Gjendja me imigrantët dhe refugjatët, sidomos nga Afganistani i ngjan një drame të vërtetë. Në mes të fshatit Llojan, takuam një grup refugjatësh të cilën na rrëfejnë se si kanë kaluar natën në qiell të hapur dhe përmes torturave nga ana e grupeve dhe individëve, për ta të panjohur. 19 vjeçari Mustafa nga Afganistani ka lënë familjen e tij në vendlindje ndërsa ka marrë rrugën për një jetë më të mirë. Ai flet edhe për keqtrajtime nga ana e policisë serbe por edhe asaj maqedonase.
“Dje kemi ardhur nga Serbia këtu, natën e kaluar kemi qenë në xhami. Por mbrëmë katër njerëz me thika dhe me armë na morën telefonat dhe paratë. Poashtu mbrëmë shkuam në kamp dhe policia tha se nuk pranojnë afganë, shkoni në Serbi ndërsa, policia Serbe na thoshte shkoni atje”, u shpreh Mustafa nga Avganistani.
Ekipi ynë bashkë me imigrantët, u nisëm për në kampin e Tabanocit. Ata ishin të shqetësuar, nuk kishin pirë ujë as ngrënë bukë me ditë të tëra. Posa mbërritëm në kampin e Tabanocit, UNHCR dhe Organizatat Humanitare menjëherë reaguan dhe u ofruan ndihmë refugjatëve. Ndërkaq, gjendja mbrëmë ka qenë e tensionuar në fshatin Vaksincë të Komunës së Likovës, ku dy refugjatë nga Afganistani janë therur me thikë dhe janë shtrirë më pas në spitalin e Kumanovës, ku u është dhënë ndihma e parë.
“Kemi qenë tre shokë, njëri prej shokëve nuk e di se ku është, më kanë therur me thikë. 5, 6 ditë jam këtu, më dhëmb këtu, edhe te këmbët gjithashtu, nuk ndihem mirë këtu, më është shkatërruar jeta, nuk e di se çfarë të bëj”, tha një refugjat nga Avganistani.
Fati i refugjatëve afganë, ende nuk dihet, deri në atë moment sa qëndruam ne, mbetën jashtë portës së kampit të Tabanocit. Ndërkaq, kryetari i bashkësisë Lokale, Selami Memeti, kërkon nga autoritetet e shtetit të merren masa ndaj veprimit të palës Serbe, që po bën dëbimin, sipas tij, të refugjatëve dhe futjen e tyre në fshatin Lllojan.
“Mbrëmë kishte frikë tek banoret e fshatit Llojan, sepse shteti i Serbisë i ktheu diku 200 refugjatë; policia speciale ishte në kufi për të vëzhguar situatën. I bëj apel shtetit tonë t’i stacionojë në kampe, sepse në fshatin tonë nuk janë të mirëseardhur”, theksoi Selami Memeti, Kryetar i B.L. Llojan.
Në qendrën e pranimit në Tabanoc të Kumanovës, për momentin ka 500 afganë që nuk mund ta kalojnë kufirin me Serbinë.