Biden në Kosovë dhe të Pathënat për ndikimin e vizitës së tij

Vedat Xhymshiti

Zv Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden viziton sot Kosovën, dhe përfaqësuesit e tij diplomatik në Kosovë, kanë thënë se vizita e tij ka për qëllim të mbështesë proceset demokratike në vend.
Para se të zhytemi më tej në këtë përgjigje të Ambasadës amerikane drejtuar të përditshmes së Kosovës “Koha Ditore”, unë do të doja të theksoj disa gjëra me rëndësi.
Mendoj se duhet ta kujtojmë se çdo here kur udhëheqja e parties qeverisëse [PDK] e Kosovës gjendet në një krizë politike, vendi është vizituar nga një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane, por jo për bashkëpunim të veçantë bilateral, apo mbështetje të vendit në përparim dhe luftë kundër krimit. Në fakt, zyrtarët amerikanë gjithnjë kanë zbarkuar në Kosovë për të ushtruar presion ndaj opozitës politike në vend në mënyrë që t’ua lehtësoj partisë në pushtet për të vazhduar me procesin e dëmshëm politik. Kështu SHBA-të kanë përdorur edhe mediat e vendit për të dërguar mesazhet e tyre kërcënuese ndaj popullatës civile se “askush të mos guxoj të qëndroj kundër veprimeve politike të qeverisë së Prishtinës të cilat po mbështeten nga SHBA-të”. E për çmimin e rëndë që po e paguan kurrizi i shqiptarëve në Kosovë, SHBA-të asnjëhere nuk duket të jenë të interesuar për ta kuptuar problemin e tyre. Interesimi i SHBA-së duket të jetë shkëputja e Beogradit nga Moska, por jo edhe pavarësia dhe ndarja e plotë e Kosovës nga Serbia.

Gjashtëmbëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë, udhëheqësia politike e vendit nuk arriti të gëzoj legjitimitet të plotë të popullsisë së saj, pasi në vazhdimësi më pak se 51% e popullsisë zgjedhore të vendit kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Zyrtarët amerikanë e kanë injoruar vazhdimisht opozitën politike të vendit. Ata asnjëhere nuk janë takuar me opozitën, derisa pretendojnë se duan zgjidhjen e problemeve në vend. Ata, kurrë nuk i kanë dëgjuar shqetësimet e tyre, mënyrë kjo që dëmton ‘Unitetit Politik” të vendit. Në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë sjellur një porosi për popullatën e vendit se ata nuk duhet të votojnë ndonjë parti tjetër në vend, pasi partitë e tjera nuk kanë mbështetje nga SHBA-të, të cilët janë jodemokratik dhe të kontrolluar nga një grusht Oligarkësh, siç konfirmon studimi i vitit 2014 i Universitetit Princeton.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e të cilëve kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në shumicën e vendeve të BE-së. Si çdo vit tjetër, qeveria kishte premtuar qytetarëve se në muajin gusht të këtij viti të gjithë do të udhëtonin pa viza. Por, kjo nuk ndodhi, pasi SHBA-të dhe Evropa janë në favor të qartë të Serbisë, pavarësisht zërave të dikurshëm se liberalizimi i vizave ndaj Serbisë do të kushtëzohej më njohjen e Kosovës. Gjë që nuk ndodhi, por ndoshta edhe mediat në Kosovë kanë gënjyer bashkë me politikanët e vendit.

Kosova vazhdimisht po kërcënohet dhe shantazhohet duke bërë veprime të favorshme për Serbinë si pasojë e miqve tanë amerikanë dhe evropianë, të cilët kanë pasur njohuri të gjerë për disa vjet të lidhjeve kriminale të Presidentit Hashim Thaçi, duke përfshirë të gjithë strukturën e partive politike në vend, pa ndonjë përjashtim.

Për ironi, një raport i Zërit të Amerikës i transmetuar nga e përditshmja ‘Zeri’ thotë: “Vizita e tij e gjen Kosovën në një periudhë tensionesh për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.” — Pra zv.Presidenti Biden po vjen në Kosovë për të mbështetur zgjerimin territorial të Malit të Zi, një vend i cili pavarësisht presioneve nga Beogradi dhe Moska, këtë vit është anëtarësuar në NATO, e si shpërblim me sa duket amerikanët kanë vendosur t’i japin Malazezëve ca troje shqiptare.

Vendi është përballur me krizën më të rëndë politike që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Që nga tetori i vitit të kaluar opozita ka ndërprerë punën e Kuvendit duke përdorur gaz lotsjellës, pluhur të specit djegës, bilbila dhe shishe me ujë, duke kërkuar që qeveria të heqë dorë nga një marrëveshje me Serbinë e cila marrëveshje ofron më shumë kompetenca për komunitetet etnike serbe, si dhe një tjetër me Malin e Zi në demarkacionin e kufirit. Shumë anëtarë të opozitës në vend shpesh herë janë larguar me forcë nga zyrtarët e sigurisë ndërsa ata janë të ulur në seancat parlamentare dhe dërgohen në paraburgim për rolet e tyre të dyshuara në veprimet penguese ndaj seancave parlamentare.

