluturojnë (zogjtë). Gjithashtu, Allahu xh.sh., ka krijuar krijesat që nuk kanë nevojë as për ushqim, e as për pije, dhe ato janë melekët (engjëjt).
Përpunimi i Tokës sipas Kuranit dhe hadithit
Ne jemi dëshmitarë të faktit se sot bujqësia nënvlerësohet në një masë të madhe, ndërsa, personalitetet e famshme botërore tregojnë për begatinë, vlerën e saj dhe nevojën e miqësinë e njeriut me natyrën, e cila është një vazhdimësi e jetës sonë. Në këto begati dhe mirësi mes tjerash tregon edhe shkenca në përgjithësi. Përderisa ekonomistët tregojnë se bujqësia është një nga sferat më të rëndësishme në të cilën duhet investuar, e në veçanti në shoqëritë në tranzicion – të cilat janë në trendin e zhvillimit të tyre (të tilla siç janë veçanërisht shoqëritë në Ballkan).
Allahu xh.sh., dhe Pejgamberi s.a.v.s., nga njerëzit kërkojnë punë dhe përkushtim të veçantë për të fituar për veten dhe familjet e veta. Është obligim i çdo njeri që të fiton për familjen e tij, e para së gjithash, sadakaja më e mirë është ajo e shpenzuar në familje. Në një hadith të transmetuar nga Ibn Mes’udi r.a., Pejgamberi s.a.v.s., thotë: “Kur njeriu harxhon diçka për familjen e tij, me qëllim të sadakasë, do t’i llogaritet si sadaka!”[1]
Allahu xh.sh., në Kur’an, në suren el-Mulk, thotë: “Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja.” (El-Mulk, 15).
Ibn Kethiri, duke komentuar ajetin e sipërpërmendur,[2]përmend hadithin ku thotë se Omeri r.a., e kishte dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s., duke thënë: “Nëse do të mbështeteshit ju në Allahun, me tevekkulin e vërtetë, Ai do të ju kishte furnizuar ashtu siç i furnizon zogjtë, të cilët në mëngjes shkojnë të uritur, kurse në mbrëmje kthehen të ngopur.”[3]
Ibn Xhuzejj El-Kilbi El-Endelusi, citon mendimin e Ibn Abbasit r.a., i cili thotë se fjala manakib paraqet kodra, zona (fusha) dhe rrugët; dhe ushqehuni me furnizimin e Tij! Dhe Atij do t’i ktheheni (vetëm te Ai është e ardhmja), – pasi të ngjalleni në Ditën e Gjykimit.[4]
Nga ajeti i sipërpërmendur kuptojmë se Allahu xh.sh., e bëri Tokën të përshtatshme për jetën (dhe përpunimin e të njëjtës), të ecim mbi sipërfaqen e saj dhe të mendojnë për të gjitha llojet dhe peizazhet e saja simpatike dhe bukurive magjepsëse. Nga njeriu kërkohet për të punuar tokën, kurse frytet e kësaj pune Allahu xh.sh., sigurisht që do i jep.
Komentuesi i Kuranit El-Alusi[5], në tefsirin e tij shënon se Omer ibn Hattabi r.a., me një rast kaloi para një grupi njerëzish dhe i pyeti: “Kush jeni ju?” “Ne jemi ata të cilët mbështeten në Allahun”, thanë ata. “Jo, por ju vetëm shtireni sikur jeni nga ata që bëjnë tevekkul. Tevekkulin e vërtetë e bën njeriu që mboll farën në tokë, dhe pastaj mbështetet në Zotin e vet të Gjithëfuqishëm!”
Islami është fe e punës dhe përpjekjes, kështu që në Islam thuhet se më i mirë është ai që jep (sadaka – lëmoshë, zekat) se ai që pranon. Gjëja më e keqe është kur vetë njeriu e sjell vetën e tij në shkop të lypësisë, kurse është i aftë për punë. Më e vlefshme është dhe më e mirë për myslimanin që të merr me vete ndonjë sëpatë dhe litar dhe të shkon në pyll e të sjell ndonjë barrë me dru, të cilat mund t’i shet dhe të fitojë të holla dhe me fitimin e tyre të ushqen familjen e tij, në vend se të jetë i varur nga dikush tjetër. Varësia nga një njeri tjetër, në mënyrë graduale kalon në sëmundje.
Nëse shikojmë në praktikën e Pejgamberit s.a.v.s., në këtë segment të jetës së tij, ne shohim se ai kishte inkurajuar dhe motivuar për bujqësi. Për bujqësinë tha se është një adhurim përmes të cilës myslimani i bën ibadet Allahut xh.sh. T’i përmendim në vijim disa nga hadithet:
Enes ibn Maliku r.a., transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., kishte thënë: “Nëse do shfaqej Dita e Gjykimit, e në dorën e dikujt nga ju është fidani, nëse është në mundësi që të e mbjell, le të bënë atë.”[6]
Xhabiri r.a., transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Nuk ka mysliman i cili mbolli një fidan e që gjithçka që hahet nga ajo pemë të mos llogaritet për të si një sadaka, dhe ajo që vidhet nga ajo si sadaka, dhe ajo çka hanë kafsha prej saj si sadaka…”[7]
Enes ibn Maliku r.a., transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., kishte thënë: “Çdo mysliman që e përpunon tokën e papërpunuar, do të ketë shpërblim, dhe gjithçka që hanë zogjtë, kafshët dhe njerëzit nga frytet e punës së tij, do të ketë shpërblim nga Allahu xh.sh.”[8]
Allahu xh.sh., në Kuran thotë: “Ai (All-llahu) është që krijoi kopshte (bimët e të cilave) të ngritura lart (në shtylla) dhe të rrafshëta (të shtrira në tokë), edhe hurme dhe drithëra me frute (shije) të ndryshme; (krijoi) ullinjtë dhe shegët e ngjashme (nga forma) e jo të ngjashme (nga shija). Hani frutat e tyre kur të piqen dhe ditën e korrjes (të vjeljes) së frutave jepeni atë pjesë që është obligim (të varfërve e nevojtarëve)…” (El-En’am, 141).
