Nuk ka shqiptar, i madh e i vogël, që të mos e njohë atë, pasi është figurë publike dhe emblematike në fusha dhe zhanre të ndryshme, në të cilat lëvroi dhe që akoma vazhdon të japë kontributin e tij të çmuar. Bëhet fjalë për skenaristin, regjisorin, aktorin dhe karikaturistin e mirënjohur Bujar Kapexhiu, i cili kohët e fundit është i angazhuar edhe si profesor në një universitet privat ku jep lëndën “Arti i të folurit në publik”.
Në një rrëfim të veçantë dhe krejt ndryshe për bashkëpunëtorin e revistës Drita Islame, gazetarin Qani Sulku, z. Kapexhiu sjell copëza kujtimesh nga jeta dhe vepra e tij, lidhjen e ngushtë me Zotin e gjithësisë, përvojën e agjërimit të Ramazanit, si dhe angazhimet e tij të momentit dhe planet për të ardhmen, duke sfiduar vitet që mbart mbi supe.
Me një buzëqeshje miqësore, me një fizik të mbajtur mirë, duke fshehur bukur moshën, na mirëpret me shumë kënaqësi në shtëpinë e tij. Biseda me të rrjedh si ujë burimi dhe minutat kalojnë pa u ndier, ndërkohë që nuk kursen të na rrëfejë çdo gjë rreth jetës së tij, për të cilën jemi kureshtarë ne dhe publiku i gjerë. Asnjë nga profesionet që ka kryer deri tani nuk e veçon nga të tjerët, për shkak se, siç thotë ai, ata janë zinxhir dhe ndihmojnë njëri-tjetrin, ndërsa për filmin “Dy herë mat”, thotë se filmi ishte realizuar për të qenë “Tre herë mat”, por për shkak të minutazhit të gjatë, u shkurtua dhe u prezantua me titullin “Dy herë mat”.
Kur e pyesim se si arrin të jetë kaq në formë dhe të duket kaq i ri; menjëherë përgjigjet duke thënë: “Rri tërë ditën me studentët, sigurisht që mosha e tyre reflekton tek unë”. Shumë prej moshatarëve të tij çlodhen lulishteve dhe kalojnë kohën pa ndonjë impenjim të veçantë, ndërsa Bujar Kapexhiu punon me një vrull rinor, sikur sapo e ka nisur karrierën e tij. Çdo ditë në lëvizje, madje jo me mjete transporti, por në këmbë ecën kilometra të tëra, sa në universitet ku u mëson studentëve të degëve të ndryshme si: gazetari, juridik, marrëdhënie me publikun, lëndën: Arti i të folurit në publik, të cilën e jep me shumë pasion e dashuri, e sa në studion e tij, ku skicon karikaturat e mprehta e të thukëta, me të cilat paraqet aktualitetin politik dhe jo vetëm të kohës në vendin tonë.
Të shumtë janë ata që në lëvizjet e përditshme të tij e ndalojnë për ta përshëndetur apo për të pasur me të një foto si kujtim. Ai nuk ia prish askujt, pasi modestia që e karakterizon e bën të vlerësojë çdokënd, përtej faktit të qenit një figurë publike disavjeçare.
Bujar Kapexhiu rrjedh nga një familje myslimane nga Dibra e Madhe. Me shumë nostalgji kujton vitet kur ishte i vogël, kur prindërit e tij agjëronin dhe ai mundohej t’i pasonte duke agjëruar ndonjë ditë nga Ramazani, i bindur se po bënte një vepër me shumë vlerë. Nuk i harron Bajramet, të cilat karakterizoheshin nga ushqimet e mira, që mungonin në përditshmëri, apo nga dhuratat në veshje që ishin kthyer në një simbolikë të festës.
Në lagjen ku është rritur në Tiranë, karshi Liceut Artistik, rrëfen se kishte një xhami, e cila ishte kthyer në një pikë takimi me shokët, nga ku nisi dhe zbuloi talentin e tij për aktrimin. Vetë Kapexhiu rrëfen duke thënë: “Ne oborrin e xhamisë kishte një pemë ulliri, ku lidhnim dy tela të mëdhenj dhe një perde a një çarçaf dhe luanim teatër të cilin e quanim “Teatri i hijeve”. Gjatë Ramazanit, kënaqeshim shumë duke bërë Topa Ramazani; bënim një kala të madhe dhe kur vinte koha e iftarit, kishte një goditje topi që lajmëronte hyrjen e kohës së iftarit. Kur dëgjonim goditjen e topit, shembnim kalanë që kishim ndërtuar dhe vraponim drejt shtëpisë për të ngrënë iftar”.
