Bilall Kasami: Aparatet e përgjimit, gjoja të shkatërruara, janë rrezik potencial për shtetin

Sot, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, mbajti një konferencë për media në të cilën shprehi mbështetjen e plotë për punën e Prokurorisë Speciale.

“Lëvizja BESA e përkrah plotësisht punën e Prokurorisë Speciale, mirëpo njëkohësisht ngrit shqetësimet e saj lidhur me dyshimet dhe provat që deri më tani i ka paraqitur kjo prokurori. Sot patëm mundësi ta dëgjojmë rastin е publikuar nga Prokuroria Publike Speciale në lidhje me përgjimet e paligjshme të komunikimeve nën emrin “Fortesa. Në rastin “Fortesa”, e dyshuara e tretë është ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, në bashkëpunim me krerët e Departamentit të Sigurisë dhe Kundërzbulimit pranë MPB-së, të cilët i kanë shkatërruar mjetet e MPB-së për përgjim, duke shkaktuar dëmtim të buxhetit të shtetit mbi 10 milionë euro. Ish ministrja Gordana Jankullovska e ka nënshkruar dokumentin për themelimin e një komisioni që do t’i asgjësojë mjetet përgjuese. Shtrohet pyetja se pse ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska, dhe autoritetet e tjera të kësaj ministrie i kanë shpallur të pavlefshme dhe të vjetruara mjetet e përgjimit, me pretekstin se duhej të asgjësoheshin? Si mund të urdhërohet asgjësimi i një aparature të sofistikuar të përgjimit në vlerë prej mbi 10 milionë euro? Ndonëse dyshohet se shkatërrimi i mjeteve është bërë me qëllim që të fshihen vepra paraprake, kush mund të garantojë se këto pajisje janë asgjësuar me të vërtetë dhe se ato nuk kanë rënë në duart e ndonjë grupi apo subjekti të caktuar, që do t’i shfrytëzonte ato për t’i përgjuar qytetarët e Maqedonisë?”, tha kryetari Kasami.

Sipas tij, në këto rrethana, kur vihet në rrezik privatësia e çdo shtetasi të Republikës së Maqedonisë, kur shkelen të gjitha normat juridike të privatësisë së individit, Maqedonia rrezikon

të shndërrohet në një vend, ku një grup i caktuar mund ta përgjojë një popull të tërë dhe çdo material ta shfrytëzojë për qëllime të ngushta në kundërshtim me çdo normë juridike.

Artikulli paraprak“Fortesa”, bëhet arrestimi i parë me kërkesë të Katica Janevës (FOTO)
Artikulli vijuesLauren Booth: “Erdogan, lideri më i guximshëm në mesin e muslimanëve”