Hulumtuesit shkencorë nga Universiteti finlandez Kuopio kanë gjetur në domate një përbërës që ul rrezikun nga gjakderdhja në tru te njerëzit deri në masën 55 për qind.
Materia që quhet Lycopin është njëherësh ajo që ia jep domates ngjyrën e kuqe.Për studimin që shkencëtarët në fjalë e kanë publikuar në revistën profesionale amerikane “Neurology”, kanë ekzaminuar për 12 vjet me radhë 1 000 meshkuj të moshave nga 46 deri në 65 vjeçare.
Nga ky ekzaminim atyre u ka rezultuar se pacientët që kanë nivel më të lartë të lycopinit në gjak, kanë 55 për qind më pak rrezik nga gjakderdhja (goditja) në tru se sa ata me nivelin më të ulët të lycopinit në gjak.
Lycopini është një antioksidant i fortë, ka thënë autori kryesor i studimit, Jouni Karppi. Antioksidantët mbrojnë qelizat trupore nga dëmtimet që i shkaktojnë molekulat agresive të oksigjenit, që mund të sëmurin organizmin.
Studimi është edhe një dëshmi më tepër se ushqimi me shumë pemë e perime ul rrezikun e gjakderdhjes në tru. Ndërkaq, studiues të tjerë vlerësojnë se nuk është krejtësisht e sigurt ajo që kanë konstatuar shkencëtarët finlandezë.
Kështu, sipas Larry Goldstein, nga Duke University Medical Center në SHBA, studimi i përmendur nuk përmban informacione mbi ushqimin në përgjithësi të meshkujve të ekzaminuar.