Bazuar në këto shkronja kuranore, shohim harmoninë e veçantë të vendosur nga Zoti Fisnikë. Fillimisht që ne me duart tona duhet të kultivojmë tokën, prodhimet bujqësore, palmat dhe vreshtat, kështu që Zoti të na jep furnizim të llojllojshëm nga Thesari i Tij i pashtershëm, të shijojmë fruta dhe gëzojmë llojllojshmërinë e tyre, e kështu na obligon që të mos i harrojnë edhe të tjerët që kanë nevojë për to, na bënë me dije që në ditën e korrave të këtyre frutave t’u japim atyre që kanë të drejtë nga to.
Natyra –qetësia shpirtërore dhe trupore
Të përpunuarit e tokës – të qëndruarit në natyrë, sot është lëvizje e përhapur në botë, interesi i dobishëm dhe rekreacion. Jetën e njeriu modern e përcjellin peripecitë e ndryshme. Prandaj, njeriu, në mënyrë që të ruajë një ekuilibër (i lodhur nga puna e përditshme: shkenca, teknologjia, politika, të metave dhe virtyteve njerëzore), ai përpiqet për të gjetur një ekuilibër dhe kundërpeshë, të gëzojë kënaqësinë e tij në qetësi dhe të kalojë së paku një kohë të shkurtë në një mjedis më pak të zhurmshëm. Disa orë të cilat njeriu i kalon në ajër të pastër, në kopshtin e vetë, janë një pushim i mirë dhe relaksim, për të cilin aq shpesh shkruhet në shtyp dhe flitet në radio e televizion.
Krizë
Njeriu gjatë një dite, në veçanti sot, mund të dëgjon disa herë këtë term. Ne nuk e mohojmë faktin se në thelb është një krizë, megjithatë, njeriu është shkaku i vërtetë i të njëjtës krize rreth së cilës flet, shkruan dhe dëgjon. Në një gazetë ditore në gjuhën maqedonase, përmendet rasti i një plaku dhe një grupi të rriturve të cilët udhëtonin me tren. Këta vazhdimisht ishte duke folur për krizën. Plaku i vlefshëm dhe i mençur u tha:“Veç është dreka, e ju vetëm që jeni zgjuar nga shtretërit tuaj, madje akoma jeni të përgjumshëm, kjo mund të shihet në sytë e juaj. Pandërprerë ishit duke folur në lidhje me krizën, e sa mund të shoh ju asgjë nuk jeni duke punuar e mbani telefona nga modelet e fundit me siguri dhe jeni veshur me veshje të shtrenjta. Shikoni për një moment nga dritarja. Çfarë shihni ju, shkreti- vend të papërpunuar, të pa kultivuar e me plot gjemba, tokë të braktisur që kohësh, e që e njëjta kjo tokë dikur ishte e përpunuar, e kultivuar dhe atëherë nuk kishte krizë, sepse të gjithë punonim. Ju jemi të rinj dhe entuziastë, e nuk doni për të punuar. Jeni zgjuar në drekë dhe flisni për krizën. Derisa ju jeni zgjuar që tani, unë tashmë i kam kryer punët dhe obligimet e mija: e kam mjelë bagëtinë, e kam përgatitur qumështin dhe e kam shitur, dhe tani veç jam duke u kthyer për në shtëpi.”
____________________
[1] Hadithin e shënon Buhariu në Sahihun e tij.
[2] Ibn Kethir, Tefsir Ibn Kethir (Version i shkurtuar), versione më të sakta i përzgjodhi: Muhammed Nesib er-Rifa’i, grupi i përkthyesve, Sarajevë, 2012, f. 1407.
[3] Tirmidhiu, Nesa’iu dhe Ibni Maxhe nga Ebu Hurejre, r.a. Tirmidhiu thotë se hadithi është i mirë –sahih.
[4] Ibn Xhuzejj El-Kilbi El-Endelusi, Olakšani komentar Kur’ana, vëllimi 6., përktheu dhe arabishtja dhe shënimet: Nedžad Ćeman, Libris d.o.o., Sarajevë, 2014, f. 185.
[5] Mahmud Alusi el-Bagdadi, Tefsiru-l-Alusi (Ruhu-l-meani fi tefsiri-l-Kur’ani-l-adhim ve seb’i-l-methanijj), vëll. 29, f. 15.
[6] Hadithin e shënon Ahmedi në Musnedin e tij, III: 191.
[7] Hadithin e shënon Muslimi në Sahihun e tij.
[8] Hadithin e shënon Buhariu, nr. 2195, dhe Muslimi, nr. 1553.
(Islampress)