Opozita që i ka bllokuar punimet e Kuvendit që kur parlamenti i vendit miratoi ngritjen e një gjykate të posaçme për krime lufte ka pretenduar se qëllimet e saj janë për të zbrapsur marrëveshjet e Prishtinës me Beogradin dhe Podgoricën: që e para legjitimon ndarjen faktike të territorit të trazuar verior nga seperatistët e armatosur pro-Serbisë; dhe e dyta njeh legjitimitetin e një marrëveshjeje në mes të Beogradit, Podgoricës dhe Shkupit zyrtar në trekëndëshin e kufirit Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni. Në të vërtetë këto marrëveshje nuk ishin protestuar nga ndonjë parti politike në kohën e nënshkrimit të tyre në vitin 2001, dhe as më vonë.

Prishtina dhe Beogradi kanë bërë disa marrëveshje të tjera të cilat nuk kanë qenë në interes të territorit shkëputur nga Jugosllavia, por opozita në Prishtinë nuk ka treguar ndonjë interes serioz për t’i kundërshtuar ato. Megjithatë, disa anëtarë të partive politike të themeluara nga kryekomandantët e luftës besohet të jenë cak i gjykatës speciale për krime të luftës.

Tutje raporti i Zëri të Amerikës thotë: “… në takimet e tij në Prishtinë pritet që të diskutohet edhe përballja me ekstremizmin e dhunshëm si një sfidë në nivel botëror, por edhe me krimin e organizuar dhe korrupsionin.”

Të jemi të qartë këtu, ekstremizmi i dhunshëm është përballja e vetë SHBA-ve me pasojat e veprimtarisë së tyre “demokratike” duke bombarduar dhe pushtuar vendet e Lindjes së Mesme, duke kërcyer si »Lugetër« nga një vend në vendin tjetër duke bërë vrasje masive të civilëve të pafajshëm dhe të paarmatosur në emër të luftës kundër terrorit, duke bombarduar spitale të Mjekëve Pa Kufij, duke vrarë gazetarë, duke cënuar liritë e mediave dhe veprimtarëve të të drejtave dhe lirive të njeriut, veprime këto të cilat nuk i ofrojnë mundësi qeverisë në Uashington të luajë lojën e vlerave universale për demokraci dhe liritë njerëzore.
Pastaj, përballja me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilin vetë amerikanët e kanë mbështetur në vazhdimësi?

Rrjedhja e dokumenteve nga WikiLeaks si dhe dosja e fshehtë e NATO-s e cila ishte zbuluar dhe botuar në vitin 2011 nga mediat Perëndimore, sugjerojnë se strukturat e jashtme të kryesuara nga SHBA-të dhe ato vendore të nivelit politik, ushtarak, policor dhe ato të drejtësisë, kanë heshtur për më shumë se 16 vjet para të dyshuarve të krimit, duke iu ofruar atyre një parajsë pa pasoja.

Këto rezultate sugjerojnë se amerikanët dhe evropianët do të vazhdonin ta bënin një sy qorr ndaj bandave të krimit në pragun e tyre, në qoftë se nuk do të kishte individ të brendshëm për të zbuluar provat e përfshirjes së politikës evropiane dhe asaj amerikane në këtë skandal të pashoq, e të cilit nuk po i duket fundi. Përpjekja e BE-së për të ndikuar pozitivisht Kosovën ka dështuar ndjeshëm nga fakti se disa prej zyrtarëve të saj të lartë në kuadër të ‘Misionit për Sundim të Ligjit’ – [EULEX-it], janë të gjetur të përfshirë në po të njëjtin krim të organizuar dhe korrupsion që ata kanë qenë të mandatuar për të luftuar në përpjekjet e përbashkëta me institucionet vendore.

