-Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në mbledhjen e rregulltë të mbajtur më 27. 01. 2016, përveç tjerash shqyrtoi edhe çështjen organizimit të Haxhit, si kusht i pestë islam.
Pas analizave të shumta rreth organizimit të haxhit në të kaluarën e duke marrë parasysh sistemin dhe rregullat organizative të Haxhit nga Minsitria e Haxhit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, mos zbatimi i të cilave sjell dënime dhe pasoja të mëdha për organizatorët e haxhit, Rijaseti i BFI-së unanimisht solli vendim që organizimi i Haxhit duke filluar nga ky vit (2016) të organizohet vetëm përmes vijës ajrore, kështu duke unifikuar organizimin e haxhit me Republikën e Kosovës, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Turqisë.
Nisur nga kjo, Rijaseti si organizator i vetëm legjitim me kohë informon besimtarët islam të vendit që të mos bien pre e individëve dhe agjencioneve, që eventualisht paraqitën si organizator të haxhit sepse nuk do të ketë organizim tjetër përveç atij të Bashkësisë Fetare Islame në RM.
Gjithashtu informojmë besimtarët islam, respektivisht ata të cilët kanë vendosur ta kryejn këtë obligim fetar, se regjistrimi do të bëhet shumë më herët e për këtë dhe për detaje tjera rreth organizimit do t`u informojmë me kohë.