Bombarduesit rusë ngrihen nga Irani për sulme ajrore në Siri

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se avionë luftarakë rusë të dislokuar në Iran goditën objektivat në Siri. Bombarduesit rusë TU-22M3 dhe SU-34 janë ngritur nga baza ajrore e Hamedanit, në perëndim të Iranit.

Avionët rusë kanë bombarduar mbi Halep, Idlib e Dejr ez-Zur, duke lënë 27 civilë të vrarë sipas raportimeve nga terreni.

Kjo mendohet të jetë hera e parë që Rusia kryen sulme mbi Siri nga një vend i tretë, në këtë rast, nga Irani, aleati kryesor në rajon i Beshar Esadit.

Avionët dhe helikopterët rusë janë ngritur gjer më tani në fushatën bombarduese nga bazat ajrore në Siri, por edhe në Rusi, për t’u dislokuar së fundi dhe në Iran.

Bombarduesit e rëndë Tupolev-22M3 kanë kryer prej kohësh sulme ajrore në Siri, por duke u ngritur nga bazat në jug të Rusisë. Dislokimi në Iran do ta shkurtojë me 60 për qind kohën e fluturimit të avionëve, duke i bërë misionet e tyre më të efektshme.

Baza ajrore iraniane pranë Hamedanit gjendet në veriperëndim të vendit, dhe bombarduesit rusë do duhet të fluturojnë mbi Irak për të kryer sulme ajrore në Siri. Një analist ushtarak rus, Pavel Felgenhauer, e ka cilësuar një “lëvizje të madhe” zhvendosjen e bombarduesve të rëndë në Iran.

Ky dislokim flet për intensifikimin e fushatës ajrore ruse në Siri, duke reflektuar dhe shkallën e luftimeve në Halep./tesheshi.com/

Artikulli paraprakAnkaraja, SHBA-ve: Kuptojeni se tashmë ekziston një Turqi e re
Artikulli vijuesKush është hoxha që u vlerësua si “Skënderbe” e që i shkroi presidentit Wilson