Buhariu

Imam Buhariu
 
 
 
Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm All-llahut subhanehu ue teala, Dhuruesit të gjitha të mirave, paqa dhe mëshira e Tij qoftë mbi të Dërguarin e Tij, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e pasojnë në mënyrën më të mirë. Prej begative më të mëdha që All-llahu subhanehu ue teala na ka dhuruar janë dijetarët e Islamit. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dijetarët janë zëvendës të pejgamberëve”. 
 
 
Këtë po e shohim dita ditës dhe po bindemi edhe më tepër në fjalët e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem. Çdoherë kur kemi nevojë për sqarim të diçkaje nga feja jonë patjetër duhet t’u kthehemi dijetarëve se ata e dijnë më së miri se çka është e mira dhe e kundërta e saj. All-llahu subhanehu ue teala na ka urdhëruar për këtë duke thënë: “Pyetni dijetarët për atë që nuk dini…” Prej ulemave më me peshë në historinë Islame është dijetari i njohur Imam Buhariu, i cili ka qenë njëri prej shkaqeve për t’u ruajtur Islami ashtu si ka zbritur. 
 
 
Emri i tij i plotë është Ebu Abdil-lah Muhammed ibën Ismail ibën Ibrahim ibën Mugireh ibën Berdizbeh el-Xhu’fij el-Buhari. Eshtë bërë i njohur vetëm si Buhariu, e ky është emër i qytetit ku ka lindur, qytet që ishte prej qendrave të diturisë. Lindi më 13 Shevval të vitit 194 të Hixhrit ose 810 sipas Isaut alejhi selam. U rrit në shtëpi të ndershme dhe me plotë dituri, ngase i ati i tij ka qenë prej dijetarëve dhe prej transmetuesve të hadithit. Por vdiq duke qenë Buhariu ende i mitur. Filloi të kujdeset për të e ëma, e cila ishte grua e mirë dhe e devotshme. 
 
 
Përmendet në disa libra se Buhariu në vegjëli kishte humbur pamjen, e ajo e luste All-llahun subhanehu ue teala shumë për t’ia kthyer pamjen, e shtoi aq shumë lutjen saqë pa në ëndërr Ibrahimin alejhis selam i cili i tha: All-llahu i ktheu pamjen birit tënd. Kur pa, me të vërtetë ishte ashtu. Nga ky rast mësojmë edhe rëndësinë e lutjes së sinqertë. 
 
 
Filloi mësimin e tij nëpër dijetarët e vendit të tij dhe përparonte shumë shpejt, sidomos në shkencën e Hadithit. Në këtë kohë kishte dhjetë vjet ose më pak. Një ditë duke qenë te njëri prej dijetarëve që quhej ed-Dahili i cili duke përmendur një zinxhir të hadithit tha: “transmeton Sufjani nga Ebu Zubejri nga Ibrahimi”, Buhariu i tha se Ebu Zubejri nuk ka transmetuar nga Ibrahimi. Ky filloi ta qortojë, por Buhariu i tha: “Shiko në libër”, ai shikoi dhe pastaj i tha: “Më trego si është”, dhe Buhariu i tregoi se ai nuk është Ebu Zubejri por Zubejri, dhe dijetari pa kurrfarë mendjemadhësie e pranoi gabimin dhe e përmirësoi atë që e kishte të shkruar. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare kishte mësuar përmendësh disa prej librave të hadithit. Në këtë moshë shkoi në haxh sëbashku me të ëmën dhe vëllain e tij, pas haxhxhit vendosi të qëndrojë në Meke për të përfituar pre j dijetarëve që gjinden aty, e më pas shkoi në Medine e aty shkroi librin et-Tarih (Historia), para këtij libri kishte përpiluar edhe libër tjetër “Kadajas sahabeti uet tabiin”(Çështje të sahabëve dhe tabiinëve). Këtë e kishte shkruar në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Udhëtimet e tij nëpër qendrat e diturisë u shtuan shumë, gjithë këtë e bënte për të kërkuar diturinë nga më shumë dijetarë. Prej vendeve që ka kërkuar dituri janë: Meke, Medine, Sham, Egjipt, Har-ran, Musil, Basra, Kufe, Bagdad, Hurasan, Irak etj. Udhëtimi i tij nëpër këto vende i bëri shumë dobi sepse ai ishte i zellshëm gjatë kërkimit të diturisë, meditonte çdoherë dhe e përsëriste atë që kishte mësuar. 
 
 
Njëri prej nxënësve të tij tregon se njëherë ka qenë në shtëpinë e Buhariut rahimehull-llah dhe thotë: “Gjatë natës kam numruar se është ngritur nga shtrati më shumë se pesëmbëdhjetë herë, e ndizte qirinë dhe shkruante atë që përfitonte duke medituar rreth ajeteve dhe haditheve”. 
Dijetarët prej të cilëve përfitoi janë shumë, ngase kishte udhëtuar në shumë vende, ashtuqë ka dëgjuar dhe ka shkruar nga 1080 dijetarë. Këtë e ka arritur ngase herët filloi me kërkimin e diturisë. Nuk mundemi t’i përmendim as një numër të vogël prej dijetarëve të tij, por mund të përmendim se dijetarët më me ndikim tek ai kanë qenë: Ahmed ibën Hambeli, Is’hak ibën Rahujeh, Jahja ibën Mein dhe Alij ibën Medini. 
 