Pas viteve ‘90, kur besimi dhe praktikimi i fesë u çlirua nga prangat e sistemit monist, Kapexhiu thotë se u rikthye në identitet, pasi me një grup miqsh vendosën që të agjëronin të plotë muajin e bekuar të Ramazanit. Që atëherë s’e ka ndërprerë asnjë vit, madje edhe në këto vitet e fundit, kur Ramazani bie në muajt e nxehtë të verës dhe kur etja për ujë gjatë pikut të vapës shtohet; nuk e ka ndërprerë edhe pse merr ilaçe për të ruajtur nivelin e tensionit.
“Gjatë Ramazanit ndihem i lehtë, i rinuar, e kam shumë të lehtë”, vijon rrëfimin aktori i mirënjohur duke e shoqëruar edhe me nuanca humori: “Jam si deveja që pi ujë rrallë e që s’e merr etja shpesh. Tek unë plotësohet deri në fund urimi që bëjmë ne për agjëruesit “Ta kaloni lehtë!”.
Kur e pyesin se pse agjëron, reagimi i tij që vjen natyrshëm të mahnit: “Dua ta kem mirë me Zotin”, përgjigje që reflekton kujdesin e tij për të pasur një marrëdhënie të mirë me Krijuesin, duke i zbatuar urdhrat e Tij. Edhe pse nuk e mohon faktin se ndihet i përkëdhelur nga jeta dhe njerëzit që e rrethojnë, e ndien të nevojshme për të pasur një lidhje korrekte me Zotin e Lartësuar, lidhje të cilën më mirë se sa në Ramazan, nuk mund ta forcojë në asnjë kohë tjetër. Agjërimi, – thotë Kapexhiu, – të forcon karakterin, të bën të kesh respekt për veten dhe për rregullin, e vendos njeriun në binarë edhe jashtë Ramazanit, në mënyrë që të largohet nga gjërat e ndaluara. “Të tjerët habiten kur e marrin vesh që agjëroj, madje i ftoj dhe ata që ta provojnë”, shprehet artisti duke buzëqeshur.
Agjërimi nuk e ka penguar asnjëherë në angazhimet e tij të shumta. Harmonia dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri është dëshmitare edhe në familjen e Kapexhiut, pasi bashkëshortja e tij edhe pse nuk i përket besimit islam, është ajo që kujdeset më së shumti për mbarëvajtjen e agjërimit të bashkëshortit, saqë ai me shumë humor thotë: “Unë mbaj Ramazan, ndërsa për t’u dobësuar, dobësohet gruaja, ngaqë shqetësohet shumë se si do të më shkojë agjërimi, si dhe angazhohet maksimalisht që iftaret dhe syfyret e mia të jenë të pajisura me të gjitha ushqimet tradicionale dhe me vitaminat e nevojshme”. I pëlqen atmosfera e iftarit dhe shkëmbimi i iftareve me miq e të afërm, pasi kështu forcohen lidhjet miqësore dhe farefisnore.
Kineasti i mirënjohur Bujar Kapexhiu ka lexuar Kur’anin në tërësi, të cilin e vlerëson si një manual perfekt dhe udhëzues për njeriun, që e pastron atë nga të këqijat dhe e pajis me virtyte, për ta bërë të meritueshëm për emrin që mban në mesin e krijesave “Njeri”. Ai nuk harron t’i kujtojë çdokujt se feja, jo që nuk ta vështirëson jetën, por përkundrazi, ta lehtëson atë. Kur të ndjek feja, dije që ke një mbrojtës në përditshmërinë tënde.
Edhe pse i thyer në moshë, idetë nuk i janë shteruar, përkundrazi, ato i lindin çdo ditë si filiza të njomë që presin të zgjaten e të shtrijnë degët e tyre, edhe pse ndoshta jeta nuk do t’i japë rastin që t’i realizojë të gjitha planet, projektet dhe dëshirat.
Projekti më i freskët që mbante në dorë dhe që ishte drejt përfundimit ishte libri nën titullin: Burri i odës dibrane – një libër me personalitete të fushave të ndryshme, por që i bashkon një element dhe ajo është Dibra, nga ku burojnë edhe rrënjët e Bujar Kapexhiut, që ka lënë e po lë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e çdokujt, me punën e tij të gjithanshme. Duke qenë se jemi në prag të muajit të bekuar të Ramazanit, ai shfrytëzon rastin për t’ia uruar të gjithë besimtarëve myslimanë, duke lutur Allahun që t’i gjejë shëndoshë e mirë dhe ta kalojnë gëzuar.
Kjo ishte në pak rreshta përmbajtja e një bisede të këndshme me artistin Bujar Kapexhiu, i cili rrëfeu me shumë sinqeritet fakte interesante nga jeta e tij, të cilat publiku nuk i kishte njohur më parë.
Qani Sulku /dritaislame/