Pastaj, për çfarë mbështetje demokratike po bëhet fjalë, kur Ambasada amerikane vazhdimisht në mënyrë arbitrare dhe të padrejtë duke shkelur edhe protokollin e Konventës së Vjenës për diplomaci, ka ndërhyrë në procesin e brendshëm politik, duke i mbështetur në mënyrë të pandalshme politikanët jo vetëm të korruptuar, por edhe të akuzuar zyrtarisht për përfshirjen e tyre në krime lufte. Ardhja e Presidentit Biden në Kosovë në kohën kur vendi është në një krizë politike që nga viti i kaluar është edhe një veprim tjetër i cili shënon vazhdimësinë e ndërhyrjes së politikës amerikane në çështje të brendshme, veprim ky i cili me të drejtë duhet t’i zemëroj qytetarët e vendit, e të cilët asesi nuk duhet të lëshojnë rrugë edhe nëse politikanët iu binden kërcënimeve nga qeveria jodemokratike e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është akuzuar rëndë nga Këshilli i Evropës për përfshirje në krim dhe korrupsion, duke përfshirë edhe dyshimet se ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për shembull dyshimet e “tregtisë me organe” gjatë luftës kundër forcave serbe të Jugosllavisë në vitin 1999. Një tjetër raport, e identifikon atë si një nga “peshqit më të mëdhenjë” në krimin e organizuar në vendin e izoluar e të rrethuar me kodra e male.

Kosova është vendi më i varfër dhe më i izoluar në Evropë. Një e treta e fuqisë punëtore është e papunë, dhe korrupsioni është i përhapur kudo. Papunësia e të rinjve [atyre të moshës 25 dhe nën] qëndron në dy nga tre, dhe gati gjysma e 1.8 milion qytetarëve të Kosovës konsiderohen të jenë të varfër. Nga dhjetori 2014 deri në shkurt 2015, rreth pesë për qind e popullsisë ishin detyruar të largoheshin nga vendi në një përpjekje për të gjetur një jetë më të mirë, studime dhe punë më dinjitoze, duke marrë rrugën e pasigurt drejt vendeve më të pasura në BE.

Përderisa udhëheqësia e gjerë politike në vend është e përfshirë thellë në krimin e organizuar dhe korrupsionin politik, është pothuajse e pamundur të mendohet se vendi do të jetë në gjendje të afirmohet për t’i fituar të drejtat e lirisë së lëvizjes, si dhe mundësinë për të ofruar një jetë të dinjitetshme për të gjithë qytetarët e vendit. Retorika nacionaliste është në vazhdimësi duke u përdorur nga krerët politik në kohën kur vendet anëtare të NATO-s në samitin e Varshavës, kanë shprehur pajtueshmërinë e plotë në parim për të ecur përpara.
Zv. Presidenti Amerikan Joe Biden, do të takohet me Presidentin Hashim Thaçi.

Me njeriun i cili gjatë kohës sa ai ishte Kryeministër, në qershor të vitit 2012, u vodhën 25/kg ari në dhomën e dëshmive të Policisë në Pej dhe fajtorët nuk u gjetën kurrë;
Me njeriun i cili partizoi dhe rrënoi skajshëm kualitetin e edukimit dhe arsimimit universitar; Me universitetin publik të zhytur thellë në plagjiaturë akademike dhe me mbi 30 universitete private që kishin prodhuar gjenerata të tëra prej diplomave, ku shumica e profesorëve, ishin bashkëpartiak të Hashim Thaçit;
Me njeriun i cili shkaktoi që të gjitha raportet e progresit të BE-së të vinin me nota negative, veçanërisht duke u përqëndruar në thirrjet e vazhdueshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; Të gjitha raportet ndërkombëtare e kishin renditur Kosovën si vend gjysmë-autoritar dhe me korrupsion jashtëzakonisht të lartë;
Me njeriun i cili përveq që ishte akuzuar nga Këshilli Evropian për dyshimet e përfshirjes së tij në tregtinë e organeve, gjatë kohës sa ai ishte kryeministër, shëndetësia publike jo që ishte shkatërruar, por në klinikat private u gjetën dëshmi të cilat pohuan se tradita e dyshimeve për tregti me organe nuk kishte përfunduar në vitet e hershme, ajo kishte vazhduar me klinikën ‘Medicus’ në Prishtinë;
Me njeriun i cili nga një skandal në tjetrin Kosovën e bëri top-temë të mediave botërore pas akuzave të Këshillit të Evropës, sipas të cilave Thaçi kishte udhëhequr një grup kriminal, të cilët kishin trafikuar organet e serbëve në atë që njihet si ‘Shtëpia e Verdhë’;
Me njeriun i cili gjatë detyrës së tij si shef i kabinetit qeveritar, Këshilli Qëndror Zgjedhor ishte detyruar të tërhiqej nga kërkesa e tyre për të instaluar kamerat e vëzhgimit në vendvotime, diçka që pasoi me manipulim masiv të procesit zgjedhor;
Me njeriun që Kosova, i pagoi € 6 milion euro një kompanie izraelite për ta promovuar vendin e ri, me një material publicitar që doli të ishte plagjiat;
Me njeriun që gjatë karrierës së tij kryeministrore shkatërroi ekonominë e vendit, duke e aplikuar privatizimin neoliberal siç ishte bërë në vendet Afrikane dhe ato të Amerikës Latine, duke rezultuar që fabrikat dhe ndërmarjet të shiteshin por investimet të mos vinin kurrë. Distribucioni i KEK-ut ishte shitur për vetëm € 26 million euro;
Me njeriun që kishte nënshkruar një marrëveshje pa çmim për autostradën e kombit, që rezultoi të ishte autostrada më e shtrenjtë në Evropë, duke i siguruar ambasadorit amerikan Christopher Dell një emërim si drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i ‘Bechtel & Enka’ për kontinentin Afrikan.
Me njeriun që e kishte dhënë me concession Aeroportin e Prishtinës për 20 vjet, për vetëm € 100 milion euro, deri tek fakti ku Dino Asanaj, i cili kishte udhëhequr procesin e privatizimit, ishte raportuar të ishte vetëvrarë, pasi ai siç thuhej e kishte goditur trupin e tij 12 herë me thikë.
Të zezat nuk kanë fund këtu, ato vazhdojnë me fillimin e valës së parë të imigrimit që solli tragjedinë në Lumin Tisa, deri tek ikja masive e mbi 5% e qytetarëve të vendit gjatë dhjetorit 2014 dhe shkurtit 2015. Kosova mbeti pa pjesën e saj të bregut verior të Mitrovicës dhe pa ushtri. Mbi 50% e qytetarëve jetojnë të papunë dhe thuajse gjysma e tyre jetojnë në varfëri.

