Hoxhë Ismail Bardhoshi
Disa nga çështjet e Akides që kanë ardhur në hadithe të sakta
– Profecia e Ademit, si dhe e disa profetëve të tjerë, për të cilët Kur’ani nuk përmend se janë profetë.
– Epërsia e Profetit tonë, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), mbi të gjithë të dërguarit.
– Shumë çështje që kanë të bëjnë me fillimin e krijimit të krijesave, cilësinë e melaikeve, xhindëve, xhenetit, zjarrit, se ato janë të krijuara dhe se guri i zi i Kabes është i ardhur nga xheneti.
– Shumë prej shenjave të Kijametit, përveç atyre që kanë ardhur në hadithe “muteuatir”.
– Besimi se dhjetë të përgëzuarit me xhenet janë prej banorëve të xhenetit.
– Shumë prej mrekullive dhe veçorive të Profetit.
– Shumë gjëra që lidhen me jetën e varrit, kijametin, dhe Ditën e Gjykimit.
– Shumë çështje që kanë të bëjnë me kaderin.
Grupet e humbura, për shkak se s’kanë dijeni rreth haditheve të Profetit (salallahu alejhi ue selem), kanë mohuar shumë çështje të Akides që kanë ardhur në hadithe “muteuatir”, me pretendimin se janë transmetuar në hadithe “ehad”, duke kundërshtuar kështu atë që e kanë theksuar ekspertët e kësaj fushe, dijetarët e hadithit. Prej gjërave që kanë mohuar është dalja e Dexhalit, zbritja e Isait, shikimi i Allahut në xhenet dhe shumë prej mrekullive të Profetit tonë Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).
3 – Profeti ynë, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), i ka sqaruar çështjet e fesë, prandaj çdo shpikje në fe është bidat i refuzuar.
Allahu e ka plotësuar fenë e Tij, nuk ka në të asnjë lloj mangësie, prandaj nuk lejohet të pakësohet, të shtohet, apo të ndryshohet ndonjë gjë në të. Allahu thotë në Kur’an:
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin fe.” Maide: 3.
Për këtë ka thënë Profeti (salallahu alejhi ue selem) në hadithin e transmetuar nga Irbad ibni Sarije: “Na këshilloi i Dërguari i Allahut me një këshillë, prej së cilës u frikësuan e u zbutën zemrat dhe lotuan sytë. Atëherë ne i thamë: ‘O i Dërguari i Allahut! Duket sikur kjo është një këshillë lamtumire apo ndarje prej nesh, prandaj na porosit (me diçka që t’i përmbahemi pas teje).’ Profeti u tha: ‘U këshilloj t’i frikësoheni Allahut, të dëgjoni dhe të respektoni, edhe sikur prijësi juaj të jetë një rob, sepse kush jeton prej jush do të vërejë shumë përçarje. Prandaj kapuni pas Sunetin tim (rrugës time) dhe Sunetin e halifëve të drejtë e të udhëzuar. Shtrëngojeni atë me dhëmballët tuaj (d.m.th. kapuni fort pas tij). Ruhuni nga shpikjet në çështjet e fesë sepse çdo bidat është humbje’.” Transmeton ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se hadithi është hasen, sahih.
Në një transmetim të hadithit të Irbad ibn Sarijeh Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Ju kam lënë në një rrugë të drejtë, nata e së cilës është si dita e saj. Nuk devijon nga ajo vetëm se një i shkatërruar.” Kjo do të thotë se Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ka sqaruar çdo gjë të fesë, kështu që ai që shton, ndryshon e devijon diçka në të, është i shkatërruar.
Transmeton imam Shafiu dhe Taberani se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk kam lënë ndonjë gjë që ju afron te Allahu i Lartësuar, veçse ju kam urdhëruar për të.”
