PRISHTINË (AA) – Agjencia e Kosovës për Forenzikë sot ka modernizuar dhe pasuruar infrastrukturën e vet shkencore për hetimin e veprave penale dhe të krimit, pasi ka pranuar pajisjet për ekzaminim e provave të Audios dhe Zërit, donacion ky i Ambasadës Gjermane, gjegjësisht, Qeverisë së Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit ku ishin të pranishëm ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, Aake Roghe dhe Kryeshefi Ekzekutiv i AKF-së, Blerim Olluri, kjo pajisje u cilësua si tejet e rëndësishme për hetimin dhe zbulimin e krimeve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni theksoi se modernizimi dhe avancimi i shërbimeve të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë vazhdimisht po zhvillohet.
“Ky sot është edhe një akt i përsosjes apo perfeskionimit të mëtejmë, përkatëisht aftësimit të mëtejmë të Agjencisë Kosovare të Forenzikës, për të kryer detyra dhe obligime në fushëveprimin e vet”, tha ministri Hyseni i cili shtoi se, përcjellja e trendëve të fundit dhe modernizimit të metodologjisë shkencore të hetimit të krimit në Kosovë nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e shteteve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, ai falënderoi Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe në veçanti Qeverinë e Gjermanisë e cila me donacionin prej 45 mijë eurove ka mundësuar pajisjen e Forenzikës së Kosovës me pajise për Identifikimin e Zërit dhe Audios.
Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, Aake Roghe u shpreh se mënyra e hetimit të krimeve në përgjithësi në botë dhe në veçanti në Kosovë, ka ndryshuar shumë në krahazim me periudhën e para 15 viteve.
Ai theksoi se para 15 viteve nuk ka pasur këso krimi të organizuar të avancuar dhe veprime terroriste të avancuara sikurse janë sot. Roghe tregoi se, asokohe, ishte shumë më lehtë të hetohen aktivitetet kriminale dhe se mjaftonte që detektivët të bisedonin me kriminelët dhe të siguronin dëshmi të mjaftueshme për gjykatë.
Por tash pas 15 vitesh, Drejtorit të Departamentit për Siguri Publike të OSBE-së në Kosovë, jeta është shumë më ndryshe nga perspektiva policore.
“Kriminaliteti ka avancuar shumë, kemi krim të organizuar që është jashtëzakonisht i modernizuar dhe në të gjitha rastet, kriminelët e organizuar janë duke shfrytëzuar pajisje të teknologjisë. Siguria kibernetike, krimet kibernetike dhe Teknologjia Informative (IT), çshtje të ndryshme të IT-së. Madje edhe krimet e thjeshta janë më ndryshe sot se që ishin dikur sepse si detektiv nuk arrini të siguroni më rrëfimin e krimit ngase kriminelët janë bërë të vetëdijshëm që, nëse nuk thonë asgjë atëherë për hetuesit do të jetë më vështirë të gjejnë prova për t’i dënuar në gjykatë”, tha Roghe.
Ai shtoi se, në ditët e sotme avokatët janë më të avancuar dhe vazhdimisht apelojnë për dëshmi plotësisht të sakta, të cilat po nuk i siguron hetuesia dhe organet e ligjit, kriminelët mbeten pa u dënuar. Roghe insiston se sot organet e zbatimit të rendit dhe ligjit duhet të kenë prova precize, të sakta dhe të zbuluara me metoda më moderne dhe të avancuara, për të dënuar kriminelët për veprat e tyre.
“Pa dëshmi të siguruara me standarde ndërkombëtare nga institucione plotësisht të pavarura, nuk do të mund t’i dënoni më njerëzit, posaçërisht ata që merren me krim të organizuar. Sot kemi sjellur një pajisje shumë moderne që është absolutisht vendimtare për Agjencinë dhe jam i bindur se kjo pajisje do të siguroj të gjitha dëshmitë e nevojshme që do të pasqyrohen në gjykata, në të ardhmen”, tha Roghe dhe shprehu mirënjohjen e tij të lartë për punën që po e bënë Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
Sipas tij, ky institucion është një nga institucionet me pajise më moderne në rajon dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Në emër të nikoqirit, Kryeshefi Ekzekutiv i AKF-së, Blerim Olluri falënderoi të gjithë përkrahësit dhe donatorët që po e ndihmojnë avancimin e shërbimit për hetimin shkencorë të provave penale dhe të krimit, duke theksuar se sot provat shkencore luajnë rol tejet të rëndësishëm jo vetëm në zbardhjen e veprave penale dhe identifikimin e kryerësve të tyre, por edhe në procedurë penale dhe civile, në përgjithësi.
Olluri theksoi se, gjykatësit, prokurorët dhe zbatuesit e ligjit sot po mbështeten fuqishëm në ekspertizë. Lidhur me këtë, ai potencoi se me kërkesën e organeve të drejtësisë, Agjencia e Kosovës për Forenzikë vitin e kaluar ka ofruar mbi 5 mijë ekspertiza me 30 mijë prova materiale me një cilësi të lartë sipas normave ndërkombëtare.
Sipas tij, ky është tregues i fuqishëm për rolin dhe rëndësinë e ekspertizës në procedurën ligjore, prandaj konsolidimi dhe ngritja e kapaciteteve shkencore e AKF-së është e domosdoshme, kurse donacioni i sotëm i Qeverisë Gjermane për pajisjen e AKF-së me Teknologji Informative për ekspertizë të Audios dhe Zërit është tejet i rëndësishëm, në këtë drejtim.
“Për të arritur tek rezultatet e dëshiruara siç janë nxjerrja e audio-materialt, riparimi i audio materialit dhe ngritja e cilësisë së saj, për të vazhduar më tutje me audio analizë, ekspertizë, interpretim dhe identifikim të vet folësit. Rezultatet e dala nga audio ekspertizat, bazuar në parametra shkencorë, organeve të zbatimit të ligjit dhe organeve të drejtësisë ju ofrojnë një pasqyrë më të qartë se çka ka ndidhur, duke ofruar edhe një metodë më të re shkencore dhe ekzaminuese e cila deri më tani nuk është përdorur në AKF”, tha Olluri.
Ai tregoi se, gjatë dekadës së fundit, kërkesa për audio-ekzaminime forenzike është rritur në masë të madhe sepse, ndryshe nga format tjera të ekzaminimeve forenzike, audio incizimet sigurojnë prova materiale përmes të cilave hetuesit dhe zbatuesit tjerë të ligjit mund të dëgjojnë se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur.
Andaj pajisja e donuar sot, ndihmon audio-ekspertët forenzikë që duke ndërmarr një varg të veprimeve shkencore dhe duke përdorur pajise dhe programe të veçanta të avancuara, të gjejnë prova të sakta dhe ekzakte, që do t’i ndihmojnë hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit për t’i zbardhur veprat penale dhe ato të krimit.