“Në bazë të nenit 43, paragrafi 15 të Statutit të Lëvizjes BESA, Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA në mbledhjen e tij diskutoi për zhvillimet aktuale politike dhe konstatoi se:
- me shpërbërjen e njëanshme të Parlamentit, gjendja politike në vend është tejet serioze dhe në këtë mënyrë është vënë në pikëpyetje edhe e ardhmja euro-atlantike e vendit;
- është devalvuar Marrëveshja e Përzhinës, e arritur falë asistencës së BE-së dhe SHBA-së, ngase nuk janë përmbushur pikat e saj qendrore për pastrimin e listës zgjedhore dhe reformat e nevojshme në media;
- vendimi i z. Ivanov për të falur vepra të rënda kriminale ka krijuar pasoja serioze politike për vendin, ngase kështu de facto është bërë tentim për ta suprimuar punën e Prokurorisë Speciale Publike, që ishte arritur me shumë mund dhe ndihmë të bashkësisë ndërkombëtare;
- vendimi i z. Ivanov ka shkaktuar situatë të tensionuar në gjithë vendin, pasojat e së cilës mund të jenë të paparashikueshme dhe fatale edhe për sigurinë dhe paqen në vend,
Duke u bazuar në këtë, Këshilli Qendror konkludoi se në Maqedoni nuk ka as kushte minimale për zgjedhje të lira, korrekte, demokratike e të drejta dhe për këto arsye mori vendim që Lëvizja BESA, në këso kushtesh, të mos marrë pjesë në zgjedhjet e paracaktuara njëanshëm për 5 qershor nga partitë qeveritare VMRO-BDI.
Nisur nga kjo Lëvizja BESA mbetet e përkushtuar që ta japë kontributin e saj në demokratizimin e vendit dhe tejkalimin e kësaj krize serioze, për të cilën BESA konsideron se mund të zgjidhet vetëm përmes një procesi të RIDEFINIMIT të Maqedonisë si shtet konsensual i shqiptarëve dhe maqedonasve.
Shkup, 30.04.2016; Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA; Bilall Kasami, kryetar”, –thuhet në njoftimin e BESËS.