Çelësi i lumturisë është të kujdesemi për brengat tona, jo të huajat

Të shumtë janë njerëzit që merren me problemet e tjerëve. Filani ka këtë problem, nëse do të vepronte kështu do ta kishte më mirë… për një tjetër thonë se nuk sillet mirë me familjen dhe prindërit… do të ishte më mirë që djalin ta kishte martuar me filan vajzën… Ky gaboi që regjistroi filan fakultetin. Sa i çuditshëm më duket ky njeri, e bleu këtë veturë kaq para! Ai njeri më duket si i marrë… sjellja e tij ndaj njerëzve tjerë nuk është e mirë, dhe kështu me radhë njeriu debaton me veten për problemet e huaja. Kjo mjafton që ai ta shkatërrojë lumturinë, rahatinë dhe qetësinë në jetën e tij.

Mirëpo, kjo nuk është më e keqja. Një formë më e rëndë e një devijimi të tillë, është kur njeriu frustracionet dhe mendimet e veta fillon ti ndajë edhe me të tjerët dhe bashkë fillojnë të diskutojnë për problemet e huaja. Dhe, kjo kthehet në përgojim dhe thashetheme, që të dyja gjynahe të mëdha në fenë Islame .
Çelësi i lumturisë është që ne të kujdesemi për hallet dhe brengat tona. Dëshiroj që këtij njeriu që merret me hallet e tjerëve t’i bëj një pyetje: Çfarë ke arritur me këtë? Ai zgjidhe problemet e tua, a fitove lumturinë, kënaqësinë dhe qetësinë në jetë? Apo me këtë fitove edhe më shumë probleme dhe brenga. A nuk do të ishte shumë më e dobishme që të ulesh dhe t’i bësh një llogari vetes dhe veprave tua? Llogarit veprat dhe mundohu që të përmirësosh ato që nuk janë në rregull. Të jap një propozim! Përcakto tre gjëra negative që i posedon dhe në këtë muaj mundohu ta përmirësosh veten në këto tre gjëra negative. Dhe kështu çdo muaj, përcakto problemet më të rëndësishme që i ke në vetën tënde dhe mundohu t’i zgjidhësh. Mos u merr me problemet dhe hallet e të tjerëve. Për një vit do të lirohesh nga dhjetëra probleme dhe halle.

Mirëpo kjo nuk mjafton. Mundohu që gjërat negative t’i zëvendësosh me gjëra pozitive. Për mendimin tim kjo është shumë më e dobishme se sa tërë ditën të rish në kafe dhe të merresh me problemet që aspak nuk të takojnë.

Paramendo se çfarë mund të arrish në jetë nëse katër ose pesë orë në ditë që i kalon në biseda të kota nëpër kafe, do t’i shfrytëzoje për gjëra të dobishme për jetën tënde në veçanti, por edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Përshtati: Arsim Dauti

(Islampress)

Artikulli paraprakÇfarë mund të bësh brenda 10 minutave?
Artikulli vijuesBuzëqesh edhe kur brengat dhe hallet të kanë mbuluar