 
Thotë Buhariu rahimehull-llah: “Nuk e kam ndier veten të vogël në dituri, pos kur kam qenë para Alij ibën Medinit”, kur kjo fjalë iu transmetua Alijut, ai tha: “Lëreni atë që thotë ai, ai ende nuk ka takuar dikënd të ditur sikur që është ai vetë”(d.m.th. nuk ka më të ditur se Buhariu). 
Prej nxënësve më të njohur të tij janë: Ebul Husejn, Muslim ibën Haxhxhaxh, Tirmidhiu, Nesaiu, Ebu Hatem, Ebu Zur’ah, Ibën Huzejme dhe tjerë. 
 
 
Është mirë të përmendim disa fjalë të dijetarëve që kanë folur për të, nëse dëshirojmë të mësojmë edhe më mirë vlerën që e ka ky dijetar i famshëm në Islam. Thotë Hani’ ibën Nadhar: “Ishim njëherë te Muhamed ibën Jusuf në Sham, të gjithë ishim të rinj dhe dëfrehenim (me lojëra të të rinjve), ndërsa Buhariu nuk na shoqëronte në këto gjëra por i ishte dhënë pas diturisë”. 
Is’hak ibën Rahujeh thotë: “O ju njerëz, përfitoni nga ky djalosh, sepse po të kishte qenë ky djal edhe në kohën e Hasan el-Basriut, do të kishin pasur nevojë njerëzit për diturinë e tij”. 
Ibën Ebi Shejbe thotë: “Nuk kemi parë asnjëherë sikur Buhariu” 
Ibnu Huzejme thotë: “Nën këtë Qiell nuk kam parë njeri më të ditur në hadith dhe me memori më të fortë se sa Muhammed ibën Ismail el-Buhari” Muslimi pas një polemike që kishte me Buhariun i tha: “Ty nuk të urren pos atij që është xheloz dhe dëshmoj se në këtë botë nuk ka sikur ti” 
 
 
Buhariu rahimehull-llah ka qenë njeri i mençur, ka pasur memori të shpejtë dhe të fortë, nga memoria që kishte habitet çdo njeri, sa për ilustrim do të përmendin rastin e njohur që i ndodhi kur shkoi në Bagdad. Aty njerëzit kishin dëgjuar për Buhariun dhe memorin (hifdhin) që kishte, ashtuqë donin të binden në këtë. Vendosën të marrin dhjetë njerëz, secilit prej tyre t’ua japin nga dhjetë hadithe, por duke i përzier zinxhirin e çdo hadithi me tekstin e hadithit tjetër. Ashtu edhe bënë. Kur erdhi Buhariu, u mblodhën në një tubim dhe filloi i pari prej atyre të dhjetëve: “transmeton filani nga filani se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë kështu kështu” Buhariu tha: “Nuk e di”, vazhdoi hadithin e dyte, të tretin, të katërtin, por Buhariu vazhdimisht thonte: “Nuk e di”. Disa prej atyre që ishin prezent menduan se e mashtruan, por ata që ishin më të ditur në mesin e tyre thanë: “E kuptoi lojën tonë”. Pasiqë mbaruan me të gjitha hadithet Buhariu rahimehull-llah u tha: “Ti, i pari hadithin e parë që e the kështu ai është kështu e kështu, hadithin e dytë…” kështuqë derisa të gjitha hadithet ua tregoi me rend se si janë, duke i bërë bashkë çdo hadith me zinxhirin e vet. 
 
 
Dijetarët kanë thënë se nuk është çudi se i ka ditur hadithet saktësisht, çudi është se në moment i ka mësuar edhe hadithet që i kanë thënë ata, hadithet e përziera. 
Nuk kemi pse të habitemi nga kjo kur e dimë se Buhariu rahimehull-llah ka thënë: “Nuk e kam përgojuar askënd prej kur e kam ditur se përgojimi është haram dhe nuk di se në pasurinë time ka diçka të dyshimtë (jo hallall)”. Padyshim se largimi nga mëkatet
të ndihmon në çdo gjë, dhe e kundërta me të kundërtën. 
 
 
Librat që i ka përpiluar janë shumë, prej tyre mëtë njohura janë: 
1. Sahihul Buhariu 
2. el-Edebul Mufred 
3. Tarihul Kebir (historia e madhe) 
4. Tarihul Eusat (Historia e mesme) 
5. Tarihus Sagir (Historia e vogël) 
6. Kiraetu halfel imam (leximi pas imamit) 
7. Ref’ul jedejni fis salah(ngritja e duarve në namaz). 
 
 
Ka edhe shumë libra tjera, disa prej tyre janë të humbura, por libri me të cilin u bë i njohur si imam i fesë është Sahihul Buhariu, në të cilin ka përmbledhur hadithe të Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem. Të gjitha hadithet në këtë libër janë të vërteta. Dijetarët kanë thënë se libri më i vërtetë pas Kur’anit është libri i Buhariut rahimehull-llah. 
Ky dijetar ndërroi jetë në vitin 256 të Hixhrit ose 870 sipas Isaut alejhi selam. 
Kjo ishte shkurtimisht për jetën dhe veprën e Imam Buhariut, i cili duhet të jetë shembull për neve dhe duhet marrë mësim nga jeta dhe vepra e tij. 
E lusim All-llahun subhanehu ue teala që këtë imam ta shpërblejë me xhennetul firdeus, dhe të na bashkojë edhe neve me të. Lutja ynë e fundit është se falënderimi i takon vetëm All-llahut subhanehu ue teala për të gjitha të mirat që na i ka dhënë.Amin 
 
 
Albislam.com
Artikulli paraprakGjenden pesë foshnje të vdekura në frigorifer
Artikulli vijuesHaxhi Krasniqi sonte do të luftojë për titullin e botës në versionin WBO!