Dërguti: Kapja e shtetit vazhdon. Koalicioni PDK-LDK e mbyti shpresën për ndryshim!

0
151
Intervistë me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti
 
Formimi i Qeverisë së Kosovës nga koalicioni PDK-LDK është me përmbajtje të njëjtë nga Qeveritë e kaluara veçse dallon nga emrat e ministrave, thekson Aida Dërguti. Gjatë një intervistë për gazetën “Bota sot”, Aida Dërguti pohon se, për qëndrimin ose largimin e Ministrit Aleksandër Jabllanoviç e merr Qeveria Serbe e jo Qeveria e Kosovës.
 
Në këtë intervistë, Dërguti ka folur edhe për kapjen e shtetit, ku shtoi se kapja e shtetit është duke vazhduar, ndërsa LDK-ja, sipas saj, u shndërrua në shtyllë mbështetëse që mirëmban kapjen e shtetit.
 
Kurse, për krijimin e Gjykatës Speciale vetëm për Kosovën, Dërguti pohon se, dëmtojë rëndë luftën tonë çlirimtare duke e nxjerrur në bankën e të akuzuarit dhe do ta viktimizojë agresorin e vërtetë, në këtë rast Serbinë.
 
“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e deritashme të koalicionit LDK-PDK-Lista serbe?
Aida Dërguti: Qeverisja e re dallon për nga emrat e ministrave, por jo edhe nga përmbajtja. Kjo u pa qysh në momentin kur u arrit marrëveshja e koalicionit, e cila tërë përqëndrimin e kishte te postet. Sjellja në Kuvend e projektligjit për buxhetin, i planifikuar nga PDK, ishte dëshmia e radhës. Gjithashtu, çështjet si Gjykata Speciale, asociacioni i komunave serbe dhe dialogu me Serbinë, njësoj si në të kaluarën, vazhdojnë të mbesin prioritet edhe i kësaj Qeverie. Për dallim prej këtyre dy subjekteve të cilave u mungon programi qeverisës, Lista Serbe ka agjendë të qartë të qëllimeve të saj, të parashtruara në marrëveshjen e koalicionit, për të cilën angazhohet.
 
“Bota sot”: Lista serbe, pas shkarkimit të Ministrit Jabllanoviç, sikur donë të shkëputet nga koalicioni qeverisës, a do të ishte më funksional ky koalicion pa këtë subjekt?
Aida Dërguti: Vendimin për qëndrimin apo largimin nga koalicioni qeverisës të Listës serbe e merr Qeveria e Serbisë. Duke e patur parasysh zellin e Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, nuk duket e besueshme tërheqja e Listës Serbe nga ky koalicion.
 
“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje, vazhdimisht ka ngritur zërin kundër “kapjes së shtetit”, pse mendoni që është kapur shteti?
Aida Dërguti: Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka qenë e vetmja që ka ngritur zërin kundër kapjes së shtetit. Të njëjtën gjë e ka thënë vazhdimisht edhe LDK. Mirëpo, Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon të mbetet konsistente në qëndrimet e saj, për dallim nga LDK e cila duke hyrë në koalicion me PDK, u shndërrua në shtyllë mbështetëse që mirëmban kapjen e shtetit.
 
“Bota sot”: Ditëve të fundit kemi parë punë më intensive sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, ndërkohë që kemi parë edhe qëndrimin tuaj kundër kësaj gjykate, pse?
Aida Dërguti: Paradigma e paqes dhe stabilitetit zëvendëson drejtësinë me një proces gjyqësor politik. Një qasje e gabuar është parë edhe në procesin e Hagës ku agresori, në këtë rast Serbia, është barazuar me viktimat. Ndërtimi i një sistemi paralel të gjyqësisë, minon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Këtë e dëshmon më së miri fakti se për ta akomoduar Gjykatën Speciale, nevojiten ndryshime kushtetutese. Kur krejt kësaj i shtohen edhe qëllimet politike të Rusisë dhe Serbisë që ta godasin luftën çlirimtare të UÇK-së, pretendimet në raportin e Dick Martit bëhen argument i mjaftueshëm për themelimin e kësaj Gjykate. Krijimi i një Gjykate Speciale vetëm për Kosovën, do ta dëmtojë rëndë luftën tonë çlirimtare duke e nxjerrur në bankën e të akuzuarit dhe do ta viktimizojë agresorin e vërtetë, në këtë rast Serbinë.
 
“Bota sot”: A besoni që edhe dy subjektet tjera opozitare do të jenë kundër Gjykatës Speciale njëjtë sikur ju?
Aida Dërguti: Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka bërë publik qëndrimin e saj. Besoj se gjatë ditëve në vijim do të kuptojmë edhe qëndrimin e subjekteve tjera opozitare.
 
“Bota sot”: Ligji për konfiskimin e pasurisë tashmë është hartuar. Pse nuk po ndodh konfiskimi i pasurisë për ata që e kanë fituar pasurinë mënyrë të paligjshme?
Aida Dërguti: Atyre që do të duhej të ju konfiskohet pasuria, tashmë janë në pushtet. Rrjedhimisht, nuk mund të pritet që këta njerëz kanë vullnet politik për t’ia konfiskuar pasurinë vetvetes.
 
“Bota sot”: Çka mendon Lëvizja Vetëvendosje për eksodin, që sipas shifrave jo zyrtare kanë lëshuar Kosovën rreth 150 mijë shqiptarë?
Aida Dërguti: Koalicioni PDK-LDK përfundimisht ka mbytur shpresën për ndryshim. Premtimet për zhvillim ekonomik dhe punësim, përfunduan në harresë bashkë me fushatën zgjedhore. Varfëria dhe mungesa e perspektivës, i detyron qytetarët të provojnë të gjejnë zgjidhje individuale.
 
“Bota sot”: A do të ketë një “Pranverë të Nxehtë”, dhe protesta gjithë gjithëpopullore?
Aida Dërguti: Protestat janë të shëndetshme për demokracinë. Në periudhën mes dy palë zgjedhjeve, protestat parandalojnë vendimet e dëmshme dhe përmirësojnë kualitetin e qeverisjes. Në demokraci pushteti frikësohet nga qytetarët. Vetëm nën diktaturë mohohet dhe sulmohet protesta si institucion. Aty ku ka diktaturë, qytetarët përgatiten për ta përmbysur qeverinë.
 
“Bota sot”: Gjatë mandatit të kaluar Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar krijimin e komisionit hetimor për hetimin e ish agjentëve të SHIK-ut. A do të insistoni që gjatë këtij mandati të krijohet ky komision?
Aida Dërguti: Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka mbledhur nënshkrimet e opozitës. Mirëpo për këtë iniciativë nevojiten 40 nënshkrime. Edhe pse LDK vazhdimisht ka patur akuzat më të rënda për SHIK-un, deri më tani nuk e kemi asnjë nënshkrim nga deputetët e këtij subjekti.
 
“Bota sot”: Si po ecën procesi i brendshëm zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje?
Aida Dërguti: Deri më tani, gjithçka ka shkuar në rregull dhe sipas afateve të përcaktuara. Këtë fundjavë do të votohet për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe rezultatet preliminare do t’i kemi në orët e vona të së dielës.botasot/kohaislame