Aishja transmeton se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi. Në “Sunenin” e Nesaiut ka ardhur hadithi i saktë ku Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Me të vërtetë më e mira fjalë është fjala e Allahut të Lartësuar dhe më i miri udhëzim është udhëzimi i të Dërguarit të Tij. Çdo shpikje është bidat, çdo bidat është humbje dhe çdo humbje përfundimin e ka në zjarr.” Hadithin e ka transmetuar edhe Muslimi, përveç fragmentit të fundit.
Imam Ahmedi transmeton nga Abullah ibn Mes’udi, i cili rrëfen se Profeti (salallahu alejhi ue selem) bëri një vijë të drejtë dhe tha: “Kjo është rruga e drejtë që ka ligjëruar Allahu i Lartësuar.” Pastaj bëri vija djathtas e majtas dhe tha: “Në krye të secilës prej këtyre rrugëve ka një shejtan që i fton njerëzit të ecin në të.” Më pas lexoi fjalën e Allahut: “Vërtet, kjo është rruga Ime e drejtë, kështu që ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera, pasi ato do t’ju ndajnë e do t’ju largojnë nga Udha e Tij. Për këtë ju ka porositur që të mund të bëheni Muttekinë (të përkushtuar në Besimin e pastër islam).” En Aam: 153.
Gjithashtu ka transmetuar Hudhejfetu ibnil Jeman, i cili thotë: “Njerëzit e pyesnin Profetin (salallahu alejhi ue selem) për të mirën, kurse unë e pyesja për të keqen nga frika se mos më prekte, kështu që i thashë: ‘O i Dërguari i Allahut! Ne kemi qenë në xhahilijet dhe në sherr dhe Allahu na solli këtë të mirë. A do të ketë pas kësaj të mire, të keqe dhe sherr? Profeti tha: ‘Po.’[9] I thashë: ‘Po pas kësaj të keqeje a ka hajër?’ Profeti u përgjigj: ‘Po, dhe ai do të shoqërohet me ‘dekhan’[10] (inat, urrejtje, armiqësi, prishje të zemrave dhe trazira e turbullira).’ I thashë: ‘Çka është ‘dekhan-i’ i asaj periudhe, o i Dërguari i Allahut!?’ Profeti tha: ‘Një popull që udhëheqin jo me udhëzimin tim, të cilët bëjnë punë që i pranon dhe punë që nuk i pranon.’ I thashë: ‘Po pas këtij hajri a ka sherr?’ Tha: ‘Po, ka ftues për në dyert e xhehenemit, kushdo që u përgjigjet, ata e hedhin në të.’[11] ‘O i Dërguari i Allahut! Na i përshkruaj ata!’ M’u përgjigj: ‘Ata janë nga mesi ynë, flasin gjuhën tonë dhe janë të fesë sonë.’ I thashë: ‘Çfarë më urdhëron të bëj nëse e arrij atë kohë?’ Tha: ‘Të kapesh pas xhematit të muslimanëve dhe kryetarit, prijësit të tyre.’ Thashë: ‘Po në qoftë se muslimanët atë ditë nuk kanë as xhemat dhe as prijës?’ Tha: ‘Largohu nga të gjitha ato grupe edhe sikur të shtrëngosh rrënjët e një peme, derisa të të vijë vdekja duke qenë në atë gjendje’.” Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
Abdullah ibn Mes’udi ka thënë: “Ndiqni rrugën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) e të shokëve të tij dhe mos shpikni risi e bidate, sepse u mjafton ajo që ka qenë në të i Dërguari dhe shokët e tij.”
Abdullah ibn Umer ka thënë: “Çdo bidat është humbje, edhe pse njerëzit e konsiderojnë të mirë.”
4 – Logjika e shëndoshë është krejtësisht në përputhshmëri me argumentet e sakta të Sheriatit, d.m.th. argumentet e sakta logjike që rrjedhin nga mendja e pastër, e shëndoshë dhe e drejtë, janë në përputhshmëri me Kur’anin dhe hadithet e sakta të Profetit (salallahu alejhi ue selem). Si rrjedhojë, kurrsesi nuk mundet që një argument i prerë e i saktë logjik, të bjerë në kundërshtim me një argument të prerë e të saktë të Sheriatit.