Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një takim sot me përkrahësit e LDK’së në Vushtrri, ka deklaruar se nuk kanë ardhur në pushtet për të vjedhur e rrënuar dhe nuk kanë mendjen të japin dorëheqje duke u dorëzuar para atyre që dalin në rrugë.
Ai është shprehur se janë të vendosur të punojnë dhe të pranojnë vërejtjet e qytetarëve.
Mustafa, po ashtu, ka përmendur edhe Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se nuk mund të jenë arsye që të ushtrohet dhunë mbi institucionet e Kosovës.
“Nuk është qëllimi ynë që të djegim institucionet e Kosovës. Nuk mund të jenë dy marrëveshje arsyeja për të ushtruar dhunë ndaj institucioneve. Ne nuk kemi ardhur në pushtet për të vjedhur, por për të zhvilluar vendin, dhe nuk e kemi ndërmend që të japim dorëheqje”, ka deklaruar Mustafa.