DIGJEN 2 MIJË HEKTARË

Kosova deri më tash ka humbur mbi 2 mijë hektarë male. Mbi 800 hektarë të shkrumbuara ishin pyje të kualitetit të lartë. Për shkak të vazhdimit të zjarreve, dëmet financiare ende nuk dihen saktë, por jozyrtarisht llogaritet se shifra arrin mbi 15 milionë euro.

Më shumë se kaq, dëmet ekologjike vlerësohen edhe më të rënda. Zonat më të prekura janë Deçani e Dragashi. Organizatat joqeveritare kritikojnë heshtjen e institucioneve.

Pyjet e Kosovë po shkrumbohen. Dëmet e shkaktuara do të kërkojnë dekada që të riparohen. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri më 22 gusht, kur është bërë përllogaritja e fundit, janë bërë hi mbi 2 mijë hektarë male. Në rastet e shumta, sipërfaqet e djegura ishin shumë të bukura, pyje mjaft kualitative.

Ndërkohë, vlera financiare e dëmeve saktësisht ende nuk është përllogaritur. Kjo për faktin se zjarret ende vazhdojnë të djegin pyjet e vendit. Megjithëkëtë, jozyrtarisht besohet se vlera e dëmit kalon 15 milionë euro. Vatrat më të mëdha të zjarrit vazhdojnë të jenë malet në bjeshkët e komunës së Decanit dhe në atë të Dragashit. Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës së Deçanit, thotë se vatrat e zjarrit kanë prekur pjesët shkëmbore. “Kurse Qeveria nuk ka pasur mundësi të intervenojë nga ajri”, thotë ai. Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës i ka ofruar ndihmë, por jo edhe KFOR’i. “Pavarësisht situatës së rëndë, kemi arritur t’i menaxhojmë mirë këto zjarre”, thotë Selmanaj për Express.

Por, jo të gjithë mendojnë kështu. Iniciativa për Progres shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar nga zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të Kosovës. “Kryetari i Komunës së Deçanit në momentin e parë që ka vlerësuar se kapacitetet lokale nuk mjaftojnë për fikjen e zjarreve, është dashur të shpallë gjendje emergjente dhe të kërkojë asistencë qendrore, pasi që mbi të bie përgjegjësia për sigurinë publike dhe mirëqenien e qytetarëve të komunës“, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Dëmet këtë vit nga zjarret duken edhe më të mëdha, përveç në aspektin financiar e ekologjik, edhe në atë kohor.

Admir Hasanaj është drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Deçanit. Ai tregon se këtë vit ka pasur shumë vatra zjarresh si në Bjeshkët e Baballoqit, Carrallugut, Vokshit, Strellcit, Qelisë apo Bellojës.

“Po ashtu edhe kemi vatra afër Manastirit të Deçanit, ku janë djegur një sasi e madhe e pishave. Këto pisha kanë qenë shumë të vjetra dhe është dashur me qindra vjet të rriten“, thotë Hasanaj për Express.kohaislame

Artikulli paraprakAzem Syla, Thaçit: Unë po jap dorëheqje
Artikulli vijuesHEQJA E VIZAVE, RREZIKOHEN NUSET ME LETRA