Sali Berisha bëri thirrje që të ndalet presioni ndaj dëshmitari në çështjen CEZ – DIA, Elvis Mataj. Ai tha se Mataj po kërkon të shpëtojë 135 milionë euro të shtetit shqiptar. Por Berisha hodhi dyshime se zyrtarë të caktuar janë të interesuar që Kastriot Ismailaj ta fitojë çështjen në arbitrazh. Dyshimet ai i lidhi jo vetëm me presionin që po i bëhet dëshmitarit Mataj, por edhe faktit se Shqipëria mori përsipër çështjen CEZ – DIA edhse pse CEZ në Vjenë kërkoi që ajo të mbetej e saj si diçka që kishte të bënte me dy kompani private.
“Pse në Vjenë kur CEZ tha: çështjen DIA e marr unë përsipër. Po pse pala shqiptare tha se e merrte ajo përsipër? Përse u bë kjo? Për çfarë interesash? Çdo presion ndaj tij (dëshmitarit) është shumë i gabuar, shumë i padrejtë. Sepse ai vuri veten në anën e interesit publik, duke marrë parasysh çdo lloj rreziku. Akuzat se ka nxjerrë dokumente janë më qesharake. Si mund ta merrte ai kopjne e prokurorit. Kopjen e marrin vetëm ata që e nxjekin çështjen ligjërisht. Kopja shkoi në Vjenë. Atëherë pse e paska nxjerrë ai kopjen? Hiqni presionet ndaj tij. Sepse ai po mbron 135 milionë euro të shtetit shqiptar. Sepse Ismailaj nuk ka pranuar 29 milionë euro, por ka kërkuar 135 milionë euro. Sepse ai ka një garanci. Se nga një çështje CEZ – DIA kaloi çështje mes Shqipërisë dhe DIA. Sepse në OSHEE ka disa të interesuar të fitojë Kastriot Ismailaj. Mos bëni presion ndaj atij njeriu që po lufton të shpëtojë 135 milionë euro”, tha Berisha në Parlament.
Ai iu drejtua edhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, duke i thënë se nuk mund të fshihet pas përfshirjes në këtë çështje ish –kryeministrin Vilson Ahmetaj. Berisha tha se edhe pse ambasadori ynë në Pragë nuk mund të dëshmojë më për vizitën e Metës në Pragë, ka dëshmi e prova të tjera që faktojnë se udhëtimi i Metës kishte synim ndërhyrjen tek CEZ që kompanisë DIA t’i jepej kontrata për të mbledhur borxhet e CEZ.