Në qytezën e Deçanit sot në mesditë është mbajtur marshi me moton “Stop Vrasjeve”.
Në marsh kanë marrë pjesë mijëra veta .
Marshi u mbajt në përkujtim të dy vrasjeve më të reja që ndodhën në këtë komunë e që tronditën tërë Kosovën, me qëllim që këto raste të mos përsëriten më, transmeton Koha.net.
Për këtë marshim, kryetari komunës së Deçanit Rasim Selmanaj ka shkruar në Facebook:
“Deçani kishte armë për lirinë e Kosovës! Ne nuk duhet të kemi plumba e armë për njeri tjetrin! Le të mbahen mend këto dy vrasje si të fundit në këtë vend!Deçani është dhe do të mbetet Vend i traditës e i vlerave njerëzore e kombëtare! Donjeta e Ylberi u prefshin në paqe! Deçani solidarizohet me dhembjet e familjeve Pajazitaj e Malaj!”.
Shkrimit kryetari ia ka bashkangjitur edhe këtë foto nga manifestimi.
Në fshatin Strellc të Deçanit, më 19 dhjetor është gjetur i pajetë i 24 vjeçares Donjeta Pajazitaj. Ajo ishte zhdukur që nga 9 nëntori dhe u gjet e vrarë në malet e Strellcit.
Të mërkurën, po në këtë fshat ndodhi një tragjedi tjetër.
Ylber Malaj, nëntëvjeçar u vra nga të shtënat me armë zjarri derisa po drekonte në një lokal të Strellcit.
Protesta u mbajt me iniciativë të Këshillit Komunalë për Siguri në Bashkësi të Komunës së Deçanit.