Pra, ky është njeriu të cilin e kanë mbështetur, ngritur dhe shpëtuar nga përmbytja amerikanët, të cilit vetëm brenda vitit 2011 i ishin refuzuar mbi 25 kërkesa për t’u takuar me krerët e vendeve të ndryshme Perëndimore. Me këtë politikan marionetë të miqve tanë amerikanë, Kosova bisedoi me Serbinë pa kushte, pa dënimin e krimeve të luftës, pa kthyer të pagjeturit, pa marrë dëmshpërblimet e luftës, pa marrë fondin pensional dhe artefaktet arkeologjike. E kur Hashim Thaçi u bë ministër i jashtëm, Kosova mbeti e izoluar pa liberalizim të vizave, deri tek dështimi i anëtarësimit të saj në UNESKO, deri tek humbja e mbi 9000 hektarëve tokë të bujqve shqiptarë, pasi ai nënshkroi një marrëveshje të demarkacionit kufitar me Malin e Zi, për të cilën veprimtari politike ai mbështetet nga SHBA dhe Evropa.

Kosova, e cila është e banuar me shumicë shqiptare, shpalli pavarësinë nga Serbia me mbështetjen e Perëndimit në vitin 2008, pothuajse një dekadë pas sulmeve ajrore të NATO-s, të cilat dëbuan forcat e sigurisë Serbe të jugosllavisë, të cilët ishin akuzuar për vrasjen dhe dëbimin e civilëve shqiptarë gjatë operacioneve të tyre kundër një kryengritje të armatosur në vitet 1998- ’99. Njeriu i fortë i Beogradit Sllobodan Millosheviq, i mbijetoi një gjykimi të mundshëm për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në të gjithë Gadishullin e Ballkanit, pasi thuhet se ai vdiq gjatë procedurës verifikuese në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi me seli në Hagë. Serbia dhe pasardhësit e Millosheviqit [shokët e tij!], të cilët kishin luajtur një rol të rëndësishëm në spastrim etnik, vrasje masive dhe masakrimin e civilëve të pafajshëm e të pambrojtur në Jugosllavinë e atëhershme, u shpërblyen me lirinë e lëvizjes në të gjithë tokën evropiane, me një autoritet të vazhdueshëm fuqiplotë në politikën rajonale të Evropës Juglindore, duke mos e humbur kontrollin territorial dhe ndikimin politik mbi dy vendet e fundit [Bosnja e Hercegovina dhe Kosova], të cilat synojnë të pavarësohen plotësisht nga ajo, e cila i ka trashëguar territoret nga ish-Jugosllavia.

Liria është ende e shtypur nga pesha e sundimit të kryekomandantëve të Kosovës. Kosovarët mund të kenë talentet e rendit më të lartë, por për ta, duket sikur nuk ka rrugë për të përparuar apo për t’u dalluar, pasi me sa duket tani për tani, ata nuk mund të shpresojnë për të arritur këto privilegje, ndërsa shpresat e tyre për një jetë kualitative dhe të dinjitetshme mbeten të lidhura me zinxhirët e politikës amerikane e cila po i mbështet rrjetet e krimit në vend.
Biden në Kosovë dhe të Pathënat për ndikimin e vizitës së tij

Artikulli paraprakStudimi i Associated Press: Të rekrutuarit e ISIS-it, injorantë dhe pa lidhje me Islamin
Artikulli vijuesShëroni ulcerat aftoze në buzë brenda pak minutave në mënyrë natyrale