BFI: Vendosja e kryqit në Butel, provokim

Bashkësia Islame në Maqedoni me indinjatë po i  përcjellë zhvillimet e fundit lidhur me iniciativën e ndërmarë për vendosjen e një kryqi grandioz në lagjen Butel të Shkupit. Thjeshtë, jemi të habitur nga papërgjegjësia e atyre që me aq lehtësi e kanë nisur këtë provokim të radhës i cili po i shqetëson tej mase besimtarët muslimanë në tërë vendin. Aq më tepër, po na habitë fakti se pushteti qendror dhe një pjesë e mediave janë tërësisht indiferentë ndaj këtij akti që prekë thellë në raportet ndërfetare në këto kohë të një paqartësie politike që ka kapluar vendin.

Me qëllim që të mënjanojmë tensionimet e krijuara pa nevojë nga ky provokim i dikujt që nuk e dëshiron të mirën e këtij vendi e që simbolet fetare po i keqpërdorë për të destabilizuar marëdhëniet ndërfetare e ndërnacionale, po apelojmë që urgjentisht të shfuqizohet vendimi për vendosjen e kryqit në lagjen Butel.

Po përkujtojmë se në komunën Butel, gadi gjysma e banorëve i takojnë besimit Islam kurse përbërja nacionale e tyre është e shumëllojshme. Nëse dikush ka pasur për qëllim që me ndërtimin e  kryqit të “revanshohet” për vendosjen e shqiponjës në komunën e Cairit, po theksojmë se shqiponja është simbol kombëtar kurse kryqi është simbol fetar, andaj nuk paraqet “kundërpërgjegje” adekuate.

Bëjmë thirrje deri te të gjithë njerëzit qëllim mirë, te Qeveria e RM, organet komunale të Butelit dhe të qytetit të Shkupit, te partitë politike të të gjitha orientimeve dhe ve=anërisht i drejtohemi korit diplomatik në vend që të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar eskalimin e pakënaqësisë që ka përfshirë besimtarët muslimanë të vendit.

Mbetemi me shpresë se zëri i arsyes të cilin po e ngrit Bashkësia Islame në Maqedoni, do depërtojë deri te faktorët që mund të parandalojnë zhvillimet e pa parashikueshme që mund të lindin. Ne edhe me këtë rast shprehim respektin për të gjitha fetë dhe për simbolet e tyre fetare por jemi të bindur se ato i kanë vendet e tyre të caktuara ku mund të vendosen.

Artikulli paraprakVIDEO – A është haram me e shpu veshin djemt
Artikulli vijuesKryqi dhe shqiponja përplasin Oranën dhe Trajanovski